‘Gudia’ kulturore/ Nesër mbrëmje kushtuar Halloween te Qendra ‘Agimi’ dhe kinema ‘Maks Velo’! ‘Nata e Dymbëdhjetë’ te ‘Metropol’

30 Tetor, 09:26| Përditesimi: 30 Tetor, 14:58

  • Share

“Nata e dymbëdhjetë” është shfaqja që do të vijë prej 31 tetorit në orën 19:00 në Teatrin “Metropol” në Tiranë. Vepra e William Shakespeare vjen nën regjinë Justin Anderson në 1, 2, 3, 7, 8, 9 dhe 10 nëntor.

Një mbrëmje kushtuar Halloween do të jetë ajo e 31 tetorit në Qendrën e Artit “Agimi”. “Vejusha e zezë nata e Halloween” pret të gjithë qytetarët  nga ora 20:00-23:00, që kanë dëshirë të vijnë të veshur me kostumin e tyre të preferuar dhe të shijojnë ritmet e viteve 80’-90’ për një udhëtim “të frikshëm” në Tiranë.

Muaji i filmit të restauruar në COD vijon në 31 tetor në orën 18:00 me shfaqjen e  “Gjeneral Gramafoni”. Ky film vjen në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, si pjesë e një cikli prej katër filmash shqiptarë të restauruar, që po shfaqen për publikun.

Të enjten, më 31 tetor në orën 18:00, në Kinemanë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave do të shfaqet për herë të parë në formë të digjitalizuar 4K filmi “I teti në bronz”. Ky realizim i regjisorit Viktor Gjika në vitin 1970, ekranizohet falë bashkëpunimit mes DPA-së dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).

Java Kulturore Austriake vijon me shfaqjen e filmave “Money” dhe “Alma dhe Oskari”. Filmi “Money” shfaqet më 30 tetor në orën 18:00 në Galerinë “Zeta” në Tiranë, ndërsa filmi “Alma dhe Oskari” më 31 tetor 2024, ora 18:00, te Kinema “Republika” në Shkodër.

“Festa e Halloween”-it do të vijë në orën 18:00 në 31 tetor në një aktivitet te Kinema “Maks Velo” në Laprakë. Fëmije dhe prindër mund të bëhen pjesë e një nate festive filmash dhe ëmbëlsirash!

“Nga ideja në biznes: si ta komunikojmë një vepër arti?” është takimi që do të mbahet në 31 tetor në orën 15:00 në Qendrën Rinore “Arka” në Shkodër. Aktiviteti mbyll ciklin e bisedave mbi industritë krijuese, mbështetur nga Artnexus Program.

“Antikultura e ’68 në Shqipëri” është libri me autor Albert Nikollën, që prezantohet në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në 31 tetor në orën 10:00 në kuadër të Tetorit të Librit. Libri është një qëmtim në ngjarjet e 1968-ës, të asaj se çfarë ndodhi në SHBA dhe Europë, për t’u reflektuar në disa elementë të përditshmërisë së shqiptarëve.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?