'Grupi i djemve nga familjet' Ndreu, Dine, Gjonmarku, Kaloshi dhe Nasufi, ikën nga internimi dhe te kloni në kufi…'/ Historia tragjike e të internuarve

9 Mars 2022, 08:27| Përditesimi: 9 Mars 2022, 08:30

  • Share

Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’, i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili është fryt i një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur të disa prej grave dhe vajzave shqiptare që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj,

Përveç sa mësipërm, autorja Fatbardha Mulleti Saraçi, në librin e saj, ka përshkruar edhe disa nga historitë tragjike të disa familjeve të njohura, kryesisht të Shqipërisë së Veriut, (por edhe nga Shqipëria e Mesme dhe ajo e Jugut) siç ishin; Gjonmarkajt e Oroshit të Mirditës, Dine, Dema, Kaloshi, Ndreu, të Dibrës, Pervizët nga Skuraj i Kurbinit, Miraka të Pukës, Kola të Matit, Bushati, Pipa, Dërguti, Serreqi, Naraçi, Saraçi, Marashi, Gurakuqi, Çoba, Malaj, Vata, Deda, Vuksani, Kaçaj, Luli, Sokoli, Mushani, etj., të Shkodrës e Malsisë së Madhe, Kupi, Merlika, të Krujës, Kërçiku, Mulleti të Tiranës, Staravecka e Skraparit, etj., të cilat u persekutuan dhe u masakruan në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pjesë nga të cilat do publikohen në vijim të këtij cikli shkrimesh nga Memorie.al.

                                                      Vijon nga numri i kaluar

Sulltana Dine

(Me fëmijët Fatmira e Dine)
Bashkëshorti i znj. Sulltanë, ishte Esat Dine, oficer karriere në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, në vitin 1945, i internuan familjarisht, në vende të largëta dhe në punët më të vështira. Torturat dhe përndjekjet arritën deri aty sa z. Esat, vendosi të pranonte të kalonte kufirin shtetëror, që ishte një hap drejt lirisë, por edhe drejt vdekjes.

Një grup të internuarish, në mes tyre Esat e Xhelal Dine, Abdullah Kaloshi, Jonuz e Tafil Ndreu, Nikollë Gjonmarku, Muhamet Nasufi etj., në një natë me furtunë u arratisën nga kampi i internimit. Lëviznin në një zonë që s’e njihnin, ecnin drejt malit të Mokrës, në drejtim të liqenit…! Në luftë me urinë, me të ftohtin, u zbuluan nga forcat e Sigurimit të Shtetit, disa u dorëzuan, të tjerë arritën të kalonin, si Xhelal Dine e Nikollë Gjonmarkaj, ndërsa shumë prej tyre pranuan më mirë vdekjen, se me ra gjallë në duart e sigurimsave, të komunistëve shqiptarë. U hodhën në greminë të thellë dhe atje në thellësi arritën breshnia e plumbave të Sigurimit. Në këtë humnerë argjilore, n’atë natë të acartë të dimrit në vitin 1949, mbeti i vrarë Esat Dine. Mbeti varrhumbur. U vra bashkëshorti i Sulltanës së re, mbetën jetime vogëlushja Fatmira dhe Dine, një vjeçar i internuar, nusja e re e lidhi jetën me fëmijët, ishte në pranverën e moshës së gruas.

Në familjen e re të Agim Dines, ku ishte martuar motra ime, Vera, të cilët jetonin në Tiranë, shtëpia e tyre ishte një vatër e ngrohtë mikpritjeje për familjet tona. Këtu u njoha për herë të parë me zonjën e nderuar Sulltanë. Ishte viti 1960. Ajo kishte ardhur me leje kalimi (që merrej në Degën e Punëve të Brendshme të Lushnjes), për një kontroll mjekësor. E kam parasysh, një femër, me një fytyrë vezake, brun, me flokë të gjata, të zeza, sytë e saj të errët, të mëdhenj, plot gjallëri, që ishin sy të thellë, të qëndrueshëm, që tregonin mendime të shumta. E gjithë qenia e saj lëshonte mirësi, që buronte nga shpirti dhe zemra e saj e vuajtur. Tregimet e saj në dialektin dibran, për jetën e tyre, plot vuajtje, në internim, si për Beratin, Porto-Palermon, Tepelenën e tmerrshme, për kampet në fushat e Myzeqesë, me vërtetësi tregonte peripecitë e të afërmve tanë, që na vuanin atje, nëpër kampet e internimit.

