Viktor Orban

Gjykata Europiane e Drejtësisë gjobit Hungarinë me 200 milionë euro për shkeljen e rregullave të BE-së

13 Qershor, 13:04| Përditesimi: 13 Qershor, 13:08

  • Share

Gjykata e lartë e Bashkimit Evropian ka gjobitur Hungarinë me 200 milionë euro (169 milionë funte) pasi ka injoruar sistematikisht rregullat e BE-së për azilin.

Hungaria duhet të paguajë gjobën për kufizimet e vendit për ligjin e azilit dhe për më tepër, do të duhet të paguajë 1 milion euro për çdo ditë vonese.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë tha se Budapesti ishte në shkelje të një vendimi të vitit 2020 pasi kishte shkelur ligjet e BE-së duke i detyruar azilkërkuesit të udhëtonin në Beograd ose Kiev për të aplikuar për një leje udhëtimi për të hyrë në Hungari, shkruan BBC.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, në një postim në X, tha se gjoba për "mbrojtjen e kufijve të Bashkimit Evropian" ishte "e egër dhe e papranueshme" dhe tha se "duket se migrantët e paligjshëm janë më të rëndësishëm për burokratët e Brukselit sesa evropianët e tyre"

Hungaria ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve nga jashtë BE-së që kur më shumë se një milion njerëz hynë në vend në vitin 2015, shumica prej të cilëve ikën nga lufta në Siri.

Në një deklaratë për shtyp, gjykata e BE u shpreh se Hungaria "qëllimisht" shmangu zbatimin e politikës së BE-së dhe dështimi i saj "përbën një shkelje të paprecedentë dhe jashtëzakonisht të rëndë të ligjit të BE".

Dështimi përfshinte që vendi të ndalonte në mënyrë të paligjshme personat që aplikonin për mbrojtje ndërkombëtare dhe të mos respektonin të drejtën e tyre për të qëndruar në Hungari derisa të bëhej një apel për aplikimin e tyre, tha gjykata.

Një politikë e re e BE-së për azilin që synon të përshpejtojë procesin e azilit kërkon që vendet anëtare ose të pranojnë mijëra emigrantë nga vendet e "vijës së parë", si Italia, Greqia dhe Spanja, ose të ofrojnë fonde ose burime shtesë.

Si përgjigje, Hungaria u zotua të mos pranojë asnjë emigrant të parregullt, pavarësisht ndonjë pakti.

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?