Programacion

E Diel
22
Maj
E Hënë
23
Maj
E Martë
24
Maj
E Mërkurë
25
Maj
E Enjte
26
Maj
E Premte
27
Maj
E Shtunë
28
Maj
E Diel
29
Maj
E Hënë
30
Maj
E Martë
31
Maj
Kultura

'Dyzet letra dashurie'

13 Maj, 11:18| Përditesimi: 13 Maj, 11:27

E dashur Nasta (Fatmira Aliaj). Pas leximit të librit, “Dyzet Letra Dashurie”, nuk mund të drejtohem ndryshe, veçse me një letër. Është ndër më të bukurit libra, që mund të jetë shkruar në situata luftrash apo sëmundjesh pandemike. Periudha që zotërohen prej së keqes. Kur dëshpërimi prej humbjeve, krijon një ankth paniku. Nuk ka mjek dhe kurë ilaçesh të shërojnë dëshpërimin. Po, ti e dashur, e bën këtë mjeshtërisht me, dyzet letra dashurie. Një dashuri e madhe, mbetur e përjetshme. Dashuria konsumohet si gjithçka tjetwr. Vjen një ditë dhe tretet. Po, libri yt është pasqyrimi i një shpirti të bukur, ndaj nuk shter kurrë. As në kohë për të vdekur. Ai rilind prej dashurisë. Dashuri, mbetur ashtu e pa cënuar dhe kur u shua ylli i saj. Skalitur në pentagram me notat muzikore, të një preludi me erwmim dashurie.

Librin e shkruar bukur e lexova vetëtimthi, ashtu si dhe dy librat e tjerë që mbajnë firmën tënde. Sinqerisht, kur librin e mora në dorë nënshkruar prej teje, përpos kënaqësisë, mendova: Si mund të lexoja përsëri dyzet letra dashurie, pasi isha mrekulluar nga letrat e Kafkës derguar Milenës së tij. Dashuri dhe vuajtje, më stilin e përveçëm kafkian. Dhe më pas e velur, prej letrave të Simone de Beauvoir. Mbi treqind letrat e një gruaje si Simona. Herë e butë, herë intelektuale e fortë, apo liberale e përkëdhelur, dërguar dashurisë së saj amerikane, me Elson Algren.

Me duhej të shkëputesha prej tyre ca kohë, duke menduar se; ç’mund të ketë shkruar Nasta më bukur se aq. Por kisha gabuar. Libri rridhte si ujvarë, që rrjedh nga mali, i kristaltë dhe e pi me etje. “Të përshëndes me “love story” të Bethovenit, më pëlqen ta dëgjoj herë pas here. Sot kam dëgjuar i mbyllur në studio, tërë ditën muzikë klasike. Kam qenë në një botë tjetër, në atë të hiçit. Kështu është natyra ime, si valët e detit që herë pas here përplasen në breg dhe kthehen përsëri të lodhura.  Ndërsa tani kam gjetur bregun tim të preferuar, ku dua të prehem. Nuk më mban dot bregu im e dashur. Ç’trishtim! Ç’padrejtësi! Je lumturia ime më e madhe, je trishtimi im më i thellë! Yti, Giorgio! “ shkruante ai mallëngjyeshëm.

Ti,e dashur mike, je e guximshme, rrok tema sqimtare të kohës.Sa e vështirë është për një autor të rrokë këto tema të jetuara çdo ditë. Me ankthe të papritura, bukuritë e pakta ku vështirësitë e mëdha, kanë mbërthyer njerëzimin ngado. Në veçanti një vend të vogël mbushur me çudira.

Një libërth me format të vogël, dyqind faqesh. Roman modern i kohës, nga i cili mëson gjera të mëdha. Shpirti nuk fshihet dhe gjithka që lind prej tij, mbetet aty. Vendosja primare e vemendjes në familje. Kultura, edukata në mardhëniet njerëzore. Durimi dhe përmbajtja ndaj sfidave të jetës… Në një kohë, kur mendja dhe zemra, ndodh që rahin diku larg. Ekujlibri qytetar dhe sjellja e kulturuar, komunikimi i mençur me familjen në situata dhe kohë të vështira. Respekti për njerëzit dhe përmbajtja në secilin rast, edukujnë brezat. Se, në të gjitha ndodhitë e dhimbjeve të zemrës, në të cilat vendosen shpesh njerëzit. Familja është e shenjtë dhe nuk duhet cënuar.

Përzgjedhja për të vendosur në qëndër të librit, një artiste të operas, si përsonazhin kryesor, është klasi që ti zgjedh. Duke zhdërvjellë imagjinatën tënde, apo dëshirat e heshtura të saj. Mbyllja e një artisteje, larg artit për muaj të tërë, brenda mureve të shtëpisë. Izolim stresant, që dëmtoi artin ngado në botë. Edhe më fort artistët, që e kanë të vështirë të jetojnë larg këtij profesioni pasionant e jetik. Kjo gjasë e bën Evën, personazhin kryesor, të tregojë botën e librit, nwpwermjet botës së saj shpirtwrore. Përjetimi i fortë i një dashurie të madhe, nëpërmjet kujtimeve. Një mardhënie dashurore e pa realizuar në martesë, për shkaqe politike të sistemit ku jetonim.

