Charles Leclerc

Dorëzohet Charles Leclerc: Mund të fitojmë titullin si ekip, ai për pilotë është ende ‘në sirtar’

22 Tetor, 13:34| Përditesimi: 22 Tetor, 13:36

  • Share

Charles Leclerc i Ferrarit ia doli që pas 56 xhirove në pistën e Austin në Texas të fitonte Çmimin e Madh të SHBA-së në Formula 1. Paçka se u nis i treti, monegasku përfitoi që në kthesën e parë nga dueli Norris-Verstappen dhe rikuperoi menjëherë dy pozicione, për mos e lëshuar vendin e parë. Pas tij Carlos Sainz, shoku i skuadrës që sjell më shumë besim te Ferrari për triumfin ekipor në fund të sezonit.

Nga zhgënjimi në Singapor dy muaj më parë te triumfi i dyfishtë në Amerikë. Është e qartë që në 'Maranello' kanë punuar fort për të rikthyer Ferrarin protagonist në pistat e Formula dhe e deri diku e prisnin rikthimin triumfues.

Përditësimet e sjella fillimisht në Monza e më pas në garat e tjera kanë dhënë efektin e duhur te “Kokëkuqja”, që tani e sheh vetën në garë për të dueluar për titullin kampion për konstruktorë.

“Nëse bëjmë gjithçka mirë dhe vazhdojmë të përfundojmë përpara McLaren deri në fund të sezonit do të jemi në gjendje t’i parakalojmë në renditje dhe të fitojmë titullin për konstruktorë, duke llogaritur vetëm veten dhe paraqitjet tona.

Kishim kohë që prisnim një triumf të tillë. Përsa i përket titullit për pilotë asnjëherë nuk themi kurrë, por për t’u shpallur kampion aty duhet edhe pak fat. Aty ëndrra është ende në sirtar”, u shpreh Charles Leclerc.

Pesë gara nga fundi i sezonit, e radhës në Meksikë fundjavën që vjen, gara për triumfin final sa vjen e bëhet më e fortë. Në renditjen ekipore, McLaren me 544 pikë mban vendin e parë, ndjekur nga Red Bull me 504 pikë dhe më pas vjen Ferrari me 496 pikë.

Në nivelin individual prin Verstappen i Red Bull me 354 pikë, Norris i McLaren me 297 pikë dhe më pas Leclerc i Ferrarit me 275 pikë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?