Sondazhi i Report Tv

Eduard Zaloshnja: Më pak votues për PS-në në Qarkun Tiranë, por edhe më pak për PD-në…

31 Tetor, 16:07| Përditesimi: 31 Tetor, 19:16

  • Share

Si ka mundësi që PS-ja ka aktualisht në Qarkun Tiranë pothuaj të njëjtën përqindje votash të banorëve të këtushëm si të para katër vjetëve, pyeti një analist në emisionin RePolitix, kur prezantova rezultatin e një sondazhi që zhvillova për Qarkun Tiranë.

Përgjigjia e kësaj pyetje është thjesht arithmetikore: Për PS-në votojnë sot më pak zgjedhës të këtushëm se para katër vjetësh, por ndërkohë, edhe numri total i atyre që janë gati të votojnë qysh sot për të gjitha partitë më rezultoi në sondazh më i vogël se i atyre që votuan para katër vjetësh.

Për ta ilustruar me një shembull të thjeshtë numerik argumentin e mësipërm, le të supozojmë se një parti merr 50 mijë vota nga 100 mijë gjithsej – përqindja e saj është 50% në këtë rast hipotetik. Dhe në qoftë se në një kohë të mëvonshme, ajo merr 40 mijë vota nga 80 mijë gjithsej, përqindja i mbetet po 50%!

Pikërisht një situatë e ngjashme arithmetike më rezultoi me përqindjen e PS-së. Pavarsisht se numri i votuesve të saj është ulur në krahasim me 2021-shin, përqindja e votave të saj mbetet 48.5% tek votuesit e këtushëm (vetëm 0.2% ndryshim), sepse edhe numri gjithsej i votuesve të vendosur me banim në qark është ulur në krahasim me 2021-shin.

Po situata e PD-së si ka ndryshuar?

Numri i votuesve të saj është ulur edhe më shumë në krahasim me 2021-shin. Si rrjedhojë, përqindja e votave të saj ndër votuesit e këtushëm është ulur nga 39.1% në 33.7%. Kjo edhe pse numri gjithsej i votuesve të vendosur me banim në qark është ulur në krahasim me 2021-shin.

Po situata e partive të reja si duket?

Në vitin 2021 ishin 4 parti të reja në garën e Qarkut Tiranë – Nisma Thurja, Lëvizja për Ndryshim, Lëvizja e Re, dhe Vetëvendosja. Ato morën vetëm 2.04% të votave në qark. Ndërsa tani janë shtuar edhe 10 parti të reja. Në total, partitë e reja më rezultuan sot me 14.2% të votuesve të vendosur me banim në Qarkut Tiranë.

Gjysma e rritjes së tyre u regjistrua nga votues që s’kishin votuar më 2021 (për shkak të moshës apo të arsyeve të tjera). Me pak fjalë, votuesit e partive të reja mund të konsiderohen aktualisht si protestues elektoralë ndaj partive të vjetra. Por historia elektorale e Shqipërisë ka treguar se entuziazmi fillestar për partitë e reja zbehet kur afron dita e zgjedhjeve…

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?