Butrinti, Majko akuza qeverisë: Keni ndryshuar kufijtë e zonës së mbrojtur! Dule: Qeveria ka dhënë pronën e manastirit ortodoks për ndërtimin e një resorti

10 Maj 2022, 10:06| Përditesimi: 10 Maj 2022, 16:20

  • Share

Pandeli Majko ishte ai që këtë herë i ngriti tonet për planin e menaxhimit të parkut të Butrintit që sipas fondacionit amerikano-shqiptarë, pritet të sjellë 100 milionë dollarë përfitim ekonomik nga zero aktualisht. Majko akuzon qeverinë ka ndryshuar kufijtë e zonës së mbrojtur në fillim të  vitit duke ia hedhur barrën ADF.

‘Në kohën që diskutojmë kemi bërë edhe planin, 2 muaj para ju ndërroni kufijtë. Mund ta kalonit pas, nuk mund ti vini peshë marrëveshjes me fondacionin shqiptaro-amerikan.’- u shpreh Majko.

Por zëvendës ministrja e Turizmit, argumenton se ky është një ndryshim i cili ka nisur në vitin 2020 për të gjitha parqet e vendit, duke hequr nga zonat e mbrojtura ato hapësira që i kanë humbur karakteristikat.

‘Është zvogëluar me 800 hektar, nga zona  e Ksamilit e cila është zonë e banuar.’- tha zëvendës ministrja e Turzmit, Almira Xhembulla.

Kreu i ADF Martin Mata tregoi për një betejë të heshtur që modernizimi i parkut kombëtar të mos funksionojë.

‘S’ kishte drita, pastaj s’kishte bileta, i rregulluam. Modeli i menaxhimit sot është ai që ka Luvri.’- tha Mata.

Gjatë debateve deputeti Vangjel Dule tha se një pjesë e sipërfaqes së ish-parkut kombëtar të Butrintit, pronë e manastirit ortodoks të Shën Gjergjit, është dhënë për ndërtimin e një resorti, që mban edhe emrin Manastir.

‘Kemi edhe një vendim të KM që një pjesë e sipërfaqes së ish-parkut kombëtar të Butrintit, pronë e manastirit ortodoks të Shën Gjergjit, është dhënë për ndërtimin e një resorti, që mban edhe emrin Manastir. Ju keni vendosur dorë me vendimet e KM në mënyrën më abuzive dhe skandaloze në hapësirën e parkut të Butrintit. Prona e një komuniteti fetar, edhe e hiqni nga hapësira e mbrojtur. Uroj që këto të jenë vetëm disa aspekte që unë kam konstatuar për shkak të interesit tim dhe të mos ketë të tjera në kuadrin e administrimit të ri që po i kushtojmë Butrintit” tha ai.

Ndërkohë ministrja e Kulturës Elva Margariti rrëzoi pretendimin e Dules. “Manastiri është jashtë zonave të mbrojtura dhe nuk është pjesë e Butrintit, parkut, por për informacion, parku i Butrintit ka një shtrirje më të gjerë se prona që është e njohur si pasuri botërore e UNESCO. Për atë që pyetët, është përtej zonës” tha ajo.

Opozita këmbëngul që pasuritë kombëtare nuk duhet të jenë në administrim të fondacioneve ndërkombëtare

‘Bie ndesh me ligjet ndërkombëtare’- tha Tritan Shehu.

Në fund të mbledhjes, me 11 vota pro dhe 5 kundër Komisioni për Politikën e Jashtme ka dhënë sot miratimin për marrëveshjen e administrimit të Butrintit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?