Grupi i PD, në takimin me kreun e Komisionit të Jashtëm në PE, David McAllister

Grupi i PD takohet në PE me McAllister: E informuam për burgosjen e lidershipit të opozitës nga qeveria dhe gjendjen shqetësuese! Garanci për zgjedhje të lira

23 Tetor, 15:00| Përditesimi: 23 Tetor, 15:05

  • Share

Grupi i PD, në takimin me kreun e Komisionit të Jashtëm në PE, David McAllister

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ndodhet për një protestë në Strasburg, ku gjithashtu ka marrë takim edhe me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister.

Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, ishin të pranishëm në këtë takim, teksa i kanë shprehur zyrtarit të lartë të Parlamentit Europian, të gjitha shqetësimet mbi situatën politike në Shqipëri.

Lajmi është bërë i ditur nga një njoftim për shtyp i Grupit Parlamentar, ku ndër të tjerat shkruhet se zyrtari i lartë europian i ka uruar mirësëardhjen në familjen e EPP.

Edhe kreu i grupit të PD, gazment Bardhi, reagoi me një postim në rrjetin social, Facebook, ku dha detaje për informimin ndaj përfaqësuesit të lartë të KE.

Më poshtë reagimi i plotë:

“David McAllister, Kryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, është një mik i Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane. Një zë i fuqishëm jo vetëm në Parlamentin Europian, por edhe në Partinë Popullore Europiane (EPP).

“Welcome back to your family” ishte mesazhi i mirëseardhjes së tij për përfaqësuesit e grupit parlamentar të PD, duke iu referuar ripranimit të PD-së me të drejta të plota në EPP.

Garancitë për zgjedhje të lira, barazia e palëve në zgjedhje, shteti ligjor dhe balanca mes pushteteve, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, shkëputja e menjëhershme e lidhjeve mes qeverisjes dhe krimit të organizuar, respektimi i Kushtetutës dhe hapësirës së opozitës, janë sfidat që Shqipëria ka përpara dhe që vënë në rrezik serioz demokracinë në vend.

Informimi me fakte e prova për situatën e rëndë që po kalon Shqipëria, do të ndihmojë në daljen nga rruga e errët e autoritarizmit ku e ka futur Edi Rama vendin.

Ndërhyrja e krimit të organizuar në caktimin e kandidatëve për deputetë të partisë në pushtet, përdorimi i krimit të organizuar e parave të pista të korrupsionit në zgjedhje, sulmet e vazhdueshme ndaj opozitës nga ana e mazhorancës qeverisëse përmes burgosjes politike të lidershipit të opozitës, apo injorimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur zyrtarët e korruptuar të Qeverisë, nuk kanë asnjë lidhje me parimet dhe vlerat që duhet të udhëheqin një vend anëtar të NATO-s apo vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Përpjekjet e opozitës për të garantuar shtetin ligjor dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri, janë rruga e vetme që e afron Shqipërinë në familjen europiane, mbështetja për të cilën nga Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet e përhershme dhe e pa kursyer”.


Lajmi kryesor:

‘Free Berisha’, PD protestë në Parlamentin Europian, 'harron' Metën: Opozita e burgosur, qeveri teknike! Dogjani për Report Tv: BE t’i kërkojë llogari Ramës


A.Q/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?