Dashuria me Xhorxhon, lindi në skenat e Operas së Palermos. Të dy luanin rolet kryesore të dramës shekspiriane. Nën muzikën e magjike e tronditëse të kompozitorit Giuzepe Verdi.  Dezdemona, e luajtur nga Eva, artistja shqiptare, e cila mbytet nga xhelozia e të dashurit Otello, artistit, italian Georgio. 

Edashur Nasta! Ti, zgjedh pikërisht Operan e Verdit dhe tragjedinë e Shekspirit, Otello-n. Duke tronditur dashurinë e madhe e të pamundur të dy artistëve. Të cilët nuk njohin kufij. Dashuria e tyre është e destinuar të vdesë, pikërisht nga xhelozia e një sistemi që i fundoste dashuritë. Ne, të cilët e jetuam atë kohë dhe lexojmë librin tënd; “Dyzet letra dashurie”. Sipas përjetimeve tona, formulojmë kuptime të modifikuara. Libri yt, komunikon aq thjesht dhe aq bukur me lexuesin. Të rinjve të sotëm u duken histori triller. Bukur edhe ata që e mendojnë kështu, se në dashuri, art dhe muzikë nuk ka politikë.

Eva ruan si relike të shenjta dyzet letrat e Xhorxhios, kur ata të detyruar të ndaheshin nga pamundësia për t’u bashkuar. Ndarja përfundimtare e saj shekspirjane, do të vinte pikërisht prej atij kufiri i ashtuquajtur “komunizëm”. I cili ishte varrëmihësi i ndjenjave të vërteta.

letrat kishin vazhduar për aq kohë sa Eva, nuk kishte vendosur të krijonte familjen e saj. Ndërsa disku me muzikën e kënduar nga të dy, në veçanti operan që i bashkoi, Otellon. Ajo e dëgjonte shpesh, në mjedise familjare dhe në vetmi. Në kujtim të asaj dashurie, megjithëse e ndërprerë; atë shpesh e lumturonte. 

Libri yt mike e mirë, sjellë kujtimet të mbledhura në formën e një orteku, i cili të zë nën vete. Po ti e dashur, je e kujdesëshme. Eva jote është një zonjë klasi, që di t’i ndajë dhe kapërcejë këto situata, me komunikimin dhe kulturën e saj të lartë. Me dashurinë dhe respektin për familjen.

Otellua i saj, Xhorxhi, është një kompozitor dhe këngëtar Italian, me një dashuri të përveçme për Evën, të pacënuar nga askush. Jo vetëm brenda shpirtit po edhe brenda muzikës së tij. Ai nxjerr mallin duke kompozuar me imazhin e Evës, gjithçka për të është, Evë.

Libri arrin kulmin, kur Eva në lajmet e shpeshta për pandeminë, të cilat i dëgjonte edhe në stacionet e huaja. Në një stinë pranvere plot mistere, tronditet thellë. Dëgjon emrin e Giorgios, artistit Italian, në rrezik për jetën nga pandemia, covid 19.  Dashurinë, që kishte aq shumë vite pa e parë. 

Ankthi, dhe dëshpërimi i saj, nga pamundësia për të udhëtuar prej mbylljes së kufijve botërorë, përcillet dhimbshëm. Përshkruar realisht transmetohet mbi lexuesin me përjetimin, se ç’do të bënim ne, në këtë rast. Po, Eva jote, di më së miri. Në çaste vetmie, shkon te letrat, i lexon të gjitha, të dyzetat” Mos ke ardhur të festojmë bashkë Krishtlindjet ?

Zgjas dorën midis flakëve të të rrëmbej, po ti zhdukesh përsëri. Zbraz gotën me verë mbi dorën e përcëlluar. Mua e dashur më djeg zjarri.  Me dorën që më kullon pika, pika nga vera e kuqe, gëzuar ditëlindjen ëngjëlli im, Zoti qoftë me ne!”

Nuk janë aspak të mërzitëshme. Nuk janë as edhe kafkiane e as Simone de Beauvoir. Janë thjesht, dashuri dhe dhimbje. Shkruar bukur, duke mbartur shumë mall dhe muzikë

“Shpirti im.

