Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha

Dëshmia e anëtarit të “Grupit të Ballshit”, që mbrojtën Mehmet Shehun në ’82-in

27 Tetor, 22:00| Përditesimi: 27 Tetor, 22:11

  • Share

Vetëm pak muaj pas vetëvrasjes së ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, në vendlindjen e tij në Mallakastër, do të niste një fushatë ndëshkimesh dhe terrori.

Ishte koha kur populli i asaj zone, tepër i lidhur me figurën e Mehmet Shehut, kishte filluar pëshpëritjet e para rreth dilemës që mbartte vdekja e tij e papritur.

Dhe i mësuar tashmë me fenomenin “tradhti” në radhët e partisë, por edhe pasojat e tij, që nga koha e Koçi Xoxes, Enver Hoxha këtë herë nuk mund të gabonte. Ndëshkimi i disa kuadrove të zonës ishte mënyra më e mirë për t’i bërë të tjerët të ulnin kokën.

Më 27 shtator të vitit 1982, Gjykata e rrethit Fier, do të dënonte me burg, shtatë anëtarët e të ashtuquajturit “Grupi armik i Ballshit”, ndërkohë që familjet e tyre, do të vuanin internimin. Në gjyq të hapur, ku merrnin pjesë jo vetëm banorë të Mallakastrës, por edhe të Beratit dhe Vlorës, të akuzuarit do të përballeshin me dëshmi e dëshmitarë të sajuar, për t’u bërë kështu “pësim për të tjerët”.

Por cila ishte akuza dhe krimi i anëtarëve të këtij grupi? Si lindi veprimtaria e tyre “armiqësore” dhe cila ishte bindja e vërtetë e tyre, në lidhje me vetëvrasjen e Mehmet Shehut.

Muhamet Xhaferri, një prej të dënuarve në këtë grup, tregon skenarin e montuar, për t’i ulur kokën popullit të Mallakastrës.

-Zoti Muhamet, ju jeni dënuar me tetë vjet burg, duke u cilësuar si “anëtari i grupit armik të Ballshit”, si nis kjo histori?

-Që të përshkruash të gjitha ato ngjarje në atë kohë, është shumë e vështirë. Pas vrasjes së Mehmet Shehut, në Mallakastër filloi një terror i kuq. Ishte momenti kur njerëzit brenda familjes, survejoheshin nga pjesëtarët e familjes, p.sh. babai kishte frikë nga djali, djali kishte frikë nga babai, gruaja nga burri dhe burri nga gruaja. Arriti që brenda familjes, njerëzit të flisnin me shenja.

Këtë e kam përjetuar edhe vetë. Kishte ardhur momenti kur duhej goditur një elitë në Mallakastër, për të mos folur kundër Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës. Në atë kohë, unë kam qenë drejtor i Kulturës në Kooperativën e Bashkuar, të fshatit Dukas. Kisha ardhur nga Fratari dhe kisha bërë një punë të mirë aty, me grupet folklorike. Isha në kulmin e punës. Në janar të vitit 1982, kam regjistruar grupin e parë në televizion, me regjisore Vera Grabockën dhe Merita Zykon. Pasi doli ky grup në RTSH, filloi edhe përndjekja.

Synimi kryesor ishte që të goditeshin kuadrot kryesorë dhe me influencë. Në Mallakastër u piketuan familjet e mira në zë, por edhe që ishin në punë të mira shtetërore. Kjo filloi që në janar të vitit 1982 dhe vazhdoi deri në shtator, momenti kur ne u arrestuam. Gjatë kësaj kohe, u vunë në punë ish-sigurimsat, ata që punonin nëpër zona dhe çdo person nga këta kishte qëllim, që fjalët e të tjerëve, t’i përdornin si argumente për në gjyq. Pra, çfarë mund të thoshe ti, që të dënoheshe. Me tre dëshmitarë, në atë kohë dënoheshe. Dhe secili nga ne, anëtarët e grupit të Ballshit, kishte tre dëshmitarë. U piketua që në Ballsh, të goditej një grup prej shtatë vetash.

-Nga ishte bërë ky piketim dhe përse duhej të goditeshin pikërisht familje të caktuara?