Gjatë tregimit, ne dëgjonim në heshtje, me sy të lotuar, me fytin të bllokuar, nuk ishim në gjendje të thonim ndonjë fjalë…! Por tek ne, kishte mbetur e pashterur vetëm shpresa, se e ardhmja do të ishte më e mirë, se dikur diktatura do të mbaronte dhe liria do të vinte! Gruaja Sulltanë e lidhi jetën me fëmijët e saj (me vajzën e të birin) që i mbetën jetimë, s’u nda asnjë çast nga familja Dine, qëndroi me ta, kaloi me ta kalvarin e internimeve. Të bashkuar e përballuan komunizmin, arritën të mbijetonin, kështu u rritën Fatmira e vogël katër vjeçare dhe Dineja një vjeçar. Kur u njoha me Dinen, në Tiranë, ai ishte një djalë 16 vjeçar, me shtat të lartë, i hajthëm, lëshonte rreze drite, plot bukuri, trashëgimi e të parëve të tij.

Fytyra e tij e trëndafiltë, shndriste dhe sytë e tij të shkruar, plot xixa- xixa, si qelqe të thyera, me ngjyra të kaltra, të gjelbra në të artë, ishin plot gjallëri, plot optimizëm, me shumë dëshirë për të studiuar dhe në veçanti pasionin që kishte për letërsinë, lexonte shumë dhe studionte. E  kishte  rritur  nëna  Sulltanë  me  shumë  dashuri  e  përkujdesje. Dashurinë e pakufi që i’a dhuruan të riut Dine, tregohej në paraqitjen madhështore të tij…!

I riu Dine vazhdonte gjimnazin në qytetin e Lushnjes dhe në këtë shkollë të mesme, vinin dhe nxënës nga sektorët e internimit, që ishin rritur e kishin provuar në veçanti kampet e Porto-Palermos të Tepelenës dhe tani ato të Lushnjes. Udhëtonin kilometra rrugë, për të shkuar drejt dijes, ishin të etur për kulturë.

Edhe pse ishin të internuar thurnin ëndrra, dëshironin të vazhdonin studimet e larta, por kjo ishte e pamundur në Shqipërinë socialiste, se këta ishin fëmijët që diktatura nuk i lejonte të vazhdonin Universitetin.

Në shkollë ishin të veçantë, se ishin të shkëlqyer, në sjellje e në mësime, por nuk ishin të barabartë me nxënësit e klasës, ata kishin mbi kurriz diskriminimin klasor, racizmin komunist, nuk figurojnë në asnjë fotografi të klasës, nga shkolla e mesme, nuk kanë asnjë kujtim në mes shokësh apo shoqesh të gjimnazit. I hidhur ky fakt, si jeta e tyre në përgjithësi.

Këta gjimnazistë provuan kalvarin e tyre mbas mbarimit të studimeve. Jetët e tyre u gjymtuan nga diktatura, nga internimet e stërgjata, nga burgjet e pamerituara, nga mohimi i të drejtave njerëzore. Në gjimnaz të internuarit shkëlqenin si: Gjon Markagjoni, Ahmet Kolgjini, Dine Dine, Naimi,  Fatmiri,  Evgjeni, etj. Ahmet  Kolgjini  tentoi  të  kapërcente,  murin rrethues të Republikës Socialiste të Shqipërisë, e dënuan njëzet (20) vjet burg,. edhe të tjerët po ashtu.

