Grushti në Kuvend! SPAK kërkon pushimin e çështjes për Bledion Nallbatin dhe Vullnet Sinaj: Nuk vërtetohet se goditja ishte për shkak të detyrës (Dokumenti)

24 Shtator, 15:26| Përditesimi: 24 Shtator, 16:39

  • Share

Tirane- Prokuroria e Posaçme kërkon pushimin e dosjes për veprën prenale 'goditje për shkak të detyrës' për deputetin demokrat Bledion Nallbati dhe deputetin e PS-së Vullnet Sinaj pas përplasjeve të tyre në seancën e 30 tetorit 2023

SPAK argumenton se nuk vërtetohet ekzistenca e faktit tipik, atij të goditjes për shkak të detyrës, qoftë nga ana e shtetasit Bledion Nallbati, apo qoftë nga ana e shtetasit Vullnet Sina. Kërkesa i është dërguar Gjykatës së Posacme më 16 shtator.

Bëhet fjalë për seancën e 30 tetorit 2023, një nga seancat kur opozita vijonte kaosin ndërsa Sali Berisha i akuzuar për korrupsion në çështjen e privatizimit të Klubit Partizani, ishte me 'detyrim me paraqitje' 

SPAK regjistroi procedimin penal më 1 nëntor 2023 pas kërkesës së dërguar nga  kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi për veprën penale "Goditje për shkak te detyrës" parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal. Një ditë më pas kallëzim për të njëjtën akuzë bëri dhe nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, përfaqësuar nga kryetari, Gazment Bardhi.

Kallëzimi i PS-së për seancën e 30 tetorit 

 Referuar kallëzimit penal nr.230/2023, rezulton se me datë 30.10.2023 ishte parashikuar nga Kuvendi i Shqipërisë mbajtja e seancës plenare të rradhës. Kryetarja e Kuvendit Znj. Lindita Nikolla, si drejtuese e seancës i jep fjalën Z. Vullnet Sinaj, deputet i partisë socialiste. Në momentin kur z. Sinaj fillon të parashtrojë problematikat e tij, si përfaqësues i qytetarëve të Vlorës, i afrohet z. Bledjon Nallbati, i cili i drejtohet me një gjuhë fyese dhe kërcënuese. nëpërmjet dhunës fizike i fik mikrofonin dhe më pas e shtyn me duar dhe e godet me grusht duke i ndërprerë në mënyrë të paligjshme fjalën. Sulmi i dhunshëm fizik, i inicjuar nga z. Nallbati nuk do të ndërpritej nesë nuk do të kishte ndërhyrë Garda e Republikës. Të gjitha veprimet e mësipërme janë të regjistruara jo vetëm në kamerat e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, por të gjitha këto fakte janë lehtësisht të konstatueshme dhe të verifikueshme, pasi seancat plenare të kuvendit janë publike dhe shikohen nga të gjithë shqiptarët nëpërmjet medias. Për këto arsye të gjendur para faktit ku z. Nallbati goditi z. Sinaj për shkak se ky i fundit ishte duke zbatuar detyrat e tij, si përfaqësues i qytetarëve dhe në ushtrimin e drejtë dhe të ligjshëm të funksionit të deputetit të Republikës së Shqipërisë, vërtetojmë se z. Nallbati ka konsumuar elementët e veprës penale të "Goditjes për shkak të detyrës" parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.

Kallëzimi i PD-së për seancën e 30 tetorit 

Ndërsa, referuar kallëzimit penal nr. 233/2023, rezulton se në seancën parlamentare të datës 30.10.2023, grupi parlamentar i partisë demokratike ka protestuar pranë Kuvendit të Shqipërisë duke mos lejuar vijimin normal të seancës plenare deri në respektimin e të drejtave të tyre kushtetuese dhe ligjore.

Pavarësisht kësaj situate, kryetarja e Kuvendit ka injoruar situatën e krijuar prej vetë mazhorancës, ka vijuar normalisht seancën plenare duke iu dhënë fjalën deputetëve të partisë socialiste, konkretisht deputetit Vullnet Sinaj. Pranë tij është afruar deputeti Bledion Nallbati, i cili ka tentuar t'i ndërpresë fjalën deputetit Vullnet Sinaj, por pa cënuar integritetin e tij fizik. Në këto momente deputetit Sinaj ka reaguar me akte dhune, duke kapur nga duart, tentuar të shtyjë, si dhe duke e goditur deputetin Nallbati për shkak të ushtrimit të të drejtave të tij kushtetuese dhe ligjore si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, anëtar i grupit parlamentar të partisë demokratike.

Për sa më sipër, me vendimin e datës 08.11.2023, prokurori ka vendosur: Të regjistrohen materialet kallëzuese nr. 230/2023 dhe nr. 233/2023 si një procedim penal, për veprën penale të "Goditjes për shkak të detyrës" parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal. Ky procedim ka marrë numrin 230 viti 2023.

Ndaj Nallbatit u mor masa disiplinore "Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe seancë plenare për 10 (dhjetë) dite"

Argumenti i SPAK, pse duhet pushuar cështja 

Nga studimi dhe analizimi i dokumentacionit konkludojmë se, nuk evidentohen të dhëna për plotësimin në mënyrë kumulative të katër elementëve të figurës së veprës penale për të cilat pretendohet në secilin kallëzim dhe për këtë arsye nuk mund të vijohet me kryerjen e veprimeve të tjera hetimore.

Referuar për sa më sipër është e rëndësishme të theksojmë se për marrjen e një personi në përgjegjësi penale është e nevojshme që në veprimet ose mosveprimet e tij të ekzistojnë elementët e një figure të caktuar të veprës penale, të parashikuar nga ligji penal.

Respektimi dhe plotësimi i elementeve të figurës së veprës penale ka rëndësi të veçantë, sepse ka të bëjë me zbatimin e parimit të ligjshmërisë nëpërmjet të cilit, shoqëria si entitet, mbikëqyr anëtarët e saj përmes kontrollit ligjor të anëtarëve të shoqërisë. Për të pasur një figurë konkrete të veprës penale është e domosdoshme ekzistenca e të gjithë elementëve përbërës të saj, të marrë së bashku, të cilët janë: a) objekti i veprës penale; b) ana objektive; c) subjekti dhe ç) ana subjektive. Provueshmëria e elementëve objektive dhe subjektive të figurës së veprës penale. shërben si bazë për të vënë një person përpara përgjegjësisë penale. Nëse nuk ekziston apo nuk provohet qoftë edhe njëri prej këtyre elementëve ligjore, personi nuk mund të merret nën përgjegjësi penale dhe rrjedhimisht as edhe të dënohet. Nëse i referohemi nocionit të përgjithshëm të veprës penale, nën dritën e parashikimit në dispozitat e pjesës së përgjithshme të Kodit Penal, vepra penale përbëhet nga këto elementë themelorë: Fakti tipik (neni 13 I K.Penal), kundërligjshmëria (neni 1, sipas të cilit ligji penal përcakton veprat penale, dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj autorëve dhe neni 2, Mosëdënimi pa ligj) dhe faji (neni 14 i K.Penal).

Duke ju rikthyer çështjes, nuk vërtetohet ekzistenca e faktit tipik, atij të goditjes për shkak të detyrës, qoftë nga ana e shtetasit Bledion Nallbati, apo qoftë nga ana e shtetasit Vullnet Sina.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Komisioni Hetimor për Shëndetësinë do të prodhojë rezultat?