Gripi i shpendëve/ AKU tha se ka zbarkuar në terren, por në tregje zero kontrolle! Tregtarët: S'na kanë thënë gjë të mos shesim! Vëzhgimi i Report Tv në Fier, Vlorë e Lezhë

23 Mars 2022, 11:42| Përditesimi: 23 Mars 2022, 15:41

  • Share

TIRANË- Prej 19 marsit në Shqipëri është konfirmuar prezenca e gripit të shpendëve në vendin tonë dhe qytetarët gjenden të dyzuar nëse duhet të konsumojnë një pulë ose jo.

Përballë këtij dyzimi, në ndihmë nuk vijnë as institucionet, ku ndonëse Autoriteti Kombëtar të Ushqimit (AKU) thotë se ka zbarkuar në terren me inspektime, në treggje nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Report Tv ka bërë një vëzhgim në tregun e Fierit, Vlorës dhe të Lezhës, ku vetë tregtarët kanë pohuar se nuk kanë pasur asnjë kontroll. 

Gripi i shpendëve u konfirmua në Shqipëri në datën 19 mars, ku është raportuar se 340 mijë pula në disa pulari në vend kanë ngordhur.  Deri tani, gripi i shpendëve është konfirmuar në qytetin e Durrësit, ku dhe u raportuan për 340 mijë pulat e ngordhura dhe 120 mijë të tjera që janë infektuar dhe pritet asgjësimi i tyre. Pulat e ngordhura janë groposur në një zonë në Shijak.

Ora 11:47
Gripi i shpendëve/ Tregtari në Lezhë: S’ka kontrolle! Na morën ne telefon e na thanë ‘mos lëvizni se flitet për përhapje gripi’

 

Një tregtar në Lezhë i cili ka 600 pula dhe 1000 zogë pule që i tregton çdo ditë në tregun e improvizuar, thotë se nuk ka pasur asnjë kontroll nga autoritete. Për Report Tv, ai shprehet se disa përfaqësues të institucioneve i kanë marrë në telefon dhe i kanë thënë që nuk duhet që të lëvizin për shkak se “flitet” për grip shpendësh, ndonëse kjo është konfirmuar. Tregtari tregon se kontrollet i bëjnë në rrugë private.

“Për kontrolle nuk na kanë thënë gjë, na kanë marrë ne telefon dhe na kanë thënë që të mos ecim me makina me transportin e shpendëve, se flitet për përhapje gripi, kurse për kontrolle këtu, s’ka ardhur kush, tani kam në shpi zog të vogël nga 1000 kokë e ndërsa pula kam nja 600 copë, probleme nuk kemi sepse këtu kemi ambiente jashtë dhe i bëjmë vaksinimin, i bëjmë vetë çdo gjë, kontrollet se duam që të jemi të garantuar, ne nuk kemi stalla të mëdha. Nuk ka shumë interes, por ato kërkojnë besim, unë kam 10 vjet këtu dhe klientelën që kam unë, me porosi e kam të njëjtën, por kërkojnë besim. Unë veterinerin e kam privat, e marr njëherë në 2 javë për mbarëvajtjen e tufës, se unë të pres të fillojë ngordhja nuk ke pse e merr më, në zonë nuk dalin, pasi këtu, pulat duhen vaksinuar çdo vit”, tha një tregtar.

Një qytetar shprehet se ka zgjedhur që të kufizojë blerjen e vezëve dhe pulave, të paktën përkohësisht.

“Kemi kufizuar blerjen e vezëve dhe të pulave përkohësisht. Numri i veterinerëve është shumë i kufizuar”, tha një qytetar.

Ora 10:38
Tregu në Fier zero kontrolle! Tregtari: S’na kanë thënë gjë që të mos i shesim pulat

Autoriteti Kombëtar të Ushqimit (AKU) thotë se ka zbarkuar në terren me inspektime, në tregun e Fierit nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

“AKU siguron konsumatorët se ushqimet me origjinë shpendore në treg janë brenda stadardeve të gjurmueshmërise dhe janë të verifikuara nga inspektorët, të cilët janë në terren, tha dje AKU.

Mirëpo, vetë tregtarët për mikrofonin e Report Tv kanë pohuar se deri më tani nuk ka shkuar asnjë zyrtar për kontrolle apo për t’i kërkuar që të mos shesin më. Ky treg i gjësë së gjallë në Fier është i licencuar nga Bashkia. Për gazetarin Kristaq Thano, tregtarët thonë se shitjet rënë për shkak të frikës së virusit, teksa sipas tyre mjafton që t’i shikosh pulat për t’i kuptuar që nuk janë të infektuara.

“Gjithmonë në mars bie sëmundja. Këto janë zogj, po të ishin të sëmura do ishin të tulatura, do ishin të nxira. Ato janë pula, shifi e kanë lafshën flakë të kuqe, po të ishte sëmurë unë s’do e merrja, se s’i kam lekët e tepërta. Veterinerët kalojnë këtu, shohin, po s’ka pula të infektuara. Vjet në qershor erdhën dhe na mbyllën, kot na mbyllën në fakt se sëmundja ishte në veri në fund, njerëzit janë trembet, nuk blejnë shumë, nuk ka asgjë, me mbi 70 gradë të zihen nuk ka asgjë, unë gjithmonë i kam ngrënë, nuk ka asgjë”, tha një tregtar.

“Deri tani s’na kanë thënë gjë që nuk duhet të shesim, mallin e marrim nëpër fshatra, jo nëpër stalla, dikush rrit 100, dikush 150, dikush 50, i marrim dhe i shesim”, tha një tjetër.

“Nga të bindemi ne që kjo pulë nuk është e infektuar? Bëji provën, pula ka prova, nuk ka fjalë”, tha një tjetër tregtar.

Ora 20:21
Gripi i shpendëve/ Vëzhgim i Report Tv, asnjë kontroll në tregun e Vlorës

“Konsumatoret duhet të blejnë në tregje të licencuara. Ne kemi ndaluar shitjen e shpendëve të gjallë në tregje. Duhet të shkojnë në dyqane që janë të autorizuara dhe janë të kontrolluara nga AKU", tha Ministria e Bujqësisë.

Ndryshe nga sa pretendon Ministria e Bujqësisë, në tregjet e Vlorës vazhdon shitja e shpendëve të gjallë.

Report Tv kreu një vëzhgim në tregun e gjësë së gjallë ku fermerët nga fshatrat e Vlorës dhe Ballshit shesin pula edhe pse jo të gjithë kanë certifikatën shëndetësore.

"Janë 100 % të sigurisë nuk ka pasur asnjë rast të sëmundjes i kam të certifikuar.

Nuk na kanë penguar për të tregtuar në tregjet, deri tani s'na ka ardhur gripi i shpendëve", thanë disa tregtarë.

Qytetarë të Vlorës nuk hezitojnë t'i blejnë shpendët edhe pse janë të informuar për situatën e gripit të shpendëve në vend.

"Mishin se blejmë dot, do blejmë pulën", tha një qytetar.

Drejtoria e Veterinarisë në Vlorë jashtë kamerës tha se në Vlorë nuk është shfaqur gripi i shpendëve, por nga ana tjetër shihet qartë se nuk zbatohet urdhri për monitorimin e tregjeve.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?