Dineja i ri u dënua me burg, me akuza fallso, provoi hetuesi e tortura, e dënuan me shumë vite burg. Burg bënë Dineja, Naimi, Fatmiri, Eqeremi, Evgjeni, kontigjente të punës së papaguar, skllevërit e rinj të Shqipërisë Socialiste, provuan minierat e piritit në Spaç, ku temperatura arrinte në galeritë 50˚C mbi zero, kur jashtë shënonte -15˚C. U vranë ëndrrat e djemve të rinj, humbën rininë. Djali i çmuar i nënë Sulltanës, po kalonte në të gjitha shtigjet e vuajtjes, provoi dhe humbjen e djalit të vogël, Gentit. Jeta e djalit të nënë Sulltanës, do të ishte me të papritura. Siç u vranë ëndrrat e djalit të ri, u plagos rëndë dhe zemra e saj, tashmë e moshuar punonte, qepte dhe e ndoqi të birin, në të gjitha shtegtimet e vuajtjeve. Ecte nëna e ngarkuar me trastat me ushqime në kurriz, e shihte me mall të birin pas hekurave, harronte vitet, lodhjen, dëgjonte zërin e djalit, që ishte gjëja më e çmuar, shpresa dhe e ardhmja e saj.

Vitet bënë të veten, arriti dhe nënë Sulltana në dimrin e jetës së saj, pleqëria, sëmundjet, vuajtjet e nëna e çmuar pushoi së lodhuri, i pushuan mundimet, i mbaruan vuajtjet, e mbylli jetën nën sistemin diktatorial të Enver Hoxhës, që për nënën Sulltanë ishte shëmbëlltyra e skllavërisë shqiptare. Djali i saj kishte formuar familje me vajzën e z. Lazër Radi, vazhdon pavdekësia e nënës së mrekullueshme Sulltanë Dine.

E varrosën në tokën e Myzeqesë, në ferrishtat e Ngurrëzës, ku ishin varrosur edhe nënë Rukija, nënë Meleqeja, Fuat Begu dhe nipi i saj i vogël Genti, të gjithë vdiqën të internuar. U mbyll një jetë plot vuajtje, por vazhdon përjetësia, kujtesa për jetët që i mbijetuan të keqes d.m.th., fitoi jeta. Mbeti shembulli i gruas me moral të lartë, dinjitoze, plot virtyte, e tillë ka mbetur në kujtesën time, në kujtesën tonë, në pavdekësinë e veprës së mirë. Sapo filloi era e lirisë, i pari që u largua nga atdheu ishte djali i nënës Sulltanë, ku në Amerikë u prit më i vogli i familjes, që ishte rritur internimeve dhe provoi burgjet. E pritën krahëhapur xhaxhallarët dhe më pas shtegtuan të gjithë Dinellarët. Ikën e ikën, jo për shtegtim, se ikin lejlekët dhe shtegtarët fluturojnë lart e lart, por në një stinë të caktuar, kthehen ndërsa ata, Dinejt ikën, u larguan përgjithmonë, por këtu në Shqipëri u mbetën varret e të parëve që vdiqën internimeve, se ata që u pushkatuan mbetën varrhumbur, humbën pronat.

Mbetën në kujtesën tonë vuajtjet dhe dhimbjet e tyre, që na tregojnë se ç’është një sistem djallëzor, siç është komunizmi, në veçanti komunizmi shqiptar i pashpirt, që me luftën e klasës shkatërroi familje të tëra, me racizmin komunist shkaktoi shumë viktima, shpartalloi një popull të tërë, mëkoi gënjeshtrën, ushqeu grabitjen, i mësoi njerëzit të përvetësonin pronën e tjetrit, vetëm e vetëm se ishte pronë e “të deklasuarit”, “të armiqve”, i bëri hajdutë. Shqiptarët e mirë që ishin mësuar të çmonin pronën dhe ishin të ndershëm, për të tillë na njihte bota, për të besës, për të ndershëm. Atje në Amerikë Dinellarët punojnë, studiojnë, shumë prej tyre janë diplomuar. Viti 2004, nga Amerika erdhi një djalë i ri në Shkodër, e mori me vete një vajzë të bukur dhe të mençur, nga qyteti i Rozafës e i Lule-Borës, për të krijuar familjen e re shqiptare, në botën e re. Morën në tokën e re një mal me vuajtje, shkuan…!

