Detaje të reja nga atentati në 'Don Bosko'/ Autorët ndoqën prej ditësh lëvizjet e shënjestrës! Po i prisnin 30 minuta para tek lokali, përdorën targat e një makine tjetër

5 Shtator, 11:28| Përditesimi: 5 Shtator, 12:15

  • Share

TIRANË - Zbulohen detaje të reja në lidhje me atentatin e së martës (3 shtator 2024) në lokalin në "Don Bosko" ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.

Sipas burimeve, atentatorët kanë ndjekur prej disa ditësh lëvizjet e shënjestrës, kjo për faktin se autorët e pritur me makinë 30 minuta në afërsi të lokalit, të parkuar në një cep pallati.

Kjo tregon se ato ishin të mirë informuar se objektivi i tyre do të ulej në lokal. 2 të plagosurit kanë ardhur dhe janë ulur në verandë gjatë kohës që autorët i prisnin në afërsi.

Nga kamerat e sigurisë, autorët kanë lëvizur me automjet për t'u siguruar se janë ulur aty dhe kanë saktësuar tavolinën. Më pas janë rikthyer para lokalit, kanë kthyer makinën sepse rruga te pallati është rrugë qorre, kanë qëlluar dhe janë larguar menjëherë nga kanë ardhur.

Sa i përket itinerarit, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të grupit hetimor, u zbulua se makina ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes.

Të njëjtin itinerar ndoqi edhe në kthim, derisa e dogjën makinën në Qerekë, sapo kalon Kamzën.

Në Qerekë autorët kanë studiuar zonën më parë se ku do të digjej automjeti pasi zona nuk ka mbulim me kamera sigurie. Ndërkohë targa që ka qenë i pajisur automjeti i autorëve i përket një makine në Valias të Kamzës. Këto targa janë të dubluara dhe nuk ka pasur denoncim për vjedhje.

Kastriot Elezaj 45 vjeç dhe Renaldo Metushi 22 vjeç po pinin kafe në verandën e një lokali në mes të pallateve në këtë zonë, në afërsi të OSHEE-së kur nga një makinë është qëlluar drejt tyre. 45 vjeçari u plagos në krah dhe në mushkëri, ndërsa Metushi 22 vjeçar u plagos në këmbë.

Ende nuk dihet shkaku i kësaj ngjarje dhe kush janë autorët, ndërsa drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj u shpreh ditën e ngjarjes se dyshohet për 3 autorë. Vetë të plagosurit në dëshminë e tyre thanë se nuk kanë konflikte me njeri.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?