Himara zgjedh sot kryetarin e ri, mbyllet votimi! Mbi 1000 votues më shumë se në zgjedhjet e kaluara! Në lista 6 mijë votues me ID të skaduara (Raportimi live)

4 Gusht, 06:52| Përditesimi: 5 Gusht, 11:41

  • Share

Himarë - Himara votoi më 4 gusht 2024) për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë, për ti dhënë fund kështu dhe sagës së bashkisë pa kryetar pas arrestimit dhe dënimit të kryetarit të zgjedhur në zgjedhjet e 14 majit 2023, Fredi Beleri për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe arrestimin e kryetarit në detyrë Jorgo Goro.

Gara për të fituar drejtimin e bashkisë ishte mes Vangjel Tavos kandidati i mbështetur nga PS e kryeministrit Edi Rama dhe Petro Gjikurisë, i cili kandidoi nën siglën  “Bashkë Fitojmë’  të partive opozitare, me në krye PD dhe PL, i propozuar dhe i mbështetur nga Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe të organizata minoritare OMONIA.

Procesi i votimit në 36 qendra u hap në orën 07:00 dhe u mbyll në orën 19:00.

Pjesëmarrja krahasuar me zgjedhjet e 14 majit 2023, që nxorrën fitues Fredi Belerin këtë herë ishte më e madhe. 8678 zgjedhës nga 23.074 votues gjithsej në listë morën pjesë në votime, 1023 votues më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Pra pjesëmarrja këtë vit ka qenë 3 % më e lartë se ajo në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar 14 majit 2023, ku në bashkinë e Himarës votuan 7655 zgjedhës,pra 34%.

Dy kandidatët Tavo dhe Gjikuria votuan që në orët e para, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe proces paqësor.

Procesi i votimit vijoi i qetë pa incidente as mes palëve politike as qytetarëve. Ndërsa u vu re problematikë paraqitja e votuesve me karta identiteti të skaduara të cilët nuk u lejuan të votojnë.Në zgjedhjet e shkuara vendore kur vlefshmëria e kartave të skaduara u shty në shkallë kombëtare në zgjedhjet e 4 gushtit 2024 në Himarë zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë.

Burime nga KZAZ për Report Tv bënë me dije se deri në orën 10:00 ishin paraqitur 200 qytetarë të tillë në QV por që nuk janë lejuar të votojnë. Më vonë kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, pranoi se në listë ishin 6 mijë votues me karta identiteti të skaduara, dhe theksoi se e njëjta shifër ka qenë dhe në zgjedhjet e 14 majit 2023.

'Askush nuk është mbi ligjin' u shpreh kandidati për kryetar Vangjel Tavo, i cili votoi në Palasë. Kandidati rival, Petro Gjikuria, i cili votoi në Dhërmi tha se ndryshe nga zgjedhjet e 14 majit, këtë vit trajtimi i qytetarëve në Himarë ka qenë i diferencuar.

Kjo problematikë ngriti tonet e opozitës, duke konsideruar të qëllimshme nga ana e mazhorancës.

 Edhe OMONIA akuzoi kryeministrin Rama se refuzoi të nxjerrë aktet ligjore që do të garantonin të drejtën e votës, sikurse ka bërë në zgjedhjet e mëparshme. Nga opozita akuzat i intensifikoi vetë kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, partia e të cilit kishte propozuar kandidatin e kualicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”.

Ndërkohë ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla i cili deri 31 korrik ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm përmes një deklarate bëri të ditur se kishte paralajmëroi qytetarët e Himarës që prej 22 Korrikut për aplikimin.

Vetë kryekomisioneri Celibashi udhëtoi drejt KZAZ-së në Himarë, ndërsa për mediat tha se në këtë rast është respektuar vetëm Kodi dhe se KQZ nuk kishte kompetencë për zgjatjen e afeteve të kartave të identitetit.

Edhe procesi I transportimit të materialeve zgjedhore drejt KZAZ ku do të bëhej numërimi, I vendosur në stadiumin “Petro Ruçi” në Himarë u bë pa incidente. Ndërkohë procesi i numërimit nisi 30 minuta pas mesnatës.

Kandidatët
Vangjel Tavo është një politikan karriere që ka përfaqësuar me vite në Parlament zonë e Dropullit në Gjirokastër që banohet nga pakica greke. Në këtë fushatë u mbështet nga Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama që ka fituar 3 mandate qeverisjeje dhe synon mandatin e 4 në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025.

Ndërkohë Petro Gjikuria është një sipërmarrës me origjinë nga Dhërmiu që migroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas rënies së komunizmit në Shqipëri.  Ai përfaqësoi koalicionin e opozitës me 10 bashki “Bashkë Fitojmë” me në krye PD-në e PL-në. Gjithashtu ka dhe mbështetjen e PDNJ dhe organizatës së pakicës greke “Omonia”.

Himara
Bashkia e Himarës përbëhet nga 3 njësi administrative dhe ka një shtrirje të gjerë përgjatë të gjithë bregut të Jonit si dhe në malet e Labërisë. Zgjedhjet për kryebashkiakë në Bashkinë e Himarës i japin fund sagës së një rrugëtimi 15 mujor të bashkisë pa kryetar legjitim në krye të saj. Saga nisi dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023 me arrestimin e Belerit. Më pas dënimi i tij me dy vite burg për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, dhe arrestimin e kryetarit në detyrë Jorgo Goro nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuar ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme. Zgjedhjet e pjeshme në Himarë mbahen dhe në një klimë të ftohtë mes Tiranës dhe Athinës zyrtare që buroi pas arrestimit dhe dënimit të ish kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Shenim:Report Tv dhe Shqiptarja.com përcollën hap pas hapi të gjithë procesin zgjedhor.
Raportuan në terren gazetarët: Danjela Maloku, Armand Xhelili, Piro Nase, Armand Braho, Raziela Myslimaj 
Punuan në redaksinë online: Suela Gera, Artur Qoraj, Xhoana Kushi, Gersi Kokonozi dhe Sidorela Braçja

Ndiqni të gjitha lajmet të renditura sipas zhvillimeve më poshtë. 