-Ky piketim ishte bërë nga diktatura e komuniste, nga nomenklatura. Mallakastra duhej të nxirrte patjetër, një grup armiqësor, në mënyrë që gjithë popullit, t’i ulej koka dhe njerëzit të mos flisnin atë që mendonin, në lidhje me vrasjen e Mehmet Shehut. Madje u hartua edhe një gjeografi e goditjes, duke u përfshirë pak a shumë, të gjithë fshatrat e zonës: unë isha nga Çorushi, Musa Bega nga Çorushi, Kastriot Shehu nga Hekali, Hekuran Yzeiri (Qazimi) nga Aranitasi, Selfo Pasha nga Kremenari, Hasan Basha ishte nga zona e Fierit, Ferrik Hyseni ishte nga Greshica. Pra u piketuan fshatra, por edhe kuadro përfaqësues të tyre. Dhe kjo piketë u finalizua më 21 shtator 1982.

-Si e kujtoni momentin e arrestimit tuaj?

-Në vitin 1982, pas demaskimit publik që i është bërë Selfo Pashës në Ballsh, unë kam qenë në plazh me leje të zakonshme. Në 15-ditëshin e dytë të plazhit, jam thirrur në Komitetin e Partisë në Fier. Aty ka qenë Zylyftar Ramizi, ish-sekretar i Komitetit të Partisë të Fierit dhe më tha: “Tregoi hapur Partisë. Ke agjituar kundër partisë dhe pushtetit popullor. Çfarë ke thënë dhe çfarë ke bërë”? “Nuk e kuptoj këtë”?! i thashë. “Ik mendohu dhe do vish t’ia tregosh partisë”. “Po çfarë kam thënë unë, atë që ka thënë gjithë populli i Mallakastrës”, ia ktheva. Pra me pak fjalë, ky ishte një hetim i bërë nga partia.

-Faktikisht, kishe thënë gjë?

-Normalisht, ishte edhe një zgjedhje krahinore. Kjo figurë kaq e madhe, si Mehmet Shehu, në një periudhë as një muaj, nga hero legjendar, kthehet në poli-agjent. Ne nuk mund të bindeshim kaq kollaj dhe nuk e besonim një veprim kaq pervers. Madje në atë kohë, doli një letër me 12 faqe, që sqaronte që nga lufta e Spanjës, veprimtarinë e Mehmet Shehut, si poli-agjent. Kemi lëvizur nëpër fshatrat e Mallakastrës, të tregonim pse Mehmeti ishte armik. Më kujtohet që në fshatin Belishovë, u ngrit një plak dhe na tha: “T’i dërgojmë letër ngushëllimi Mehmet Shehut”? Pra edhe unë, si shumë intelektualë të asaj kohe, në një kuadër e situate të tillë, nuk isha i bindur. Dhe ky ishte momenti i duhur për goditje.

-Ç’ndodhi pas vërejtjes që Zylyftar Ramizi, ju bëri në Fier?

-Pas takimit tim në Fier me Zylyftarin, erdha në Ballsh. Atë natë në orën 23:00, u bë mbledhja me sekretarin e parë, Koli Xhaxha, i cili veç të tjerave, shtoi: “Do t’ju fus në burg, të gjithë ju mallakastriotëve, sepse keni mbrojtur Mehmet Shehun”. Pak ditë më vonë, më pezulluan edhe nga puna, derisa më 21 shtator të vitit 1982, erdhi momenti i arrestimit.

Kam qenë në shtëpi. Ishte ora 23:00 e mbrëmjes, dhe pasi kisha ngrënë darken, po lexoja gazetën “Drita”, ndërkohë që fëmijët po flinin. Trokiti dera. Ishte i plotfuqishmi i zonës, i cili banonte pranë nesh. Derën ia hapi Shpresa, gruaja ime: “Keni ndonjë çikë raki në shtëpi, se më kanë ardhur disa njerëz”, tha ai. Në fakt kishte ardhur të shihte, nëse unë isha aty. Vetëm tre minuta pas largimit të fqinjit tonë, dera trokiti sërish. Këtë radhë hynë brenda dy policë, hetuesi dhe operativi i Sigurimit. Hetues ishte Pjetër Ndreca, dy policë të zonës, ndërsa Luftar Shehu, ishte operativ Sigurimi dhe mbajti një qëndrim jashtëzakonisht të keq.

