Ambasadori i BE-së, Gonzato krah Dumanit: Jo akteve ligjore të porositura që kufizojnë mandatet e organeve të pavarura antikorrupsion

3 Tetor, 10:35| Përditesimi: 4 Tetor, 00:30

  • Share

1727944826_silviogonzato.JPG

Tirane- Ambasada e Bashkimit Evropian dhe SPAK bashkojnë zërat për të mos prekur pavarësinë e institucioneve që luftojnë korrupsionin. Në fjalën e tij në Forumin Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, Gonzato i ulur krah kreut të SPAK, Altin Dumani bëri thirrje që të mos preken ato institucione që po luftojnë korrupsionin.

Krijimin e Komisioni të Posaçëm me synimin e avancimit të reformave të mirëqeverisjes, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit e sheh si një mundësi për të fuqizuar përpjekjet për parandalimin e korrupsionit dhe mirëqeverisjes por thekson se masat e reja të mos kufizojnë mandatet e organeve të pavarura të drejtësisë. 

 “Kuvendi krijoi një Komision të Posaçëm me synimin e avancimit të reformave  të mirëqeverisje, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit. Kjo është një mundësi për të fuqizuar përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, duke përfshirë kështu një sërë aktorësh dhe ekspertësh. Në fakt një përpjekje në të gjithë vendin dhe sigurisht që duke patur parasysh rezultatet që janë arritur duhet të vijojmë më tej”, shtoi ai.

“Masa të tjera krijohen sigurisht, por është po aq e rëndësishme që të gjithë partnerët në rajon të shmangin veprimet që minojnë përpjekjet antikorrupsion, për shembull dobësimi i transparencës në prokurimin publik, apo akte ligjore të porositura, të cilat anashkalojnë procedurat standarde, apo kufizimin e mandateve të organeve të pavarura antikorrupsion”,  u shpreh Gonzato.

Gonzato theksoi se, “lufta kundër korrupsionit do të përballet gjithmonë me rezistencë nga ata që përfitojnë nga ekzistenca e saj, prandaj duhet një vullnet i fortë politik dhe në vendet e zgjerimit ne e shikojmë që ka ende elementë të kapjes së shtetit. Kjo pengon sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor”.

Gonzato u shpreh se, është shumë e rëndësishme që rezultatet e prekshme për uljen e korrupsionit të jenë të dukshme dhe janë në fakt një kërkesë e rëndësishme për të ecur përpara në anëtarësimin në BE.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vijojnë luftën kundër korrupsionit me vendosmëri me anën e veprimeve të tyre konkrete, duke përfshirë këtu kuadrin e duhur ligjor dhe institucional, burimet e duhura dhe gjithashtu përpjekjet antikorrupsion duhet të jenë të dukshme, duke përfshirë parandalimin, zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale.

Në Shqipëri ne presim që puna e qeverisë për strategjinë antikorrupsion 2024-2030 të përfundohet të shpejti dhe të miratohet. Pas miratimit ne presim zbatimin e plotë të kësaj strategjie, në veҫanti në sektorë me rrezik të lartë si Kadastra, Administrata Tatimore, Dogana, Prokurimi Publik, arsimi dhe shëndetësia”, tha Gonzato.

Në fjalën e tij Gonzato u shpreh se, një shoqëri civile e pavarur, e fortë, e fuqizuar dhe e cila arrin të angazhohet në dialog konstruktiv me institucionet publike dhe bizneset është një element kritik për luftën kundër korrupsionit.

"Është shumë e rëndësishme që ne të marrim masat që përfaqësuesit e shoqërisë civile në mënyrë aktive të përfshihen dhe të konsultohen në forma efikase për formësimin e politikave të korrupsionit dhe nismave të tilla, por edhe monitorimin e tyre, si për shembull strategjitë e ndryshme antikorrupsion apo planet e integritetit", tha ai.