Ora 00:29
Vangjel Tavo dhe deputetët socialistë mbërrijnë në KZAZ

Për pak çaste pritet të nis numërimi i votave në KZAZ e numërimit në Himarë.

Para pak minutash në vendin ku do numërohen votat në stadiumin e Himarës mbërritën të 36 kutitë.

Tashmë aty kanë mbërritur edhe kandidati socialist Vangjel Tavo dhe disa deputetë socialistë si Blendi Klosi apo Ilir Metaj.

Ora 22:44
Zgjedhjet në Himarë/ Përfundon dorëzimi i kutive! KZAZ nuk konstatoi asnjë të parregullt, pritet të nis numërimi

Ka përfunduar dorëzimi i materialeve zgjedhore nga Komisionet e Qendrave të Votimit në KZAZ nr. 88.
 
Kutitë e votimit, materialeve zgjedhore, pajisjet PEI, kamerat monitoruese të QV për 36 QV u morën në dorëzim nga KZAZ sipas procedurave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së në fuqi.
 
KZAZ nuk konstatoi asnjë kuti të parregullt dhe përmbylli procesin e dorëzimit të materialeve zgjedhore nga KQV.

Ora 21:34
Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ! Kanë mbetur edhe 15 të tjera

1722800287_kuti.jpg

Deri më tani ka përfunduar dorëzimi i materialeve zgjedhore për 21 QV nga 36 në total, ndërsa janë edhe 15 për tu dorëzuar, njoftoi KQZ.

Komisionet e Qendrave të Votimit po vijojnë dorëzimin e materialeve zgjedhore në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve nr. 88.

Së bashku me kutitë e votimit dhe materialeve zgjedhore, po dorëzohen edhe pajisjet e identifikimit elektronik (PEI) dhe kamerat monitoruese që u përdorën në qendrat e votimit.

Ora 20:48
Zgjedhjet për kreun e ri të Bashkisë Himarë, KQZ: Votuan 37.69% e totalit të 23.074 zgjedhësve në listë

U mbyll në orën 19:00 procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të ri të Bashkisë Himarë, ndërsa tashmë pritet të nis edhe procesi i numërimit të votave. 

KQZ ka bërë me dije se në zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024, votuan 8333 zgjedhës, ose 37.69% e totalit të 23.074 zgjedhësve në listë.

“Raportuar 34 nga 36 QV në total”, njoftoi KQZ.

 

Ora 20:40
Gjikuria flet pas përfundimit të votimeve: Do pranoj verdiktin e himarjotëve! Tek unë shohin shpresën, po të dojë Tavo të punojë për mua

Kandidati i opozitës për zgjedhjet e Himarës, Petraq Gjikuria foli për mediat pas mbarimit të procesit të votimit. Ai u shpreh entuziast për fitoren, ndërsa shtoi se në Himarë ka qenë e gjithë administrata. Më tej shtoi se do pranoj verdiktin e himarjotëve.

'Dua të falenderoj bashkëqytetarët e mi, që më mbështetën në këtë fushatë të shkrutër. Panë në fytyrën time një njeri që mund të ndihmonte. Falënderoj PBDNJ, PD ,PL që më mbështetën mua dhe stafin që bënë punë palodhur. Unë do jem këtu do filloj numërimi, himarjotët folën, tani numërohen kutitë dhe askush nuk duhet ti prekw sepse himarjotët votuan për djalin e tyre të nesërm. Do punoj për himarjotët. 

Këtu në këtë fushatë kishin zbritur gjithë administrata që me presione kanë kërcënuar himarjot. Por himarjotët nuk tremben. Pjesëmarrje ishte më e lartë. Himarjotët nuk e ulin kokën. Do shikohen shkeljet që janë bërë dhe është punë e KQZ. Do pranoj verdiktin e himarjotëve. Kërcënime ka patur, administrata ka qenë këtu. Por ata kanë punën e tyre, bëra një punë të pastër.

Qëllimi im të punoj për himarjotët. Duke parë që himarjotët shohin një shpresë tek unë dhe më jep një gëzim. Unë do jem fitues, dhe po të dojë Tavo të vijë për të punuar për mua është i mirëpritur. edhe në SHBA jam marrë me fushata të ndryshme. Atje punoja për të tjerët, këtu punoja për veten time. Opozita pa diskutim ka punuar për mua, jam i kënaqur për mbështetjen.'

Ora 20:12
Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës

Kanë mbërritur kutitë e para në stadiumin e Himarës ku pritet të nis procesi i numërimit të votave për bashkinë e Himarës.

Votimi u mbyll në orën 19:00, dhe gjatë procesit nuk pati incidente.

Në orët në vijim pritet të mësohet edhe fituesi i kësaj bashkie, Petro Gjikuria apo Vangjel Tavo.

Ora 19:59
Zgjedhjet në Himarë, KQZ: Pjesëmarrja rezulton 37.61%, 3.4% më e lartë se në 14 maj 2023! Procesi i votimit në 36 QV ishte i qetë

Në orën 19:00 përfundoi orari i votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë. Qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë territorin e bashkisë, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje rezultoi të ishte 37.61%, me 8678 votues që morën pjesë.. Në zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Himarës votuan 7821 qytetarë, ose 34.27% e votuesve.

Sipas KQZ, procesi i votimit në 36 QV ka vijuar i qetë ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht dhe sistemi PEI ka rezultuar krejt i suksesshëm. KQZ e ndoqi në dinamikë ecurinë e procesit, duke ndërhyrë në rastet kur u kërkua asistencë nga ana e Komisionerëve të Qendrave të Votimit.

“Komisionet e QV po përgatiten për të dorëzuar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore në KZAZ-në nr. 88, për t'i hapur rrugë procesit të numërimit të votave”, njoftoi KQZ.

Procesi i numërimit të votave do të fillojë kur të mbërrijë në KZAZ edhe kutia e fundit e votimit nga QV me e largët.