Në moment më thanë: “Në emër të popullit je i arrestuar”. U kërkova të vishem, sepse isha me pizhame. Më shoqëroi polici dhe dola. Ndërsa gruaja më tha vetëm dy fjalë: “Në fund të fundit, burgu për burrat është”. Kur zbrita shkallët, ndërsa “BÇ”-ja priste poshtë, nga dritaret kishin dalë të gjithë komshinjtë. Më kujtohet që më pyetën, se si doja të m’i lidhnin duart dhe pasi hipa në makinë, u nisëm drejt Fierit. Makina ka ndaluar para ish-Komitetit Ekzekutiv, vetëm 3 minuta. Aty operativi i Sigurimit, u lidh me dikë në radio dhe i tha: “27 u mor”.

-Po 6 personat e tjerë të dënuar me ju, kur janë ndaluar?

-Nga sa mora vesh më pas, të gjitha arrestimet, u bënë brenda 1 ore, me përjashtim të Selfo Pashës, që ishte arrestuar disa muaj më parë, dhe vjehrrit tim, Hekuran Yzeiri (Qazimi), i cili u ndalua dy ditë më vonë. Në fshatin Armen, në zborr, u arrestuan Musa Bega dhe Kastriot Shehu. Në atë kohë, u arrestua edhe Ferrik Hyseni, kurse Hasan Basha, ka ardhur nga Fieri dhe është arrestuar në mes të qytetit, ende pa zbritur mirë nga makina. Gjatë rrugës për në Degën e Brendshme të Fierit, Luftar Shehu më tha: “Shiko se nga familja juaj, do arrestojmë edhe dy të tjerë”.

Është një skandal, ose një çmenduri të mendosh, që për 4 ditë hetuesi, të bësh një gjyq dhe të dënosh me 133 vite burg, internim dhe pa të drejtë vote, një grup të ashtuquajtur armiqësor. Kjo gjë ishte një montim, që tregon se dënimet tona, ishin përcaktuar më parë.

-Keni pasur dhunë fizike gjatë hetimeve?

-Po u fute në hetuesi, do kesh edhe dhunë, por më tepër flitej për dhunë psikologjike, se sa fizike. Të paktën, unë flas për veten time. Për hetuesin tim, Pjetër Ndreca, mund të flas edhe fjalë të mira. Për më tepër, të gjithë ne që ishim kuadro të asaj kohe, njiheshim edhe me hetuesit. Një javë më parë, kisha pirë kafe me hetuesin që mori çështjen time.

-Çfarë kërkonte të nxirrte hetuesia përmes pyetjeve dhe ku ishin të përqendruar?

-Problemi qëndronte në faktin, që ne u quajtëm; “grup armiqësor, për përmbysjen e pushtetit popullor”. Ne si familje duheshim goditur dhe për këtë, duhej gjetur motivi. Shkaku ishte që ne nuk iu bindëm fjalës së Partisë, se Mehmet Shehu kishte vrarë veten.

-Nga e mësoi partia këtë fakt, me kë kishit folur?

-Regjimi i asaj kohe kishte sigurimsat, njerëzit e vet, spiunë, bashkëpunëtorë të Sigurimit që punonin me ne, pinin kafe me ne. Unë pata një koleg pune, një shofer nga fshati im dhe një koleg tjetër pune, nga fshati Drenovë, të cilët dolët edhe në pozicionin e dëshmitarit.

-Thatë më sipër që një grup në Ballsh, duhej goditur, mendoni që përzgjedhja juaj, është bërë nga Tirana, apo nga partia në rreth?

-Do të thosha që nuk mund ta ndaj, as Tiranën dhe as rrethin, sepse ishte një piramidë shtetërore, që vepronte që nga qoftëlargu (Enver Hoxha), e deri tek qeliza më e vogël. Pra ishte ndërtuar një sistem i tillë, që neni i agjitacion- propagandës, ishte neni më i fuqishëm i asaj kohe. Nuk mund t’i ndaj të dy këta elementë.