Po ashtu Gonzato theksoi se, “në programet tona të bashkëpunimit ne mbështesim kapacitetet fuqizuese dhe mobilizimin e shoqërisë civile për të dhënë kontributin e tyre dhe që këto të jenë efikase”.

“Ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor po vazhdojnë punën drejt anëtarësimit në BE, si vijim i ashtu dhe perceptimi i korrupsionit mbeten më të larta se mesatarja e BE-së, prandaj ne duhet të përqendrohemi që të gjitha përpjekjet antikorrupsion të integrohen në të gjitha kapitujt e negociuar, duke filluar që nga sektorët me rrezikun më të lartë”, tha ai.

Ambasadori nënvizoi se, Komisioni Evropian ka përgatitur një paketë antikorrupsion përfshirë propozimin për direktivën për të luftuar korrupsionin.

“Duke filluar nga ky vit, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi u përfshinë gjithashtu edhe në raportet e BE për sundimin e ligjit, duke i vënë ato në të njëjtin nivel me shtetet anëtare, duke i ndihmuar ato që të identifikojnë dhe trajtojnë siç duhet këto probleme”, tha ai.

Për ashtu, shtoi Gonzato, “plani i ri i rritjes të BE për Ballkanin Perëndimor ofron mundësi të re për përforcimin dhe përshpejtimin e përpjekjeve antikorrupsion. Ky plan përfshin deri në 6 miliardë euro në huadhënie dhe grante me qasje në disa nga përfitimet që sjell anëtarësimi në BE si dhe në tregun e përbashkët. Por këto fonde varen nga reformat kyҫe të vendit dhe zbatimi i tyre. Prandaj po ndodh një dialog me partnerët e Ballkanit Perëndimor për të parë këto fusha reformash dhe për të parë se ku do të arrihet ecuri. BE mbetet i angazhuar për të mbështetur përpjekjet antikorrupsion në Ballkanin Perëndimor dhe për të punuar ngushtësisht me partnerët rajonalë, aktorët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile”.

4 institucione të pavarura të dretjësisë refuzojnë Komisionin
Deri tani katër institucione të pavarura të drejtësisë kanë refuzuar pjesëmarrjen në komisionin e posacëm antikorrupsion të drejtuar nga Fatmir Xhafaj. Ata janë Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme, SPAK, Gjykata e Lartë dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë. 

Ndërkohë kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali deklaroi në forum se sot askush në sallonin e zhurmshëm të politikës nuk ka imunitet, nuk ka amnisti, 

Organet e reja të drejtësisë që dalëngadalë, të sigurtë dhe në mënyrë progresive, aty-këtu ndoshta jo gjithmonë me ritmin e duhur, por gjithsesi në kahun e duhur, kanë mundur të lëvizin ujërat e ndenjura nga tradita e pandëshkueshmërisë.   Kush më shpejt dhe kush më vonë, e gjithë kjo hordhi e të keqes do të kalojë si në derën e Shën Pjetrit për të treguar xhepat apo bankat ku kanë fshehur paratë e vjedhura.
Kuvendi i Shqipërisë ka  krijuar Komisionin e posaçëm “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për “Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian””, synimet e të cilit shkojnë që nga nevoja për të garantuar pakthyeshmërinë e reformave, e deri tek identifikimi se çfarë mund të bëjë edhe më mirë vetë Kuvendi për të asistuar institucionet e tjera.
 

Si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë premtoi se do të jetë e përkushtuar në rritjen e mbështetjes politike e parlamentare për institucionet e pavarura dhe të kontributit të tyre në luftën kundër korrupsionit e pandëshkueshmërisë. 


Lajmi kryesor:

'Goditëm të paprekshmit' Dumani: U sekuestruan 150 mln euro pasuri e krimit! Pavarësia e SPAK kusht themelor, të mbrohet nga ndërhyrjet a presionet e padrejta që minojnë integritetin


Xh.K//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush, kush mund ta ndihmojë më shumë Shqipërinë në rast fitoreje?