 

 

Ora 19:46
VIDEO/ Gjikuria shfaqet vetëm dhe i braktisur ditën e votimit duke ngrënë byrek, asnjë aleat politik krah tij

Opozita, në mënyrë të pazakontë, paralajmëroi humbjen e kandidatit të saj Petro Gjikuria, që pa nisur mirë procesi zgjedhor në Himarë.

Kjo, me pretendimin absurd se disa qytetarë nuk ishin lejuar të votonin, pasi iu kishin skaduar kartat e identitetit.

Ndërsa më pas u ankuan dhe për votimin e ca pleqve, të cilët afatin e kartës së identitetit e kanë 50-vjeçare.

I gjendur në këtë situatë, Petro Gjikuria dukej i dorëzuar që në mesditë.

Ai u filmua duke ngrënë byrek dhe duke pirë dhallë krejt i vetëm. Askush nga opozita nuk qendronte krah tij.

Çka tregonte se Gjikuria në fakt, ishte braktisur pa nisur gara./tema/

Ora 19:42
Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, u rrit me 3 % pjesëmarrja në votime krahasuar me zgjedhjet e kaluara

1722758569_1722757060CSADËEFËE5.jpg

Në Himarë sot janë mbajtur zgjedhjet për kryetarin e ri të bashkisë, ku qytetarët votuan për të zgjedhur mes Vangjel Tavos, kandidat i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikurisë, kandidat i opozitës.

Sipas KQZ, në zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024, votuan 8678 zgjedhës, ose 37.61% nga  23.074 zgjedhësve në listën e 36 QV-ve në total.

Në krahasim me zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ku Fredi Beleri fitoi vetëm me 19 vota  më shumë se rivali socialist Goro votuan  7821 persona, ose 34.27%. Pra këtë vit votuan 3.3 % votues më shumë se një vit më parë. 

Pjesëmarrja më e lartë duket të jetë natyrshme më e lartë krahasuar me zgjedhjet e kaluara për arsyen e thjeshtë të kohës dhe momentit kur mbahen zgjedhjet e kësaj radhe.

Muaji gusht është momenti kur qytetarët e Himarës kthehen në vendlindje, për të qëndruar gjatë me familjarët e tyre, apo për të shijuar e shfrytëzuar sezonin veror.

Në zgjedhjet 14 majti 2023  Fredi Beleri mori 3840 vota, vetëm 19 vota më shumë se rivali socialist Goro, i cili mori 3821 vota.

Ora 19:28
Zgjedhjet në Himarë, mbyllen të 36 qendrat e votimit

Të 36 qendrat e votimit në Himarë janë mbyllur dhe pasi të mbyllen procesverbalet në të gjitha qendrat e votimit, materialet zgjedhore do të dërgohen në stadiumin e Himarës për të nisur procesi i numërimit, raporton gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku nga Himara. 

 

Ora 19:23
Përfundon procesi i votimit në Himarë fshat, qetë dhe pa probleme! Pritet nisja e kutive në KZAZ-në e numërimit

 

Procesi i votimit të Himarë fshatit ka qenë i qetë dhe pa probleme raporton gazetari i Report Tv direkt nga Himara, Armand Xhelili. Në zgjedhje të tjera kjo zonë ka pasur problematika, por sot ka qenë gjithçka qetë. Më pas kutitë e votimit, do të shkojnë në stadiumin e Himarës për të niosur procesi i numërimit.

Janë gati dhe numëruesit për të nisur sa më shpejt numërimi dhe të mos ketë vonesa. Pritet mbyllja e procesverbaleve në të gjithë qendrat e votimit dhe nisja për në stadiumin e Himarës. Është një pjesëmarrje më e lartë se në zgjedhjet e fundit.  

Nuk do zgjasi më shumë se 30 apo 40 minuta mbërritja e kutive në qendrë e numërimit, pasi mbylljes së procesverbaleve. Kjo falë edhe rrugës së re, pasi më parë për disa zona duheshin deri në gati 1 orë.

Ora 17:58
'Bandat kriminale janë në çdo qendër votimi', Marin Suli: Kanë kërcënuar komisionerin tonë në Vranisht! E kemi referuar në polici

Sekretari i OMONIAS dhe mbështetësi i kandidatit Petro Gjikurias, Marin Suli foli për mediat pasi votoi për zgjedhjet e pjesshme në Himarë. 

Për gazetarët Suli hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës pasi sipas tij administrata ndodhet në Himarë duke bërë presion që të votohet Vangjel Tavo.

Më tej shtoi se edhe bandat kanë kërcënuar. Në Vranisht është kërcënuar një komisioner i Bashkë Fitojmë.

'Sapo votova për kryetarin e ri të bashkisë, zotin Gjikuria. Zgjedhjet duhet të kishin shkuar më mirë në një vend demokratik. Jemi në një situatë ku adminsitarr rilindase e kryeministrit pothuajse ka pushtuar Himarën. Është e pamundur që në çdo qendër të mo gjesh 10 deri 15 nëpunës shtetit që bëjnë presion. Bandat kriminale janë pothuajse në çdo qendër votimi. Kanë kërcënuar me jetë, me presion komisionerët tanë. Sigurisht nuk janë zgjedhje në një vend demokratik janë zgjedhje të sforcuar. Himara do reagojë, Himara do ketë një kryetar bashkie europian dhe amerikan. Shkoni të votoni, ju bëj thirrje, të votojnë një orë e më parë. Të mos kenë frikë nga presionet e rrugeçërve.

Po po janë shumë të vërteta. I kemi referuar edhe në polici. Në Vranisht komisionerin tonë e kanë kërcënuar me jetë. Në lagjen 1 maj ikëtu e njëjta gjë. Nëpunës të administratës së bashkisë së Vlorës, na kanë kërcënuar me jetë. I kemi referuar në polici. Dhe prisnim që të bënte shumë më tepër. Këto do jenë subjekt kallëzimesh pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Ne kemi fituar, fuitorjan ëhstë në kituir të evotim nuk mund të knqaëemi me këtë lloj parregulëlsia dhe shkeljesh. 6400 zgjedhës iu humbi e drejta të votojnë vetëm se shumica e tyre votojnë për Bashkë Fitojmë dhe PBDNJ.

