Humbi Evropianin për shkak fondesh, kampionia 16-vjeçare për Report TV: Jam e mërzitur, s’është hera e parë

31 Tetor, 14:04| Përditesimi: 31 Tetor, 16:54

  • Share

"Jam shumë e mërzitur,"-nis rrëfimin e saj 16-vjeçarja Enkileda Carja.

Kampionia e Evropës me 3 medalje të arta për U-15 dhe fituese e disa medaljeve të tjera përfshirë edhe Botërorin e moshave, peshëngritja Enkileda Carja, nuk mori dot pjesë në Evropianin U-20 të Polonisë, pasi trajnerja e saj pretendon se federata nuk kishte fonde.

“Si çdo sportist jam munduar dhe stërvitur shumë, me shpresën se do shkoja në Poloni dhe do mundohesha të jepja maksimumin tim për të dalë sa më mirë te gara. Në fund rezultoi që s’do shkoja. Në fakt gjithë këto komente (përplasje) më kanë mërzitur goxha, por që do e kthej në forcë dhe nuk do dorëzohem për asgjë,”-u shpreh peshëngritësja Enkileda Carja.

Siç tregon edhe kjo foto e siguruar nga Report TV Enkileda e përjetoi shumë keq mospjesëmarrjen në Evropian, ndërsa trajneria e saj tregon për vendimin që mori federata shqiptare e peshëngritjes.

“Ne kemi bërë një kërkesë direkt sapo pamë që emri i Enkiledës nuk ishte i përfshirë. Kemi kërkuar që përse nuk është dhe presidenti i federatës na ka thënë për mungesë fondesh,”-tha Eglantina Kalemi, trajnere e peshëngritjes.

Federata e Peshëngritjes nga ana tjetër pretendon se në garat kombëtare, që zhvillohen për të parë formën e sportistes, Enkileda nuk ishte brenda pritshmërive. Madje sipas federatës është rënë dakord me vetë trajneren e sportistes që të mos shkohet në kampionatin Evropian U-20.

“Ishte një deklarim prej njërës nga sekretaret e federatës. Nëse doni ta dini, ne kemi dy sekretare dhe çuditërisht nuk kemi fonde që të dërgojmë një nga sportistet më të mira të Shqipërisë ta dërgojmë në aktivitet,”-deklaroi Eglantina Kalemi, trajnere e peshëngritjes.

Më i trishtueshëm është fakti se sportistja 16-vjeçare, e cila shpeshherë ka bërë krenare Shqipërinë, nuk është hera e parë që përballet me të tilla situate.

“Përderisa po ndodhin sot besoj se edhe në të ardhmen do ndodhin sërish të njëjtat situata,”-u shpreh peshëngritësja Enkileda Carja.

Kampionati Evropian U-20 vijon të mbahet aktualisht në Poloni.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?