EULEX

EULEX mirëpret nisjen e hetimeve lidhur me pretendimet për rrahjen e një qytetari në veri

27 Tetor, 15:12| Përditesimi: 27 Tetor, 15:14

  • Share

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, tha se mirëpret vendimin e Policisë së Kosovës për të njoftuar Inspektoratin Policor për nisjen e hetimeve lidhur me pretendimet e një qytetari në veri se është rrahur nga Policia e Kosovës.

Më 26 tetor, Inspektorati Policor bëri të ditur se ka nisur hetimet për veprimet policore, pas pretendimeve të qytetarit nga Mitrovica e Veriut, Millosh Subotiq, se ishte rrahur nga Policia e Kosovës pasi ishte dërguar në stacion policor.

“Me vendosmëri, ne kërkojmë që çdo pretendim për keqtrajtim të hetohen menjëherë dhe në mënyrë efektive nga autoritetet relevante. Në këtë kontekst, sipas mandatit të EULEX-it, roli ynë është që të monitorojmë hetimet e kryera nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe, nëse vendoset, edhe nga autoritetet prokuroriale”, tha EULEX në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë. 

Lidhur me pretendimet e Subotiqit, disa organizata joqeveritare njoftuan më 26 tetor për ndërprerjen e bashkëpunimit me EULEX-in derisa ky mision të mos deklarohet për këtë rast. Përmes një njoftimi, që u nënshkrua nga joqeveritare Aktiv, Nova Iniciativa Shoqërore, Qendra për Afirmimin e Veprimeve Shoqërore, Qendra për Mbrojtjen e Kulturës Demokratike dhe Instituti për Zhvillimin Ekonomik Territorial, u tha se Policia e Kosovës është “joprofesionale”.

Më 27 tetor, këto organizata reaguan sërish dhe i kërkuan EULEX-it që të informojë opinionin për hapat që ka ndërmarrë për të përcaktuar përgjegjësinë për “trajtim çnjerëzor dhe torturë në këtë dhe shumë raste të tjera që kemi parë muajve të fundit në veri të Kosovës.

“Mosveprimi dhe kalkulimi i misionit të EULEX-it në monitorimin e veprimeve të institucioneve të Kosovës në sistemin e sundimit të ligjit kontribuon në inkurajimin dhe institucionalizimin e politikës së mosndëshkimit dhe dhënies së imunitetit për individët dhe grupet brenda Policisë së Kosovës për përdorimin e forcës së tepruar kundër serbëve të Kosovës. Me heshtjen e tij, EULEX-i po bëhet bashkëpunëtor”, thanë organizatat joqeveritare.

Në përgjigjen dërguar REL-it, EULEX-i tha se tortura, trajtimi çnjerëzor apo denigrues janë absolutisht të ndaluara.

Ky mision tha se ka rol monitorues dhe këshillues dhe mbetet i përkushtuar që të mbështesë institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë në mënyrë që ato të mund të garantojnë në mënyrë efektive të drejta e të gjithëve.

Misioni i BE-së tha po ashtu se nëse përmes aktiviteteve të tij monitoruese vëren shkelje serioze, EULEX-i i adreson këto me autoritetet përgjegjëse.

Çfarë pretendon Subotiqi?

Në një prononcimi për Radion Evropa e Lirë më 26 tetor, Subotiq pretendoi se ishte rrahur në stacion policor nga policët dhe se për të mbështetur këtë pretendim kishte fotografi dhe dokumentacion mjekësor.

Ai pretendoi se ishte arrestuar pa arsye dhe se ishte dërguar në një dhomë pa kamera, ku sipas tij, zyrtarët policorë e kishin lidhur dhe e kishin rrahur.

Por, Policia e Kosovës ka mohuar pretendimet e Subotiqit, duke theksuar se ai në orët e para të së shtunës, duke qenë nën ndikimin e alkoolit, kishte tentuar të shkaktonte dëm në një objekt tregtar.

Policia tha se e kishte arrestuar Subotiqin dhe më pas e kishte shoqëruar në stacion policor. Pas shqiptimit të një tikete për kundërvajtje, ai ishte liruar, sipas organeve të rendit.

Kjo nuk është hera e parë që pjesëtarët e komunitetit serb ankohen për sjelljen e Policisë së Kosovës. Në mesin e muajit shtator, disa aktivistë pretenduan se Policia kishte rrahur katër të rinj nga Mitrovica e Veriut, akuza që Policia i mohoi në atë kohë, duke thënë se ata ishin arrestuar për sulm ndaj një zyrtari.

Edhe shoqëria civile ka kohë që thotë se Policia ka "trajtim diskriminues" ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe se në disa raste ka edhe përdorimi të tepruar të forcës.

Më herët, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës i ka thënë REL-it se janë në dijeni për ankesat e qytetarëve nga komuniteti serb sa i përket punës së Policisë dhe se janë duke bashkëpunuar ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës.

Nga kjo ministri kanë shtuar se janë duke bërë një fushatë për sensibilizimin e qytetarëve që rastet t'i raportojnë në Inspektorat, nëse mendojnë se Policia nuk po i trajton siç duhet./ REL

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?