Himara ka kryetar të ri bashkie Petro Gjikurinë më besoni.'

Ora 17:41
Zgjedhjet në Himarë, deri në orën 17:00 në dy QV, 8 votues me kartë ID të skaduar s'u lejuan të votojnë

Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili informon se në qytet Himarë, në qendrat e votimit nr 4591/01  nga 899  me të drejtë vote kanë votuar 315. 4 votues kanë qenë me ID të skaduar dhe nuk janë lejuar të votojë.

Në QV 4592/00 kanë qenë 910 votues me të drejtë vote. Kanë votuar 341. Edhe këtu 4 votues kanë qenë me ID të skaduar dhe nuk janë lejuar të votojë.

Ora 17:24
Zgjedhjet në Himarë, Meta: Përjashtimi i 6157 qytetarëve nga e drejta e votimit, krim i shëmtuar elektoral i Ramës 

1721649045_ilirmeta.jpg

Kreu i PL Ilir Meta, e ka cilësuar mosvotimin në zgjedhjet e Himarës për qytetarët që i ka skaduar karta e ID, si një krim të shëmtuar elektoral të kryeministrit Edi Rama.

Me një postim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se u përjashtuan mbi 6 mijë qytetarë nga e drejta e votës.

“Përjashtimi i qëllimshëm antikushtetues i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit, me preteksin e skadimit të dokumentave të identifikimit është një krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës në funksion të grabitjes së zgjedhjeve.  Shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga bashki të tjera, ndryshimi i programuar i qendrave të votimit, ndarja preferenciale për qëllime elektorale të titujve të pronësisë, zbarkimi i të gjithë makinerisë së narkoshtetit në Himarë, me banditë, presione, shantazhe dhe para të pista janë akte mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe SPAK që mbron krimet e tij elektorale", shkruan ai.

Meta shkruan se aktet që synojnë që të shkatërrojnë zgjedhjet e lira duhet që të dënohen ashpër.  

"Duke dënuar me forcë aktet që synojnë të shkatërrojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Himarë, u bëj thirrje të gjithë himariotëve të vrapojnë në këto orë të mbetura drejt qendrave të votimit për të mbrojtur Himarën dhe ndëshkuar grabitësit e tokave të tyre", shkruan Meta. 

Ora 15:04
Pjesëmarrja në zgjedhjet e Himarës deri në orën 14:00 shkon në 28,28%, kanë votuar 6526 zgjedhës

Pavarësisht disa problematikave të shfaqura dhe deklaruara publikisht, po vijon normalisht procesi i zgjedhjeve të parakohshme në Himarë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sapo ka publikuar edhe tabelën e informacioneve për pjesëmarrjen në votime, deri në orën 14:00 të pasdites.

Vihet re trendi rritës dhe shkuarja tek përqindja e vitit të kaluar, 14 Maj 2023, por me numër më të lartë pjesëmarrjeje. KQZ njoftoi se deri në 14:00 kanë votuar 28,28% e zgjedhësve, në të 36 qendrat e votimit që kanë raportuar. Ose ndryshe, kanë votuar 6526 zgjedhës në total.

Krahasuar me vitin e kaluar në të njëjtën orë raportimi, ka një diferencë me mbi 2% pjesëmarrje për këtë vit.

Ora 14:44
Zgjedhjet e pjesshme, Dule ankohet: Nesër Himara zgjohet me 2 kryebashkiakë të zgjedhur! Tavo, 1 mijë vota në tavolinë

Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule në një prononcim për median e quajti të parregullt këto zgjedhje  

“Himara nesër do të zgjohet me dy kryebashkiakë të zgjedhur. Mandati i Fredi Belerit nuk është ndërprerë konform ligjit dhe vendim të formës së prerë. Është për tu gjykuar ankimimi në KAS dhe njëkohësisht i zotit Beleri që u depozituan sipas legjislacionti brenda 30 ditëve që parashikon ligji”

Dule e quajti proces aburd.

 

Vangjel Dule hodhi akuza të forta në lidhje me procesin zgjedhor në Himarë, ku sipas tij, kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo e nisi garën me të paktën 1 mijë vota diferencë.

Kandidati i Partisë Socialiste ka hyrë në këtë proces zgjedhor me plus 1 mijë vota krahasuar me kandidatin e opozitës.  Është vënë re prania intensive e qytetarëve me precedentë penal, që shfaqeshin në qendrat e votimit për të ushtruar presion tek zgjedhësit, në shoqërinë e kryetarit të bashkisë së Konispolit dhe atij të bashkisë së Vlorës.

Ora 13:40
Zgjedhjet e Himarës deri në orën 13:00, pjesëmarrja shkon në 25,35%, kanë votuar 4839 qytetarë

Ka shkuar në 25,35% pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme të Himarës. Kjo është shifra e publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për procesin e realizuar deri në orën 13:00.

E përkthyer në numër votash, kanë ushtruar të drejtën e votimit 4839 zgjedhës në Bashkinë Himarë, nga mbi 23 mijë të regjistruar. Këto informacione i referohen 28 nga 36 qendrat e votimit që ka kjo bashki.

Të dhënat e kësaj ore nuk kanë ndryshim të madh me një vit më parë (14 Maj 2023), ku diferenca qëndron pak më shumë se 1% dhe procesi mbetet në vijim, ku pritet pjesëmarrje edhe më e madhe.

Ora 13:03
Zgjedhjet në Himarë, në një QV persona të pa autorizuar mbanin shënim votuesit! Celibashi tregon se kur mbyllet numërimi

 Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi raporton dy incidente të ndodhura gjatë procesit të votimit sot në Himarë.

Në një QV persona të pautorizuar mbanin shënim emrat e votuesve. Pasi u raportua u ndërhy dhe personat u larguan.

Gjithashtu në Lukovë, në një QV nuk janë lejuar gazetarët të filmojnë. Për këtë rast Celibashi u shpreh shumë kritik ndaj komisionerëve duke I kujtuar se është e drejta e grupeve të xhirimit të filmojnë brenda në qendra votimi.