Familja Agim e Vera Dine
Motra ime, Vera Haki Mulleti, u martua me Z. Agim Dine, djali i Hasan Dines, që kishte qenë financier, por që me 17 nëntor 1944 u muar me përdhunë nga shtëpia, nga komunistët shqiptarë të cilët e pushkatuan pa gjyq, me shumë intelektualë të tjerë, masakra e Tiranës, mbeti varrhumbur. Fëmijët Agim e Bukurie, mbetën jetimë edhe nga babai, se e ëma u kishte vdekur dhe i biri i saj mbeti jetim që gjashtë muajsh. U rritën dhe u edukuan në familjen e dajës, klerik mysliman, me universitetin të mbaruar në Stamboll, Z. Myrteza Alimehmeti. I vetmi pinjoll i familjes Dine që s’u internua qe Agimi, sepse ishte nën kujdestarinë e dajës së tij, por djalit të ri s’iu nda asnjë çast lufta e klasës, keqtrajtimet…!

Familja e re Agim dhe Vera në fillimet e vitit 1960, ishin një çift që rridhnin nga shtresa e të persekutuarve politikë, jeta e tyre do të vazhdonte me shumë vuajtje, duke përballuar tallazet e jetës në Shqipërinë socialiste. Motra  ime  Vera,  e  datëlindjes  26.07.1935,  ishte  në  moshën  nëntë vjeçare kur u vendos sistemi i diktaturës, që nga kjo moshë kaloi në të gjitha shtigjet e dhimbjeve, me familjen e saj. Ajo përjetoi burgun e babait, gjyqin që iu bë, dënimin, shkonte çdo ditë për t’i dërguar ushqimin ditor, provoi dhimbjen e arrestimit të mamasë, Përtefes, nuk menduan sigurimsat se gruaja e re kishte foshnjën gjashtë muajsh, e lanë fëmijën pa qumështin e gjirit, përjetoi marrjen e sendeve jetike të familjes, nxjerrjen jashtë nga familja prindërore, mbetja pa të ardhura jetike, dëbimin dhe largimin nga qyteti i lindjes – Tirana, në drejtim të Kavajës.

Përjetoi  ndarjen  nga  xhaxhallarët,  që  u  larguan  jashtë  atdheut, internimin e kushëririt, Reshitit 15 vjeçar, që ishin rritur bashkë, vuajtje të pafund dhe nga poshtërimi që i bëhej familjes sonë me anë të komedisë “Prefekti”, fejtoneve, me emra realë, vazhdonte përbaltja komuniste. Vajza e re, Vera rritej e shëndetshme, e bukur, bardhoshe, sytë e bukur ngjyrë kafe shndërrisnin plot shkëlqim, me flokët e gjata, gërsheta, që ishin në ngjyrën e kashtës së grurit, që nën rrezet e diellit vezullonin në të artë, ishte shumë punëtore. Punoi dorë për dorë me prindërit e saj, për të përballuar vështirësitë e jetës.

Kavaja me zymtësinë komuniste ishte një vend ku ndiheshin vrasje, burgosje, njerëz të varur tek mani i pazarit, të mbështjellur me çarçafë të bardhë, me tabelën “armik i popullit”, të pushkatuar, të bërë shoshë nga plumbat, që me karrocë i shëtitnin nëpër qytet, i binin edhe tek oborri i shkollës, ne fëmijët shihnim të tmerruar kufomat, ngjarje makabre.

Motra e mirë zëvendësoi mamanë në punët e shtëpisë, kur nëna Përtefe iu gjend pranë vajzës Sabahet (Donikës), në spitalin e Shkodrës, mbasi ishte shumë e sëmurë, e prekur nga meningjiti tuberkular, ishte verë e vitit 1951, viti që motra do të ishte maturante.

