Shpërthimi me 2 të vdekur në magazinën në Lushnjë, deputeti i PS, Bujar Çela pyetet 2 orë në SPAK: Isha si person në hetim (VIDEO)

30 Tetor, 12:19| Përditesimi: 30 Tetor, 12:24

  • Share

TIRANË- Për herë të parë, deputeti i PS, Bujar Çela pyetet në SPAK për shpërthimin me 2 dy të vdekur në magazinën në Lushnjë në pronësi të tij. Report Tv solli pamjet ndërsa Çela futej në SPAK, ndërsa në përfundim të marrjes në pyetje për rreth dy orë, deputeti nuk foli gjatë për mediat, por theksoi se shkoi si person në hetim.

Avokati tha se klienti i tij është në gjendje jo të mirë shëndetësore, ku shpërthimi ka lënë pasoja që nuk janë rikuperuar. Për këtë arsye, avokati tha se deputeti nuk dha shumë deklarime. 

“Nuk na është njoftuar akuzë, është person në hetim. Për shkak të gjendjes shëndetësore nuk dha dot deklarim të saktë, por është sekret hetimor. Do t’iu sqarojmë në një moment të dytë”, tha avokati i deputetit.

Deputeti Bujar Çela u akuzua fillimisht nga Prokuroria e Fierit për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, “ndërtim të paligjshëm”, dhe “shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”. Çështja ndaj Çelës iu transferua për kompetencë Prokurorisë së Posaçme, teksa kjo e fubdit ende nuk ka dalë në konkluzione konkrete lidhur me shpërthimin fatal.

SPAK ka urdhëruar kryerjen e një sërë veprimeve, ndërsa është në pritje të konkluzioneve që do të nxirren mbi shkaqet. Pas kalimit për kompetencë tek SPAK i dosjes hetimore, Prokuroria e Posaçme zbriti në GJKKO kërkesën për rivlerësim të masave që kishte caktuar Gjykata e Fierit.  

Shumica e personave në hetim janë pa masë sigurie, ndërsa i vetmi që u arrestua ishte Leonard Gjini, kompania e të cilit kishte marrë përsipër punimet.  Edhe ky i fundit qëndroi në qeli vetëm 2 ditë, duke u liruar pa asnjë masë, teksa GJKKO tha se mungon dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Deputeti i PS Bujar Çela është nën hetim pas aksidentit në 1 mars të këtij viti në magazinën në pronësi të tij, që i mori jetën 2 punëtorëve babë e bir dhe solli plagosjen e 7 të tjerëve, përfshirë edhe deputetin Bujar Çela, i cili iu nënshtrua edhe një operacioni. 

Viktimë mbetën Roland dhe Elidion Hoxha 51 e 24 vjeç, të cilët kanë qenë në vinçin që ra në kontakt me linjën e tensionit të lartë dhe shkaktoi shpërthimin, në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Plasmasit" në Lushnje. 51 vjeçari humbi jetën brenda në vinç, ndërsa djali i tij ndërroi jetë disa orë më pas rrugës drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

S.B//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?