Kur mbyllet numërimi?

Janë ngritur 4 grupe numërimi. Shpresojmë që në orët e para të mëngjesit do të jetë procesi i përfunduar. Ngelet për tu parë. E rëndësishme të respektohet afati ligjor ora 22:00 e ditës tjetër. Nëse operohet më shpejt është e mirëpritur për të gjithë” tha Celibashi duke shtuar se ka komunikuar me partitë për të marrë masa me numëruesit në rastet kur është nevoja për ndërrimin e tyre, tha Celibashi që sot udhëtoi drejt Himarës për të monitoruar nga afër procesin e votimit. 

Ora 13:03
Zgjedhjet e pjesshme të Himarës, KQZ: Deri në orën 12:00 pjesëmarrja është rreth 22,68%, kanë votuar 5135 qytetarë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përditësoi rezultatet e pjesëmarrjes në votime për zgjedhjet e pjesshme të Himarës.

Njoftohet se pjesëmarrja deri në orën 12:00 është rritur me 4% brenda orës, e krahasuar me atë të 11:00 dhe me trend në vijim.

KQZ bën me dije se deri në mesditë kanë votuar 22.68%, ose 5135 votues, të raportuara këto prej 34 nga 36 qendra votimi në total.

E krahasuar me ato të 14 Majit 2023, vijon të ruhet trendi rritës në këto zgjedhje, me një diferencë prej 3%. KQZ ka njoftuar se në Himarë janë regjistruar mbi 23 mijë votues.

 

 

 

 

Ora 12:43
Zgjedhjet në Himarë, KQZ e pranon: 6 mijë votues me ID të skaduara! Janë nga Himara apo të ardhur nga Greqia? Ja si përgjigjet Celibashi

Kreu I KQZ-së në një deklaratë për median tha se procesi i votimit po shkon normalisht sa i takon cështjes së kartave të skaduara nuk është kompetencë e institucionit që ajo drejton.

Celibashi pranoi se janë 6 mijë zgjedhës me karta identetitet të skaduara por se kjo shifër ka qenë dhe vitin e kaluar.

“Është e vërtetë që janë 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme. Do të duhet të them që e njëjta shifër votuesish ka qenë dhe në zgjedhjet e kaluara. Përse për këto zgjedhje nuk u mor vendim nga qeveria për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit nuk mund ta them’

Këto janë qytetarë që jetojnë në Himarë apo janë ardhur nga Greqia?

“Nuk mund ta them. Pajisjet e identifikimit elektronik do na thonë më shumë” tha Celibashi.

Lexo e shume

 

 

Ora 12:07
Zgjedhjet e pjesshme të Himarës, deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime është rreth 4% më shumë nga 14 Maji 2023

Pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme të Himarës është më e lartë nga ajo e votimit më 14 Maj 2023, kur u zgjodh me 19 vota diferencë ish-kryebashkiaku i dënuar Fredi Beleri.

KQZ njofton se deri në orën 11:00 kanë votuar 18,08%, ose mbi 4171 zgjedhës, në krahasim me 14,6% të vitit të kaluar. Tabela dhe krahasimet e tregojnë trendin elektoral.

Duke krahasuar shifrat statistikore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në fasha orari përmbledhëse, dallohet qartë se kjo pjesëmarrje shkon në rreth 3-4 për qind diferencë.

Më konkretisht vetëm fasha e orarit të mëngjesit ka një shifër pothuajse të barabartë, pra e orës 08:00, teksa vitin e kaluar kishin votuar 2,18%, në krahasim me 2,8% ditën e sotme (4 gusht 2024).

Dhe diferenca thellohet në orën 09:00, me 7.09% ditën e sotme, në krahasim me 4,93% që ishte më 14 maj 2023.

Sipas raportimeve nga 34 qendrat e votimit deri në orën 10:00 të mëngjesit, ky numër votuesish ka shkuar në 12,44% pjesëmarrjeje, duke dalluar ndjeshëm nga viti i kaluar, me 9,74%.

Dhe publikimi i fundit zyrtar i shifrave vjen nga ai i orës 11:00, ku pjesëmarrja në votim ka shkuar në 18,08% në 36 qendra votimi të raportuara, teksa vitin e shkuar kjo shifër ishte në 14,6%, pothuajse më të njëjtin numër qendrash.

Sipas KQZ, deri në orën e mësipërme kishin votuar 4171 zgjedhës, nga mbi 23 mijë të regjistruar.

1722766337_pjesmarrjanevotime.png

 

Ora 12:02
Nëse s'fiton a do të pranojë ofertën e Vangjel Tavos? Gjikuria nxehet me gazetarët: Sikur keni ngrënë limona që në mëngjes

Nëse nuk do të fitoni, do të pranoni ofertën e Vangjel Tavos për t’u bërë nënkryetar i bashkisë, apo do të prisni biletën për të shkuar drejt SHBA.

Pas votimit Petro Gjikuria u nxeh me gazetarët të cilët e pyetën se cfarë do të bënte nëse nuk fitonte. 

"Kjo është një ditë feste, le ta festojmë të gjithë bashkë. Është dita e demokracisë. Unë do jem kryetari i ardhshëm i bashkisë Himarë. Se çfarë do të ndodhë nesër do ta dimë të hënën, të mos fillojmë me pyetje të tilla sikur keni ngrënë limona që në mëngjes. Unë do të jem kryetar i ardhshëm i Himarës”  u tha gazetarëve Gjikuria.

Ora 11:51
Zgjedhjet në Himarë/ Tedi Blushi i Metës sulmon SPAK: Po bëhet pjesë e operacionit mafioz të Ramës për të grabitur votat

Partia e Lirisë ka reaguar lidhur me mos lejimin e qytetarëve që u kishte skaduar karta të votojnë. 

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së në një reagim në facebook thotë se ndalimi është bërë me urdhër direkt të Edi Ramës. Blushi sulmon dhe SPAK. 