Nuk e di se ku je dhe më ç’farë po bën në këto momente. Unë kam dal në ballkon të marr pak ajër. Vura re se kanë çelur tre trëndafila. Njëri ngjyrë blu, tamam si ngjyra e syve të tu, krejt të veçantë, tjetri i kuq, si buzët e tua të plota dhe i treti i bardhë, si qafa jote e bukur. U mundova ti bashkoja e të formoja fytyrën tënde aq të hijshme por nuk munda ndaj prisja të paktën të më lajmëroje që nuk do të vije në Paris. Vërtetë ishte propozimi im ky udhëtim, po ti e prite me shumë kënaqësi. Përveçse do të ishim të dy, kishe dhe një arsye tjetër, do të shikoje operën “Traviata”, të shfaqur nga trupa jonë atje. Natyrisht arsyeja kryesore ishte, të rrinim disa ditë bashkë. Ç’lumturi do të ishte. Ç’lumturi e përmbysur”

Letrat, janë të ndërthurura bukur me tekstin ndërmjetës, ku lidhen e ndërlidhen kohët. Koha në të cilat janë shkruar, lexohen, apo rilexohen.

Fundi i librit është një përjetim sublim i një dashurie të përjetshme. Midis dhimbjes së madhe nga humbja e një jete të mbushur plot kujtime malli. Xhorxhi në çastet e fundit, i jep porosi mikut të tij, të përcillte me postë elektronike, një letër dhe dy formatet me kompozimin e tij të fundit, të quajtur “Eva”. Ai tashmë i pashpresë për jetën, i kërkon që ajo ta luajë në piano, ditën që ai do të përcillet në banesën e fundit, larg saj në Palermo.”

“Giorgio ti duhet të jetosh, duhet patjetër!” i përgjigjet ajo… Po ai shkruante: nuk mundem,  më ka vdekur shpresa”

Partitura e një kompozimi enkas për ditën e largimit nga kjo jetë.” Nuk të lutem, po të urdhëroj Eshtë dëshira e fundit. Evën e trondit thellë, dashuria e saj, të vetmen herë e urdhëron!

 E përlotur, ulet në pianon e saj, të cilën e afron tek dera e hapur e ballkonit. Ndërsa jashtë vesonte shiu. Luan mbi tastier si asnjëherë më parë. Duke derdhur mbi të shpirtin. Tingujt e saj kapërcyen, ajrin, qytetetet, kufijtë dhe detet. Forca e dashurisë,nëpërmjet tingujve të pianos kompozuar nga Giorgio enkas për të. Ishte preludi i një dashurie, që do jetonte gjatë, në notat mbi partiturën e dërguar me postën elektronike“ Për ty Eva”, Nuk te lutem, po të urdhëroj “

Njerzit rrotull ndwrtesave dhe kalimtarët ndalojnw e dëgjojnë, tingujt e dhimbjes, duartrokasin dhe përshëndesin me duar. “Bravooo Evaaa!  E zgjuan nga një ëndër. Të dehur nga muzika, kërkuan ta dëgjonin përswri e pwrswri. Duartrokitwn fort.Ajo, vazhdonte ti binte pa pushim duke sfiduan vdekjen.

 “Këto duartrokitje janë për ty, dashuria e madhe e jetës sime. Për ty, Giorgio!” Mendoi me vete e përlotur.

Pikat e shiut trokisnin lehtë mbi xhamat e derës së hapur të ballkonit. Zhurma e tyre i solli në kujtesë vargjet  brilante, të Universalit  Kadare.

Sa herë shiu në qelq do të trokasë, /Ti do vish këtu, dhe në mos ardhsh, / Qofsh si muzikë, si pikëllim, apo si kryq, / Unë do të të njoh e do të çohem vrik, / Dhe si ai guaskës perlën ia merr, / Nga muzika, kryqi, a vdekja do të nxjerr.

E dashur Nasta, të njoh prej kohësh si një mike të dashur të sinqertë që shkruan libra të kohës me shumë përkushtim. Si një qytetare që e do vendin tënd dhe njerzit. Ky libër na tregoi shpirtin tënd të bukur, të pasqyruar me një art të rrallë. Duke lexuar “Dyzet letra dashurie”, u përlotëm nga dashuria dhe muzika e bukur e cila mban brenda zërin tënd.

“Të dua “, gjithmonë më është dukur pak për ty, sepse për ato muaj që të njoha, jeta ime mori drejtim tjetër, më ndryshove dhe më bëre të kuptoj se çdo dhimbje vjen nga dashuria dhe çdo dashuri vjen nga dhimbja.”

 Nasta e dashur, sa bukur ti, di të tregosh, si duhet t’i kapërcejmë situatat e vështira. Stuhitë që vërshojnë shpesh nëpër koridoret e jetëve tona. E në këtë rast, një pandemi shfarosëse, kishte humbur kuptimin e jetës. Eva jote, e mbyllur brenda apartamentit të saj, në rolin e zonjës, të gruas, të artistes, të nënës, shoqes e mikes. Ishte një mbështetëse e fuqishme e njërëzve rreth saj. Ajo, ka përforcuar më së miri, kuptimin e vërtetë të jetës.

E.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Presidenti i ri duhet të jetë i PS apo i opozitës?