ish-kreu i Operacionales, Oltion Bistri

Dosja ‘Metamorfoza’/ SPAK i sekuestroi pasuritë ish-kreut të Operacionales Oltion Bistri, shtyhet gjyqi! Kompania ‘Arlis’ kërkon kthimin e 5 apartamenteve: Kontrata u prish!/

1 Tetor, 13:56| Përditesimi: 1 Tetor, 14:03

  • Share

Tiranë- Në Gjykatën e Posaçme, është zhvilluar këtë të martë (1 Tetor) seanca e radhës me palë kërkuese kompaninë “Arlis Ndërtim”, të Armand Lilos, pasi SPAK ka sekuestruar 5 apartamente për llogari të hetimit ndaj ish-shefit të Operacionales Oltion Bistri, që ia kishte blerë kësaj kompanie.

Në këtë seancë, Gjykata dhe Prokuroria u njohën me disa akte të sjella nga përfaqësuesit ligjor të kompanisë “Arlis”, teksa u caktua data 9 Tetor, në orën 12:00, të mbahet seanca e radhës, ku palët do të bëjnë debatin gjyqësor mbi pretendimet përkatëse.

Brenda kësaj kohe, gjykata i kërkoi përfaqësuesve të kompanisë që të sillnin disa formularë që mungonin në materialet e depozituara.

“Arlis Ndërtim”, kërkon rimarrjen e pronave me argumentin se kontrata e blerjes me Bistrin ka qenë e prishur përpara se ai të arrestohet. “Arlis” pretendon se Bistri kishte porositur 5 apartamente në ndërtim, madje kishte bërë edhe pagesën, por që pas disa kohësh pretendoi përfaqësuesi ligjor i kompanisë, kërkoi prishjen e kontratës, pasi nuk donte t’i blinte apartamentet dhe kontrata ishte zgjidhur.

Por SPAK ra në gjurmët e pronave gjatë verifikimeve në fazën hetimore, ku rezultoi sipas saj se, pronat ishin si pjesë e pasurisë së drejtuesit të policisë dhe për këtë mori masën e sekuestros së 10 apartamenteve e 22 dyqaneve, 1 vile, sipërfaqe trualli 200m2, një garazh dhe një automjet tip “Range Rover” viti 2012, me vlerë totale 3.1 milionë euro.

Gazetarja e Report TV, Keti Banushi, tha se sipas SPAK, ka indicie dhe dyshime se pasuritë janë vënë në emër të tij dhe të familjarëve me burime të paligjshme, teksa dosja “Metamorfoza” provoi lidhjet e ngushta të Bistrit me investitorin strategjik Pëllumb Gjoka. Këtë të fundit Bistri e informonte për operacionet policore kundër lojërave të fatit.

Në momentin që Bistri dyshohet se u sinjalizua për hetimin pasuror, nisi të heq dorë dhe të revokonte prenotimet në prona. Aktualisht ai po kërkon heqjen e sekuestros në Gjykatën e Lartë.

Po sipas hetimeve të SPAK, zyrtari i policisë arriti t’i revokonte gjysmën e kontratave, por i mbeti pjesa tjetër, teksa pas arrestimit në paraburgimin e Durrësit, mbërrin e shoqja bashkë me noteren, të cilës i jep prokurë për të kryer veprime në emër të tij.

Në të njëjtën kohë, SPAK nxitoi të kryente verifikimet përkatëse që e çuan drejt vendosjes së sekuestros preventive mbi këto pasuri. Kërkesa e prokurorisë për sekuestron u miratua në Shkallën e Parë dhe të Dytë të Gjykatave Antikorrupsion.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?