Ndërkohë që flasim për dënimin, shohim që shkaku është dyshimi juaj, në lidhje me vrasjen e Mehmet Shehut. Duke qenë se jeni nga i njëjti fshat me Mehmetin dhe u dënuat pikërisht për këtë fakt, a keni pasur ju njohje dhe marrëdhënie personale me të?

Jo. Nuk kam pasur njohje personale. Im atë kishte qenë në luftë me Mehmetin, por unë nuk njihesha absolutisht me të.

-Po marrëdhëniet tuaja me të tjerët që u quajtën pjesë e grupit?

-Hekuranin e kisha vjehërr dhe Musain e kisha kushëri, kurse me të tjerët, thjesht shoqëri.

-Me vjehrrin tuaj keni pasur biseda politike?

-Këto ishin sajesa dhe montime, për t’i ulur kokën mallakastriotëve, që të mos ndodhte si në ‘48-’49-ën, me goditjen e Koçi Xoxes. Ne nuk kemi folur për çështje të tilla, pastaj të gjithë mallakastriotët, dyshuan në vrasjen e Mehmetit, dhe e thashë më sipër, ne ishim vetëm shembull, për të zbutur rebelimin e mallakastriotëve, pas lajmit të papritur për vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe komenteve lidhur me tradhtinë e tij.

Procesi i arrestimeve mbaroi më 21 shtator të vitit 1982. Pas 4 ditësh hetuesi, erdhi momenti i gjyqit, që ishte dita më e tmerrshme. Më 27 shtator të vitit 1982, në orën 7 e 30, u nisëm me shumë përforcime, nga Dega e Brendshme e Fierit. Gjyqi do të mbahej në kinemanë e Ballshit. Ishte i hapur, me ftesa. Në gjyq merrnin pjesë kryetarë kooperativash, sekretarë byroje, kryetarë këshillash, anëtarë partie, përfaqësues të organizatave të masave, sepse duhej të ishte një gjyq shembullor. Nuk kishte vetëm mallakastriotë, por edhe nga Vlora e Berati, që nëse dikush do të fliste, kështu do ta pësonte, si ne. Kinemaja merrte 680 vetë, brenda ishte 2-3-fishi dhe 5-fishi qëndronte jashtë. Kryetar gjyqi, ka qenë Fehmi Abdiu.

-Kishte përfaqësues të lartë të shtetit në atë seancë?

-Ishin deputetët e zonës, madje të vendosur në rreshtin e parë.

-Po për dëshmitarët, çfarë mund të na thoni?

-Dëshmitarët ishin të gjithë alla-shahitë, siç i themi ne. Një prej tyre, ishte shok i imi. Kemi qenë bashkë në shtëpinë time në Çorrush dhe rrugës, duke u kthyer për në Ballsh, në makinë u hapën biseda politike. “Ç’ju duhen këto muhabete”, thashë unë. Por fjalët e mia ky shok, i çoi tek Shkëlzen Bajraktari, krye-hetues në Fier. Kurse dëshmitari tjetër, që ishte punonjës kulture, Agur quhej, erdhi në darkë tek unë në shtëpi, i futur nga Rako Kola, operativ Sigurimi i Uzinës. Në mes të natës u çua dhe pasi mori një foto të Enverit me Mehmetin, të cilën nuk e kisha hedhur dhe një libër të Mehmetit, nga biblioteka ime, u largua.

Ky fakt më doli si argument në gjyq. Më ka bërë përshtypje madje, që pas dëshmitarëve, aty u paraqit edhe mësuesja e djalit tim, që në atë kohë ishte në klasë të parë. Edhe pse shoqe me gruan time, ajo erdhi dhe deklaroi se; djali im, nuk recitonte vjersha për Enver Hoxhën, por kërkonte vjersha për xhaxhi Mehmetin. Gjë që edhe një here, dëshmon se kemi të bëjmë me një montim, sepse nuk kishte vjersha për Mehmet Shehun dhe një fëmijë 6 vjeçe, nuk kishte si ta bënte dallimin.