Me 20 nëntor 1951 u kthye mamaja e dashur nga Shkodra, e veshur në të zeza, ajo grua e bukur, me sy të shkruar, që shndrisnin me të gjitha ngjyrat e ylberit, bardhoshe, që lëshonte rreze drite, që për ne, fëmijët ishte e bukura e dheut, ishte shndërruar, transformuar, kishte humbur shkëlqimin, qante, vetëm qante, zemra e nënës vajtonte humbjen e fëmijës së parë. E gjithë familja përjetuam humbjen e motrës së madhe, të bukur, të mençur, të sjellshme, që jetonim me shpresën se do të ndihmonte babain në mbajtjen e familjes.

Në malin me vuajtje, në familjen tonë u shtua dhe vdekja, humbja e pakthyeshme. Motra ime Vera provoi ç’do të thoshte të të vinte polici-sigurimsi çdo natë, të të merrte babain e shtrenjtë, ishin vite të zorshme. E mbanin të dashurin baba në hetuesi, çdo natë, nën presion psikologjik dhe nën torturë. Sapo shihte policin tek dera, vajzës së re i binte përtokë çdo gjë që kishte ndër duar, dridhej dhe zemra i copëtohej, kur shihte se polici ia merrte babain e dashur, të ëmblin, të mirin, zemrën. Gjumi ynë merrte  arratinë,  vendi  bosh  i  babait  na  mbushte  me dhembje e mendjen e kishim vetëm tek Ai.

Një ditë sigurimsi-polic, ia keqtrajtoi babain në prani të saj, ajo vajzë e re pesëmbëdhjetë vjeçare nuk duroi, reagoi e kundërshtoi policin, ia ndaloi dorën që ishte bërë gati të qëllonte babain, ndërsa fjalët e tij fyese, të paturpshme, vazhdonin në pafundësi. Ah! Babai i im përjetoi me dhimbje, zemra e tij vuante në shumë drejtime, i dhimbsej e bija.

Sigurimsi ishte ligji dhe arriti me gjykatën e qytetit të dënonte vajzën e re me gjobë, duhej t’i paguante shtetit dënimin, nuk morën parasysh moshën e re, ende s’kishte mbushur të gjashtëmbëdhjetat. E punësuan në rrobaqepësi, tek vendi më i vështirë, gjithë ditën në këmbë dhe me hekur rrobash në dorë, hekuroste me orë e orë dhe rroga i ndalohej, duhej të paguante.

Kjo vajzë e mrekullueshme, i kishte duart e arta, ç’i shihte syri i bënte dora, ishte burim dashurie në familje, provoi dhimbjen e madhe të humbjes së babait, në mënyrë të papritur, mbetëm pa njeriun e shtrenjtë. Kjo vajzë e mirë dhe punëtore formoi familje me Agimin punëtor e erudit. Ishin të të njëjtës shtresë, të dy bashkëvuajtës. Familja e re Agim e Vera ishin një qendër mikpritjeje, bujarie, dashurie për të gjithë familjet tona. Kjo familje për mua, Bardhën, ishte një qendër pritëse, me plot dashuri, oaz mirësie në Tiranë, kur shkoja të jepja provimet në shkollën e lartë. Kjo familje e re na dhuroi shumë dashuri, por dhurata më e bukur na u bë kur lindën Ermira e vogël dhe djali, që përjetoi emrin e gjyshit të tij, Hasan. Përjetova emocione të shumta, gëzim i madh të ishe teze, të të duan fëmijët që janë të gjakut tënd, t’i adhurosh qeniet e vogla, që rrezatonin dritë, që ishin filizat e familjeve tona, dhurata më e bukur që na falte jeta, na jepej e drejta për të ardhmen dhe kultivohej shpresa, se e ardhmja na takonte edhe ne.

