Foto nga mbyllja e trajnimit dyvjeçar dhe certifikimit të FSK

FSK mbyll trajnimin dy-vjeçar nga Gjermania, Proda: Policia shqiptare partnere e besueshme dhe e barabartë! Hauto: Mbështetja me teknologji dhe ekspertizë do vazhdojë

24 Tetor, 15:21| Përditesimi: 24 Tetor, 16:32

  • Share

Tiranë- Forca Kombëtare e Sigurisë përmbylli trajnimin dyvjeçar, të kryer nga ekspertë të Drejtorisë së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Federale të Gjermanisë.

Trajnimi u krye mbi taktika të ndryshme operacionale dhe krijimin e kapaciteteve për këtë njësi policore. Ai u përmbyll me dorëzimin e dokumenteve, nga pala gjermane, për të gjithë punonjësit e trajnuar.

Në ceremoninë e dorëzimit të dokumenteve morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Ratzenburg, Jonas Hauto, Oficeri Ndërlidhës i Policisë Federale në Shqipëri, Stefan Dorbach, drejtuesi i Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, drejtuesi i Repartit Special “RENEA” dhe trajnerë të Policisë Federale Gjermane.

Gjatë fjalës së tij, kryepolici Proda shprehu mirënjohje ndaj Qeverisë Gjermane, Policisë Federale dhe Ambasadës Gjermane në Tiranë, “për bashkëpunimin e shkëlqyer, prej dekadash, me Policinë e Shtetit, si dhe për ndihmën dhe mbështetjen me shumë vlerë të konkretizuar nëpërmjet pajisjeve logjistike, trajnimeve, hetimeve dhe operacioneve policore të përbashkëta”.

“Stërvitja dhe trajnimet janë 2 kolonat bazë për suksesin e Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Repartit Special “RENEA”, dhe duke qenë se ato ofrohen tashmë nga ekspertë të lartë të policive europiane, riafirmohet Policia shqiptare si partnere e barabartë, profesionale dhe e besueshme në planin ndërkombëtar”, tha kryepolici.

Kurse Jonas Hauto vlerësoi punonjësit e trajnuar, për profesionalizmin dhe korrektesën e treguar gjatë gjithë ciklit të trajnimit, dhe theksoi përgatitjen e tyre për t’i vënë në zbatim tashmë njohuritë e fituara.

Gjithashtu u shpreh se:

“Asistenca e Policisë Federale Gjermane për Policinë shqiptare do të vijojë, si nëpërmjet asistencës me pajisje të teknologjisë së fundit, ashtu dhe nëpërmjet trajnimeve të ekspertizës së lartë për aspekte të ndryshme të punës policore”.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?