“Dënimi i grupit të Mallakastrës, në shtator 1982”

Njihet tashmë ndëshkimi i mallakastriotëve, menjëherë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Kreu komunist i shtetit dhe syri vigjilent i tij, duke iu ruajtur një rebelimi të banorëve të vendlindjes së ish-kryeministrit, bëri një goditje spektakolare, me gjyqe publike, për të “denoncuar veprimtarinë armiqësore”, si përthyerje e aktivitetit të “poli-agjentit” Mehmet Shehu.

Në shtator të vitit 1982, në qendër të qytetit të Ballshit, në një gjyq publik, do të dënoheshin me bujë, shtatë nga banorët e zonës, që deri në atë kohë kryenin funksione të ndryshme në administratën lokale.

Në krye të këtij grupi, do të ishte ish-shoku i viteve të luftës dhe invalidi i Brigadës I-rë Sulmuese, Hekuran Yzeiri (Qazimi), i cili kishte shprehur ndër të parët dyshimet e tij, për aktin e vetëvrasjes së kryeministrit Shehu. Ndërkaq do të dënoheshin edhe Selfo Pasha, Kastriot Shehu, Ferrik Hyseni, Hasan Basha, Musa Bega dhe Muhamet Xhaferri.

Letra për Mehmetin, do t’i kushtonte 10 vjet burg

Në kongresin e tetë të PPSH-së, vetëm pak kohë përpara se Mehmet Shehu të vriste veten, një prej miqve të tij të vjetër nga Mallakastra, shok lufte me të, ndërsa e shihte në televizor, vuri re pamjen e trishtuar dhe fytyrën e zbehtë të tij. I shtyrë nga ky fakt, Hekuran Yzeiri (Qazimi), njeri me pozitë në zonën e Mallakastrës, i shkroi një letër kryeministrit shqiptar, në të cilën e pyeste, për shqetësimin që reflektonte gjatë punimeve të kongresit: “Pse nuk të pashë mirë në kongres? Çfarë ka ndodhur? I zbehtë dole”?!

Por kjo letër, vetëm pak muaj më pas, kur Mehmet Shehu përfundoi në vetëvrasje, do të bëhej shkak për të kryqëzuar mikun e vjetër të kryeministrit, që me sa duket e kishte para-ndjerë fatin e keq të tij. Më shumë se kaq, për Hekuran Yzeirin, do të ishte torturues, sidomos “demaskimi”, pesë orë përpara qytetit të Ballshit. Dhe për më tepër gjendjen e tij, e vështirësonte fakti që duhej të qëndronte me një këmbë, sepse këmbën tjetër, e kishte humbur në luftë.

I dërguari Kadri Hazbiu në Ballsh, për të zbutur revoltën

Ndërkohë që Enver Hoxhës i kishin shkuar informacionet e para, për shprehjen e dyshimeve nga mjaft prej banorëve të Mallakastrës, në lidhje me aktin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut, çoi aty për të “shëndoshur” gjendjen, një nga njerëzit më të besuar të tij dhe një ndër figurat më popullore të zonës së Mallakastrës, ish-ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu.

Siç kujtojnë ish-të dënuarit, që kanë qenë pjesëmarrës në atë mbledhje, ai ndjehej ngushtë dhe hera-herës, edhe vetë nuk dinte si t’u përgjigjej, mjaft prej pyetjeve të njerëzve të thjeshtë të Mallakastrës, që me sa dukej, nuk e kishin kapërdirë lajmin e politikës, për tradhtinë e bashkëfshatarit të tyre.

E megjithatë, Kadri Hazbiut, s’i mbeti gjë tjetër, vetëm të citonte shprehjen standarde të tij, duke u bërë thirrje mallakastriotëve, t’i qëndronin besnikë Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës. Për ironi të fatit, vetëm pak ditë pas këtij takimi, Kadri Hazbiu do të dilte vetë “tradhtar i partisë dhe popullit” dhe do të kryqëzohej në gijotinën e përbindëshit komunist. /Marrë nga Memorie.al/

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord të falen gjobat për ndërtimet pa leje në fshat e 'Covid19'?