Frrok Çupi

Frrok Çupi: Foton e Berishës e gjetëm në rrugë pranë Sheratonit

19 Maj 2022, 14:06| Përditesimi: 19 Maj 2022, 15:13

  • Share

… A duhej hedhur rrugëve edhe fotografia e ish- presidentit të vendit njësoj siç hidhen identikitet e autorëve të dyshuar në krim? A duhej ta pësonte edhe ‘njeriu i fortë Berisha’ të njëjtin fat që kanë pësuar viktimat e tij?

Këto janë pyetjet; nuk vjen në pyetje se kushedi çfarë krimi ndodhi që u gjend në baltë ajo copë letër…

Kur të bëhen kriminalistët për të kërkuar shkakun pse kjo fotografi u gjend aty, atëherë do të jetë vonë. Çdo gjë u bë e qartë menjëherë, pak orë pasi dikush e kishte hedhur atë foto të frikshme. Më shumë ka gjasa që rojet e shërbimit të ruajtjes në ceremoninë e 100 vjetorit të lidhjeve me Amerikën, ta kenë hedhur përtokë kur po linin hotelin pse nuk u nevojitej më.

Nuk ka krim, nuk ka as qëllim të keq në faktin që dikujt nuk i vlejti më fotografia e dikujt që prezumohet si i rrezikshëm. Dhe këtu mbyllet çështja. Çështjen e hapi media për shkak të detyrës së vet; ose edhe si hamendje e një krimi të mbetur në tentativë.

Foto e Berishës ishte shpërndarë për punonjësit e Sigurisë me qëllim që ata sapo të pikasej hija e tij se po i afrohej Sheratonit, ta ndalonin. Kaq. Kjo është një sjellje e zakonshme e forcave të Sigurisë sa herë ndjejnë rrezik. Por tani është radha e Sali Berishës që t’i shpërndahet fotografia si ‘njeri me rrezik’. Këtu është problemi.

… Kur ma sollën foton time në një klub pak kilometra përtej Viroit në Gjirokastër, klubi me emrin ‘Vefa’, nuk e kuptova çfarë peshe kishte. Në fakt, ishte njësoj siç i gjendet sot fotografia Berishës- rrugëve, i dyshuar si ‘i rrezikshëm’. Por veçse atëherë fotografinë time e kishte shpërndarë vetë Berisha.

Njeriu më gjeti rastësisht. Edhe ai vinte nga Tirana e do të ndalej në Gjirokastër; ndërsa unë për Athinë. Më ra pak shpatullës së majtë e më mërmëriti: ‘Po ti këtu?’. Nxori foton e ma vuri përpara. ‘Po të kërkojnë në Tiranë, a derbardh; nuk po lënë vrimë…’. Foton time nuk e kisha parë kurrë; dukej që ishte fiksuar te Klubi Fideli para Galerisë së Arteve, po unë nuk e kisha. Sekurita-ja e Berishës me Gazidenen- punonte, e dinim.

Po çfarë kishte ndodhur?

Ishte data 28 Maj 1996. Dy ditë më parë, 26, Berisha me PD kishin vjedhur rëndë zgjedhjet parlamentare, aq sa disa kuti kishin dalë edhe 116 % për PD. Në 28 Maj opozita kishte lajmëruar një protestë kundër vjedhjes… Këto të gjitha janë fiksuar në histori.

Stefani, i njohuri im që mu bë si vëlla një natë me shi e suferinë kur më ranë të dy gomat e makinës matanë kufirit me Greqinë; ky ku e gjeti foton?! Edhe ai ishte nisur nga Tirana atë mëngjes, më vonë se unë, sigurisht. Makina ime Mercedes Benz 220, ngjyrë bari- si kau balash, nuk e hante kollaj atë rrugë; ndërsa Stefani fluturonte. Më tregoi pastaj se kafeneve dhe rrugëve në Tiranë ishin shpërndarë shumë foto atë ditë, por as e mendonte se do të më gjente në Virua. “Ik vëlla, ik andej se të zhdukën!’, më tha duke bërë me dorë në drejtimin nga Greqia; dhe u largua.

Jo vetëm fotot e mija, por edhe të shumë ‘armiqve’ të Berishës ishin shpërndarë atë ditë. O shikasit, o militantët e çmendur, o të paguarit, o ‘patriotët’ e armatosur…, dikush që do të na identifikonte përmes fotos, do të na qëllonte për vdekje. Ose të paktën të na linte për vdekje në ndonjë kazan plehrash, mbështjellë në thes të zi, siç ndodhi…

Kur u ktheva nga Greqia mora vesh çfarë kishte ndodhur hollësisht. Në një thes të zi, më thanë se kishin futur Arben Imamin, mikun tim dhe themelues i PD. E kishin tërhequr zvarrë drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës pa e ditur cili ishte brenda thesit; veçse ajo gjëja e zezë kullonte gjak. Benit i kishin thyer dhëmbë e nofulla e as njihej. As Ndre Legisi, një student i Dhjetorit e pastaj deputet në Kuvend, nuk njihej pasi ia shfytyruan fytyrë e trup. E hodhën për të vdekur në një kthinë rruge me baltë diku prapa Hotel Arbëria (sot Ministria e Drejtësisë), dhe ikën. Servet Pëllumbin e PS e lanë në gjak, foto e tij mori dhènë në mediat botërore. Erion Braçe, si ‘i çmendur’ vrapoi e hyri në Kuvend ashtu i larë në gjak. Gaqo Apostoli, ish deputet, ishte lënë për të vdekur. Neritan Ceka, Paskal Milo, Namik Dokle, Pandeli Majko, Blendi Gonxhe, Kastriot Islami…, u masakruan dhe u gjakosën nga kamxhikët e policisë. 30 krerë të opozitës u tërhoqën zvarrë në mes të Tiranës. 260 aktivistë opozitarë të tjerë u rrahën barbarisht rrugës së Elbasanit dhe në sheshin “Skënderbej”. Disa mijëra forca policore ishin hedhur në sulm për të masakruar ata që protestonin për vjedhjen e votës.  Protesta e opozitës u bllokua të Ura e Rrugës së Elbasanit.

Masakra ndaj të 30- ve u krye duke pasur fotografitë në duar; çdo shikas apo çdo xhelat tjetër kishte në duar foton e viktimës së tij. Stefani e kishte gjetur foton time ende pa nisur kasaphana.

… Kur e gjetëm foton e Berishës ‘ndë dhè’ mes mbetjeve te Sheratoni, më erdhi në mendje ngjarja e tmerrshme; maj ishte edhe atëherë. Nuk më erdhi në mendje aspak ajo që thonë se ‘…dhe vjen një ditë e i lave haqet, o Sali’. Më erdhi ideja e kohës dhe e kthimit. Sigurisht koha nuk kthehet kurrë pas. Por edhe këtu shkencëtarët që po e kërkojnë ‘fenomenin e pamundur’, kanë lënë një shteg: Koha kthehet si një segment ca sekonda, ose si një ëndërr ku shikohet e ardhmja’, po thonë.

Ne, sikur jemi kthyer. U ndamë edhe nga dhuna e dytë e tmerrshme; tani fotografia e udhëheqësit të dhunës gjendet kudo, edhe në rrugët rreth Sheratonit.

S.C//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?