I ushqyem fëmijët me shumë dashuri, ua mbushëm zemrën me hare, u shtuam pasionin për dije, për studime. Momentet e bukura që përjetuam me fëmijërinë e tyre mbetën të paharruara, do të jenë të përjetshme çastet kur lexohej Zhyl Verni, ecjet buzë plazhit, përbri detit, ujit, jetës që na bënte të shihnim me sytë e mendjes, horizontet e largëta, ato të ndaluarat, që na kishin izoluar, por dallgët e detit ciknin, na lagnin këmbët tona, simfonia e valëve të detit dërgonte mesazhe, jeta rrjedh, ai det mendimesh të errëta, që bën ndarjen, nëpër detin e jetës, do të largohet e keqja, liria do e largojë tiraninë…

Momentet e bukura që përjetuam në këtë vatër të ëmbël familjare, na bënë të gjejmë forca për të përballuar luftën e klasës, të përballonim përbuzjet, fyerjet, largimet e dëbimet nga puna.

Në familjet tona mbizotëronte dashuria, mirëkuptimi, solidariteti, në çdo moment i ndodheshim pranë njëri-tjetrit. Fëmijët ishin zemra jonë, u rritën ata. Ermira, nxënësja e shkëlqyer e gjimnazit “Sami Frashëri”, ndërsa Sani u bë një djalë i bukur, një Hermes, si paraardhësit e tij, madhështor, me fytyrë ngjyrë trëndafili, flokët me kaçurrela, sytë të gjelbër në të kaltër, rrezatonin dritë, gëzim, gjallëri… por jeta solli të papritura, sapo mbaroi shkollën e mesme teknike, e caktuan në kombinat, në ditën e dytë të punës pësoi aksident të rëndë, tek transportieri; humbi në një moment krahun, ashtu iu duk, por forca e të riut arriti të tërhiqte dorën, por aty mbeti mënga që të linte përshtypjen se është krahu, në luftë me mjetin e egër, dëmtoi pleksusin nervor; ra pa ndjenja. Ishte 18 dhjetor 1972.

Provoi djali dhimbje, vuajtje, operacione, momente të vështira për një gjashtëmbëdhjetë vjeçar, për prindërit, të gjithë ne përjetuam dhimbjen e madhe, mbeti invalid…! E dinte, babai i tij, Agimi, çdo të thotë të përballosh jetën, duhen dy duar të fuqishme, përveç trurit, e jo më kur njëra s’mund të funksionojë. Familja humbi qetësinë. Vajza, Ermira, përjetoi dhimbjen e të vëllait, ishte maturante, një nxënëse e shkëlqyer, në të gjitha lëndët, në veçanti në ato ekzakte, por i’u dha e drejta të studionte vetëm në Institutin Bujqësor, dega Agronomi.

Shkëlqente në fakultet me rezultate të shkëlqyera, zotëruese e gjuhës angleze e italiane…, por në vitin 1985, një letër anonime shkoi në drejtorinë e Universitetit të Kamzës, për arsye biografie vajzës i hiqet e drejta për të vazhduar studimet, po fillonin provimet e shtetit, ishte maj 1985. Firmosi Rektori i Universitetit Bujqësor përjashtimin e studentes së shkëlqyer, nuk iu drodh dora Dr. Prof. Lufter Xhuveli, zbatoi direktivat e Partisë, luftën e klasës, zbatoi racizmin shqiptar, që vazhdonte në të gjitha format, si e si për t’i vrarë shpirtërisht sa më shumë fëmijët e të deklasuarve të armiqve të popullit, epitetet e pafund që përdornin komunistët shqiptarë.

Largimi, dëbimi i vajzës nga Universiteti u bë në mënyrën më poshtëruese, humbja e shkollës u shoqërua me ndarje shpirtërore, u thye krenaria, u lëndua dashuria, persekutimi shkundi dashurinë e pastër, ku çdo frutë e re, ra për tokë e copëtuar nga korrupsioni moral i kohës, sistemi komunist të shpartallonte shpirtin, në çdo qelizë të jetës.

U vra zemra, shpirti, u thye besa, u mbyll me forcë libri i dashurisë… Ç’bëri vallë vajza e re që iu vra dashuria, krenaria??