Mohimi i së drejtës kushtetuese të votimit për 6157 qytetarë të Himarës, me pretendimin e dokumentave të identifikimit të skaduara, është pjesë e operacionit mafioz të Edi Ramës për të tjetërsuar me dhunë shtetërore dhe manipuluar me çdo mënyrë vullnetin e himariotëve.

Në kundërshtim flagrant me praktikat e aplikuara në proceset e mëparshme zgjedhore, ku qytetarët me karta identiteti të skaduara janë lejuar të votojnë, me urdhër direkt të Edi Ramës kësaj here është penguar qëllimisht nxjerrja e akteve përkatëse ligjore për të garantuar të drejtën e votës për të gjithë zgjedhësit.

Zbarkimi i të gjithë makinerisë së narkoshtetit në Himarë, presionet dhe shantazhet e faktuara kriminale, përdorimi i parave të pista për blerjen e votave dhe transferimi i paligjshëm i gjendjes civile në Himarë të qindra qytetarëve nga bashki të tjera janë disa nga aktet kriminale të Edi Ramës në funksion të rrëmbimit të Himarës.

Më e rëndë është fakti se pjesë e këtij operacioni mafioz është bërë edhe SPAK që nuk ka bërë asnjë reagim për të ndaluar manipulimin e zgjedhjeve pavarësisht denoncimeve konkrete, përkundrazi i ka hapur rrugën Edi Ramës për të tjetërsuar dhe grabitur votat, siç rrëmbeu një vit më parë, dy ditë para zgjedhjeve, Kryetarin e zgjedhur Fredi Beleri.

Duke nxitur të gjitha institucionet ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet të reagojnë me forcë, u bëjmë thirrje të gjithë himariotëve patriotë të qëndrojnë trimërisht në mbrojtje të votës, të marrin pjesë masivisht në votime dhe të ndëshkojnë këtë bandë që kërkon t'u rrëmbejë shtëpitë, pronat, detin dhe dinjitetin. Himara është e himariotëve!, shkruan Blushi. 

 

 

Ora 11:16
Zgjedhjet për kryebashkiakun, Fredi Beleri mesazh në greqisht nga burgu: Vëllezërit e mi minoritarë po bëjnë sot betejën përfundimtare

Nga burgu Fredi Beleri ka përcjellë një mesazh në ditën e zgjedhjeve të pjesshme që po mbahen në Himarë. Në gjuhën greke ish-kryebashkiaku i arrestuar i Himarës thotë se minoriteti po bën betejën përfundimtare.

Ai shkruan greqisht dhe flet me bindje për minoritet etnik grek. 

Zemra ime sot është në Himarë, shkruan Beleri në një postim të tij në gjuhën greke.

Zemra ime sot është në Himarë. Ku sot pjesëtarët e minoritetit etnik grek po luftojnë luftën përfundimtare për Demokracinë dhe të drejtat e tyre. Nga qelia e burgut shqiptar ku po qëndroj prej 425 ditësh, mendimet e mia gjithë ditën do të jenë me vëllezërit e mi dhe të gjithë ata që kuptojnë se shteti ligjor dhe demokracia janë të panegociueshme. Me të gjithë ata që më kanë shprehur simpatinë dhe më kanë qëndruar pranë kësaj kalvari. Me të gjithë ata që nuk u përkulën përballë metodave të puçit dhe logjikës parademokratike dhe sot do ta vërtetojnë edhe një herë.

Suksese nga zemra Petros Gikouria. Jam i sigurt që duart e tij do ta udhëheqin të sigurt Bashkinë tonë ditën e nesërme.

Fredi Beleri u arrestua në flagrancë më 12 maj të 2023, në Himarë, me urdhër të Prokurorisë së Vlorës me akuzën e 'korrupsionit aktiv në zgjedhjet', për blerjen e 8 votave, një votë 5 mijë lekë, gjithsesj 40 mijë lekë. Me vendim të konfirmuar nga Apeli i GJKKO-së, Fredi Beleri është dënuar me dy vite burg.

Fakti i pakundërshtueshëm është se Himara është dhe do të mbetet shqiptare.

Ora 11:06
'Këtu i ligjet i bëjnë si të duan vetë', Gjikuria pas votimit: Pavarësisht kartave ID të skaduara, do të fitojmë

Kandidati i opozitës për kryebashkiak të Himarës Petro Gjikuria, i cili votoi në Dhërmi tha se trajtimi i qytetarëve në Himarë ka qenë i diferencuar lidhur me kartat e skaduara.

Në një deklaratë për mediat pas votimit, Gjikuria tha se një vit më parë qytetarët me karta ID të skaduara u lanë të votojnë.

“Vitin e kaluar u lejuan me karta të skaduara, kurse këtë herë nuk u lanë të votonin. Ky është një problem se edhe trajtimi i qytetarëve ishte i diferencuar; socialistësve u jepnin karta brenda 24 orëve kurse të anës tjetër u thoshin për dy javë. Kjo nuk është punë fushate. Ne një javë fushatë na lanë. 10 ditë kam bredhur fshat më fshat, kemi folur me qytetarët, nuk ishte problemi i kartave. Kartat e skaduara vitin e kaluar i lanë. Këtu i bëjnë ligjet si të duan vetë. Ata llogarisin numrat dhe nxjerrin ligjet si të duan”.

Po pavarësisht kësaj, Gjikura thekson se kjo nuk do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.  

“Nuk mendoj që do të ndikojë në rezultat. Do të jetë një rezultat i mirë. Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ do fitojë këtë herë. Do të fitojë demokracia”.

Ora 10:42
Zgjedhjet në Himarë/ S'lejohet votimi me karta të skaduara, reagon KQZ: S'jemi  ne organi kompetent për shtyrjen e afateve

 

1722760645_votues.png

Komisioni Qendror Zgjedhor reagon lidhur me faktin që shumë qytetarë që janë paraqitur në qendrat e votimit me karta të skaduara nuk janë lejuar të votojnë.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sjell në vëmendje se nuk është organi kompetent për shtyrjen e afateve të vlefshmërisë të dokumenteve të identifikimit.

