Doreada Mio: Në kërkim të aromës së humbur…

30 Qershor, 08:07| Përditesimi: 30 Qershor, 11:24

  • Share

Nuk e di ju, po une jam si “e varur “  nga era e blirit.. Kur e ndiej për më së pari, çdo qershor, bëj lëvizje të pakontrolluara deri sa gjej pikën ku aroma vjen më e fortë dhe zhytem në një tjeter dimension.. Brenda një frymëmarrje si  në një film të vjetër e shoh veten 5 vjeç, duke ecur në një bulevard, përdore me një grua të gjatë, gjyshen time.

Po si ka mundësi që diçka e pakapshme, fluturuese, si një aromë, është në gjendje të shkaktojë  kaq shumë  nostalgji, melankoli, apo gëzim e  trishtim ?!

Vetëm tani vonë e kam mësuar se kjo quhet Sindroma e Proust-it, për të treguar një aromë, shije ngjyrë, veprim  apo send e cila arrin të rikthejë kujtime të së shkuarës në mënyrë të pavullnetshme, duke shkaktuar ndjesi emocionale dhe psikologjike të forta. Madje, në vitin 2004 dy kërkues shkencorë, Linda B Buck e Richard Axel, fituan cmimin Nobel pikërisht sepse zbuluan lidhjen mes receptorëve të nuhatjes dhe emocioneve. Këtë fenomen e pagëzuan “Efekti Madeleine”. 

Shumë shkrimtarë i janë referuar aromave si shkëndija nxitëse të kujtimeve të largëta. Një studim i kryer nga Universiteti Rockefeller në Nju Jork tregoi se një person mban mend 35% të asaj që nuhat, krahasuar me vetëm 5% të asaj që sheh, 2% të asaj që dëgjon dhe 1% të asaj që prek. Siç duket Marsel Proust e shpjegoi më mirë se gjithë të tjerët tek vëllimi i parë i kryeveprës së tij me 7 romane “Në kërkim të kohës së humbur”.

“.. E ja kështu, mekanikisht, i vënë përfundi nga dita gri e nga e nesërmja që parashikohej e trishtë, vura në buzë një lugëz çaji ku kisha njomur një copë biskotë Madeleine. Por, sapo shija ime përthithi atë gllënjkë të përzier, u drithërova, i etur të kapja gjithçka të mrekullueshme që po ndieja.. isha pushtuar i tëri nga një kënaqësi sublime, pa e ditur përse..”.

Sipas idesë së Proust-it, realiteti formohet vetëm në kujtesë, e cila është në gjendje të ruajë ndryshimet që koha u shkakton njerëzve.Të ruash memorien, sipas Proust, do të thotë të ruash identitetin!

Secili ka të vetën, era e barit të korrur, era e librave të rinj,  era e një gatimi të së dielës, e sipas një studimi për amerikanët  era e cimçakizit, na kthejnë në fëmijeri e nxjerrin në dritë momente të vecanta. Nuhatja jone nuk harron.

Ato janë aty, të ndryra  në kasafortën  e memories dhe, pa e ditur ne, na mbajnë dorën kur jemi në një moment të vështirë, apo na bëjnë të qeshim me shpirt kur jemi të gëzuar..

Kroatët e cilësojnë i blirtë muajin e gjashtë të vitit edhe për mua qershori mban era Blir…

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?