Gjëndër dhjamore apo tumor? Kur duhet të shqetësohemi… Çfarë janë lipomat dhe si mund t'i trajtojmë pa bisturi

30 Shtator, 15:24| Përditesimi: 30 Shtator, 15:56

  • Share

Gjëndrat e yndyrës që shfaqen si gunga në qafë, shpinë, bark, kokë, krahë apo këmbë shpesh mund të shkaktojnë shqetësim kur shihen për herë të parë. Megjithëse gjëndrat dhjamore të quajtura lipoma në përgjithësi janë lezione beninje, ato mund të bëhen një problem estetik për personin, sepse rriten në mënyrë të pakontrolluar, por jo vetëm. Gjëndrat e dhjamit që shfaqen në disa pjesë të trupit mund të bëhen një obsesion te njerëzit, ndonjëherë mund të ngatërrohen me tumoret. Lidhur me këtë shqetësim flasim në “Bima dhe Shëndeti” në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja. Çfarë janë lipomat në të vërtetë, në sa lloje ndahen lipomat dhe cilat janë shkaqet e formimit të tyre? Kur është momenti që njerëzit duhet të shqetësohen, si duhet bërë ekzaminimi i tyre dhe si të frenojmë formimin dhe zhvillimin e lipomave.

“Lipomat përkufizohen si një formacion nën lëkurë i përbërë nga qeliza dhjamore e mbështjellë nga një shtresë e hollë indi fibror. Zhvillimi i pa kontrolluar i indit dhjamor krijon një depozitë dhjamore të mbështjellë. Janë neoplazite që hasen në gjymtyrë, qafë, bark, ballë, kokë, në organet e brendshme. Njihen si tumore beninje me rritje të ngadaltë” thotë Merja.

Po cilat janë shkaqet e formimit të lipomave?

  • -         Traumat në një zonë të caktuar. Ekziston lidhje midis traumës, goditjes, dhe prodhimit të lipomës
  • -         Obeziteti, rritja e kolesterolit mund të çojë në formim lipomash
  • -         Përdorimi i alkoolit, sëmundjet e mëlçisë, intoleranca ndaj glutenit
  • -         Sforcimet fizike, muskulore në punë...
  • -         Trashëgimia gjenetike
  • -         Anomalitë gjenetike që mund të vijnë si rezultat i pranisë së radikaleve të lira në trup

“Preken më shumë meshkujt nga mosha 20-40-45 vjeç (mund të shkoje deri 60 vjeç). Prek 1% të popullsisë, në çdo 1000 banorë preken 2,1 persona në vit. 5% e pacientëve paraqesin lipoma të shumëfishta” thekson Merja, duke vijuar se nëse këto gjendra dhjamore janë të vogla, mirë është të mos ngacmohen.

Pyetjes së moderatores se kur është momenti që njerëzit duhet të shqetësohen, Merja i përgjigjet:

“Duhet të fillojmë të shqetësohemi, kur këto gjendra dhjamore fillojnë të zmadhohen, kur japin dhimbje apo kur mund të kemi një gërvishtje. Mirë është që të kontrollohen dhe të bëhet një vizitë mjekësore për të parë se çfarë ka në përbërje të kësaj gjëndre. Ekografia e masës tregon se lipoma është e cekët apo e thellë, ka enë gjaku apo ka fibra”

Formimi i këtyre gjendrave dhjamore mund të parandalohet, gjithashtu kemi dhe mundësinë e frenimit të zhvillimit të tyre nëpërmjet ushqimit.

“E rëndësishme është që të marrim masa të atilla që të forcojmë enët e qarkullimit të gjakut nga brenda, të ruajmë dhe të balancojmë tensionin e gjakut që ta kemi sa më normal, dhe këto të dyja arrihen plotësisht duke përdorur perimet. Lakra, në veçanti lakra e kuqe është një nga perimet më të mira, pasi forcon sistemin e qarkullimit të gjakut. Duhet të ulim ushqimet me yndyrë shtazore dhe të shmangim sforcimet fizike. Në regjimin tonë ushqimor duhet të përdorim lakra të egra që pastrojnë gjakun si çikore, rradhiqe, qumështore. Përdorim perime dhe fruta që përmbajnë antioksidantë si karota, domate, brokoli, selino, kumbull, pjeshka, molla e kuqe, rrushi i zi. Gjithashtu përdorim bimë  mjekësore që kanë vitaminë C, acide organike, pektina, mucilagje si trëndafili i egër, bar shpretke, murriz lule, murriz frut, kulumbria, boronica, gallium i vërtetë, bar ngjitës” thekson Merja.

Specialisti i bimëve mjekësore tregon se trajtimi alternativ i lipomave ka rezultuar tepër efikas.

  • -         Në darkë veprojmë kështu: Ngrohim një copë dyll në temperaturën 40-45 gradë Celsius, e vendosim mbi lipomë. Mbi të vendosim një peshqir të palosur në dysh dhe mbi peshqir vendosim një shishe të mbushur me ujë të ngrohtë. Lëreni dyllin 30-35 minuta. Pasi heqim dyllin vendosim ose uthull hudhre ose përziejmë në një vazo 100 ml uthull hudhre me 1 lugë supe kripë të zezë dhe 100 ml ekstrakt dredhëse. Me këtë përzierje lyejmë lipomën në darkë. Pasi thahet vendosim mbi lipomë kremin reumer ose kremin antirrudhë
  • -         Në mëngjes: lyeni lipomën me përzierjen e hudhrës me kripë dhe ekstrakt dhe pasi thahet vendosni krem
  • -         Çaj limfomer, pini 3 x 1 gotë në ditë para buke
  • -         Bajame të ëgër, hani 2 x 1 lugë çaji në ditë

Trajtimi vazhdon deri në ‘humbjen’ e lipomës. Vetëm dylli bëhet 4 ditë, bëhen 3-4 ditë pushim dhe vijon përsëri, ndërsa përbërësit e tjerë i përdorim 1-2 herë në ditë, në mënyrë që ne të konstatojmë squlljen e saj, zbutjen apo derisa të shikojmë zvogëlimin e përmasave. Trajtimi mund të zgjasë nga 1 muaj deri në 45 ditë sa të shohim që gjëndra është pothuajse zhdukur dhe ka dalë nga zona e rrezikut, tregon Merja. 

 

SHËNIM i REDAKSISË: Çdo i sëmurë ka veçoritë e tij, ndaj për raste të sëmundjeve të rënda, duhet gjithnjë këshillimi me mjekët. Ky artikull nuk mund të përdoret për të sugjeruar një kurim për çdo person.

 

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Komisioni Hetimor për Shëndetësinë do të prodhojë rezultat?