Për zgjedhësit mbi 75 vjeç vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit është pa afat. Kështu përcaktohet në ligjit nr. 89/2020, datë 09/07/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, i ndryshuar”

 

 

Ora 10:36
Zgjedhjet në Himarë/ Voton Vangjel Tavo, fton himariotët të votojnë alternativën më të mirë! ID e skaduara? Kandidati i PS-së: Askush s'mund të dalë mbi ligjin

Kandidati i Partisë Socialiste për Himarën, Vangjel Tavo votoi në qendrën e votimit në Palas

Përpara se të hyjë në QV, Tavo është përshëndetur në greqisht dhe shqip me banorët.

Pasi votoi ftoi qytetarët të votojnë projektin dhe alternativën më të mirë për Himarën dhe himariotët.

Kur u pyet për problematikën e votuesve me karta identiteti të skaduara, Tavo tha: Nuk është çështja ime por mbi ligjin nuk mund të dalë asnjë njeri.

Ora 10:17
Zgjedhjet në Himarë, burime për Report Tv: Deri në orën 10:00, s'janë lejuar të votojnë 200 qytetarë, shkak ID e skaduar

Burime nga KZAZ e Himarës bënë me dije për Report Tv se deri në orën 10:00 në qendrat e votimit janë paraqitur 200 qytetarë me karta identiteti të skaduara. Ata nuk janë lejuar të votojnë pasi nuk i lejon ligji.

Ndërkohë Omonia në një reagim të saj thotë se nëse do të vijohet kjo procedurë atëherë në total, nga 23074 zgjedhës të regjistruar, 6157 janë apriori të privuar nga e drejta e zgjedhjes me vendim dhe përgjegjësi të Qeverisë Rama.

 

Ora 10:10
Zgjedhjet në Himarë, s’lejohen votuesit me ID të skaduar, Omonia akuza Ramës: Mbi 6 mijë zgjedhës privohen nga vota

1722759200_palasvotimet.png

Votimi ne Palase, 4 gusht 2024

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë kanë sjellë edhe reagimet e para të kampeve politike apo mbështetësve të kandidatëve nga terreni zgjedhor, teksa në 36 qendra po mbahet procesi i votimit për kryebashkiak.

Debati më i fundit vjen për shkak të votuesve që pretendojnë se nuk po ushtrojnë dot të drejtën kushtetuese për shkak të kartave të identitetit të skaduara.

Për këtë, ka reaguar edhe Dega e Omonias Himarë, që bën përgjegjëse qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke anashkaluar aktet përkatëse ligjore si në precedentët e kaluar.

“Që me nisjen e procesit zgjedhor në Bashkinë Himarë, me insistimin e komisionerëve të Partisë Socialiste, dhjetëra zgjedhësve u refuzohet e drejta e votimit, me pretendimin e dokumenteve të identifikimit të skaduara. Në kundërshtim me praktikat e aplikuara në proceset e mëparshme zgjedhore, Kryeministri Rama refuzoi të nxjerrë aktet përkatëse ligjore, që do të garantonin të drejtën e votës për të gjithë zgjedhësit”, thuhet në reagim.

Dhe më tej specifikohet problematika e krijuar dhe procedurat, duke hedhur dyshime edhe tek kompania e prodhimit të kartave të identitetit dhe përzgjedhje selektive apo vënie në shërbim të Partisë Socialiste.

“Kompania shtetërore e prodhimit të kartave të identitetit, ishte vënë gjatë ditëve të fundit në shërbim të Partisë Socialiste, duke u shërbyer qytetarëve në mënyre selektive. Antarëve të PS u rinovoheshin dokumentet në mënyrë të organizuar brenda 24 orëve, ndërsa qytetarëve të tjerë u kërkohej të paraqiteshin pas 15 ditësh”.

Gjithashtu ka edhe pretendime për një shifër shumë të lartë të përjashtuarish nga votimi në Himarë.

“Në total, nga 23074 zgjedhës të regjistruar, 6157 janë apriori të privuar nga e drejta e zgjedhjes me vendim dhe përgjegjësi të Qeverisë Rama”, përfundon reagimi i Omonias.

Ora 09:43
Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, Celibashi: Procesi vijon normalisht në të 36 qendrat e votimit, asnjë problematikë

1720692666_kqzcelibashi.jpg

Zgjedhjet e pjesshme të Himarës janë në proces dhe gjatë dy orëve të para nuk është regjistruar asnjë incident i dukshëm. Edhe procesi teknik duket se po kalon pa shqetësime dhe këtë e konfirmon kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.

Ai thekson se nuk ka pasur asnjë problematikë dhe procesi do mbyllet sipas orës së parashikuar, 19:00 dhe po vijon procesi i votimit në të 36 qendrat e Bashkisë Himarë.

“Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika.

Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika. Të 36 qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët e Himarës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës”, shkruan Celibashki në profilin e tij zyrtar, të rrjetit social Facebook.

Pas humbjes së mandatit nga Fredi Beleri, për bashkinë po garojnë biznesmeni Petro Gjikuria nën siglën e opozitës dhe ish-prefekti Vangjel Tavo nga mazhoranca.

Ora 09:40
Zgjedhjet në Himarë/ 1200 qytetarë votuan deri në orën 09:00! Ja parashikimi i Zaloshnjes për pjesëmarrjen

Prej orës 7 të mëngjesit ka nisur procesi zgjedhor për kryetarin e Bashkisë Himarë. Deri në orën 09:00 KQZ raporton se kanë votuar 1174 votues.
Sipas modelit statistikor te anketuesit te Report TV Zaloshnja, sot priten te votojne 7500 deri 8000 zgjedhes ne Himarë.

 Më 14 majin e vitit 2023 në Himarë votuan 7821 persona, ose 34.27%, me Fredi Belerin që 3840 vota, vetëm 19 vota më shumë se rivali socialist Goro që mori Goro 3821 vota.

Ndërkohë të drejtën e votës për zgjedhjet e 4 gushtit e kanë 23 mijë qytetarë.