Kështu ishte e ndërtuar shoqëria në sistemin social-komunist, që kudo zbatonin direktivat e partisë, luftën e klasës, me të drejtë filozofi Sami Frashëri ka thënë:

-Ata që bëhen vegël e mizorive të një mizori, janë më të këqij se ai vetë.. Humbja e madhe u shoqërua me ndarje shpirtërore, me gjyqe fyese, për të ndarë të rinjtë, që s’ishin të të njëjtës shtresë, se gjoja “s’ishte treguar e sinqertë”, “nuk kishte treguar biografinë”, të gjitha trillime të pavërteta…!

Gjykatat tona merreshin me të tilla çështje, zbatohej vija e partisë- shtet, ajo hynte edhe në lidhjet dashurore, në fejesa, në martesa; kudo partia-shtet me anën e “Njeriut të Ri” “robot”, kishte të drejtën me prishë çdo gjë. U thye krenaria dhe bashkë me të besimi tek njeriu. 4  korrik  1990,  vëlla  e  motër,  dorë  për  dore  hynë  në  ambasadën gjermane, thyen vargonjtë e diktaturës, djali me shpresën e mjekimit, ndërsa vajza me vullnetin t’i ndodhej pranë vëllait, ashtu siç dinë vetëm motrat shqiptare, në veçanti ato të familjeve të persekutuar. Përjetuan ditë të zorshme, grahmat e fundit të diktaturës komuniste, ne  familjarët  kaluam  momente  të  vështira,  por  së  fundi  komunistët shqiptarë,  edhe  pse  çirreshin  e  shanin,  nën  presionin  e  perëndimit, pranuan hapjen e Shqipërisë, emigrantët kaluan Adriatikun, deti i ndarjes u bë i pari në lidhjen me botën, po iknin filizat e rinj, zemrat tona, që i rritëm me shumë mundime.

Familjes në Tiranë iu grabit shtëpia, ia morën, sepse fëmijët u larguan, u quajtën përsëri familje armike, nuk dorëzohej kollaj diktatura, vazhdonin po ato metoda pune, njerëzit e partisë-shtet zbatonin direktivat.

U stabilizuan të rinjtë në Hamburg, u botua një poezi e Ermirës:

Vjen një letër nga Gjermania, ma dërgonte mbesa ime, Ermira, prill 1991…!

– E dashur teze Bardha. Ka tre muaj që në qiellin e Hamburgut nuk del një rreze dielli, vetëm re të pafund, vranësira. Kam tre muaj pa parë rreze dielli, tani, këtu po e kuptoj ç’është Dielli i Vendit tim. Në çdo stinë të vitit edhe në janar, tek ne, në Shqipëri kemi diell, që rrezet e tij ndriçojnë natyrën dhe i japin gjallëri jetës, gëzim e hare. Mendoj e mendoj, sikur të kishim pasur një qeverisje pak më të mirë, se nuk po them të përsosur, se përsosmëria nuk ekziston në pushtet, por të kishim pasur një qeverisje pak të mençur, që dritën e diellit të vendit tim, që na e ka dhuruar Zoti, jeta, natyra, fati, ta kthenim në para, rrezet e diellit që i kemi falas, t’i kthenim në vleftë monetare, sepse gjermanët e paguajnë, udhëtojnë në drejtim të plazheve, për të marrë rreze dielli.

Nga larg i merr malli për çdo gjë që kanë lënë: familjen, të afërmit, natyrën dhe  nga  larg  ndihmuan  familjarët,  në  veçanti  na  gëzuan zemrat e vocërrakëve, që po i rritnim në Shqipërinë post-komuniste, që mungonte stabiliteti. Gjaku i ri i vendit tim shkoi drejt Perëndimit, Shqipëria humbet, ikën rinia, vazhdon rrjedhja, largohen e largohen deri kur? Memorie.al

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arzika: 16/08/2023 14:03

    Vertet Ermira ishte nje vajze e shkelqyer nga te gjitha anet! Largimi i saj nga universiteti ishte i turpshem dhe shume i dhimbshem! E kujtoj si sot kur hyri sekretarja ne sallen e leksionit dhe para te gjithe studenteve komunikoi perjashtimin e me te mires se kursit!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?