Ora 09:19
Zgjedhjet në Himarë/ Fluks dhe në Kapshticë të Korçës, por jo të organizuar

24 orëshi i fundit ka sjell një fluks të lartë të hyrjeve dhe daljeve në doganën e Kapshticës. Sipas burimeve rreth 8800 shtetas kanë kaluar në datën 3 Gusht pranë kësaj pike të kalimit kufitar.

Mësohet se numri më i lartë i shtetasve të cilët kanë kaluar nëpërmjet kësaj dogane ka qenë në hyrje të vendit me konkretisht 5214 persona.

Duhet theksuar që autoritetet doganore në disa raste kanë punuar dhe me procedure te përshpejtuar cka nënkupton se numri i kalimtarëve mund te jete edhe më i lartë. 

Sipas burimeve nuk përjashtohet që kjo rritje e hyrjevë drejt shqipërisë lidhet edhe me zgjedhjet vendore të pjesshme në Himarë ku qytetarë me dokumenta greke dhe shqiptare shkojnë për te votuar.

Sipas të dhënave zyrtare nga drejtoria e kufirit dhe emigracionit në doganën e Kapshticës brenda 5 ditësh kanë qarkulluar më tepër se 35 mijë shtetas.

Ora 09:14
VIDEOLAJM/ Zgjedhjet në Himarë, djali i Fredi Belerit pranë një QV si vëzhgues

Edhe djali i Fredi Belerit, Petro, ka qenë vëzhgues në një nga qendrat e votimit në Himarë.

Report Tv sjell pamjet.

Ndërkohë babai i tij ndodhet në burgun e Fierit ku po vuan dënimin me 2 vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. Pasi të mbarojë dënimin do të ulet në karrigen e deputetit të Parlamentit Europian pasi u zgjodh me 237 mijë votat e qytetarëve greke në zgjedhjet e 10 qershorit, si përfaqësues i Partisë Demokracia e Re.

 

Ora 08:41
Himarë fshat, 100 votues me kartë identiteti të skaduar kthehen mbrapsht! Qytetarja: S'mund të më hiqet e drejta e votës! Bollano: S'e lejon ligji

Në Himarë fshat u pezullua votimi për disa minuta pasi u paraqitën votues të cilët janë me kartë identiteti të skaduar. Mësohet se 100 persona janë paraqitur deri në orën 09:00 në qendrat e votimit me karta të skaduara.

Një qytetare e cila nuk flet mirë shqip, për mikrofonin e Report Tv pranon se ka humbur kartën e identitetit por se kjo nuk duhet ta ndalojë ti heqë të drejtën e votës.

“Më kishte skaduar karta. E drejta e votës nuk humbet kur skadon karta. Kudo në botë mund të humbas kartën sot, do të shkoj në polici do më japë një letër e do votoj. Këtu thotë nuk mund të votoj. Unë pyes humb e drejta e votës se më ka skaduar karta”, thotë votuesja e cila shqipen e flet me theks greqisht, madje në një moment kërkon dhe ndihmën e personi aty afër për ta ndihmuar për të gjetur fjalën e saktë në shqip.

“Ka shumë persona që janë me karta të skaduara dhe insistojnë që të votojnë me kartë, por ligji nuk e lejon. Për momentin është pezulluar votimi. Do vinë këta të KQZ, ligji e thotë qartë nuk lejohet të votohet me karta të skaduara dhe pasaporta nuk duhet të jetë e skaduar”, ka thënë Arqile Bollano i PS-se,  kryetari i qendrës së votimit Kuç për Report Tv.

Pas disa minutave pezullim procesi ka rinisur normalisht por ata që kanë qenë me karta identiteti të skaduara nuk janë lejuar. 

Procesi  i votimit vijon normalisht në të gjitha QV. Edhe në ato 9 QV që u raportua më parë se nuk kishte nisur vijon normalisht. 

Ora 08:07
Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot

Në dy qendra votimi në fshatin Kuç në Himarë nuk ka nisur ende votimi (ora 08:12)

Report Tv mëson se shkak bë fakti se nuk ishin bërë gati kutitë e pajisjeve Pei, që bëjnë identifimin elektronik.

Pritet që procesi i votimit të nisë për 30 minuta. Ndërkohë në QV 4590/01 u bë afishimi i listave sot në orën 08:00 

 

Ora 07:45
Himara sot në zgjedhje/ 4 autobusë me votues kanë hyrë brenda 2 ditësh në Qafë Botë nga Greqia! Burimet për Report Tv: U organizuan nga stafi i kandidatit Gjikurias

Mëngjesin e sotëm nga Qafë Bota përveç 3 autobusëve të linjave të rregullta Athinë - Sarandë, kanë hyrë edhe 2 autobusë që sillnin persona për të votuar në Himarë. Sipas burimeve të 2 autobusët kishin persona që vinin të organizuar nga stafi i kandidatit Gjikuria, bën të ditur gazetari i Report Tv, Limos Didani.

Edhe mëngjesin e djeshëm nga Qafë Bota kanë hyrë 2 autobusë të tjerë. Ndërkohë nga burime të stafit të Gjikurisë mësohet se përgjatë javës kanë mbërritur me automjete të tyre edhe qindra votues të tjerë, të cilët kanë planfikuar pushimet e tyre përgjatë këtyre ditëve.

Gjikuria, kandidon nën siglën e “Bashkë Fitojmë” të 10 partive opozitare, me në krye PD dhe PL, i propozuar dhe i mbështetur nga Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe të organizata minoritare OMONIA.
 

Ora 07:27
Zgjedhjet në Himarë, Në 9 QV ende nuk ka nisur votimi

Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku informon se deri në orën 07:20 minuta nuk ishte hapur procesi I votimit në 9 QV. Pra në KQZ nuk është raportuar për hapjen e procesit në këto QV.

Ora 07:14
VIDEOLAJM/ Himara zgjedh sot kryetarin, votuesit e parë shkojnë në qendrat e votimit

Tashmë zgjedhjet në Himarë kanë nisur. Në orën 07:00 në qendrën e votimit 4588/01 kanë shkuar votuesit e parë. Report Tv dhe shqiptarja.com sjell pamjet.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?