Editorial
Editorial

Carlo Bollino: Medalja 'e pamerituar' që më vë në gjoks Sali Berisha

10 Dhjetor 2021, 18:30| Përditesimi: 10 Dhjetor 2021, 18:50

  • Share

Në prag të “Foltores së madhe” dhe pas 27 foltoreve të vogla, Sali Berisha u bind se nuk është George Soros fajtori për deklarimin e tij nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit si minues i demokracisë dhe ish-qeveritar i korruptuar. Tani, në majë të listës së “fajtorëve”, e reduktuar tashmë në pak emra, mbetem unë, Carlo Bollino, gazetar. E ripërsëriti edhe mbrëmë i intervistuar nga Blendi Fevziu, i cili nuk e kundërshtoi fare këtë akuzë. Në të vërtetë, më shumë se akuzë, unë e konsideroj si një medalje nderi dhe jo vetëm se, pasi e kam kritikuar pa asnjë hezitim për 28 vite me radhë, në fund duket se kam fituar unë, por edhe sepse me këtë pohimin e tij paradoksal, Berisha pa vetëdije, certifikoi vërtetësinë e akuzave të mia. 

Për çfarë flet saktësisht doktori? Iu referohet dy investigimeve të transmetuara mes muajve mars dhe prill në Report TV dhe Shqiptarja.com përmes të cilave gazetarët tanë botuan fakte dhe dokumente që certifikojnë abuzimet financiare të bëra nga familja e Argita Berishës dhe nga ai si kryeministër. Investigimi i parë nis me procedurat e dyshimta të ndjekura nga qeveria e tij duke filluar që në 2005 për privatizimin e ish-Kompleksit Partizani, duke favorizuar dhëndrin që drejtoi gjithë operacionin. Jamarbëri bashkë me familjen e tij është pronar vetëm i një përqindjeje të vogël të atyre tokave, e megjithatë, në fund arrin të bëhet pronar i 35% të 17 kullave: vetëm kuota e tij korrespondon me 45.000 metra katrorë apartamente në qendër të Tiranës. Në 2020, Abi Malltezi, i vetmi ambientalist miliarder, bëhet pronar edhe i 50% të dy kullave të tjera që ndërtohen po mbi tokat e ish Kompleksit Sportiv, baraz me 21.000 metra katrorë apartamente. Për ndërtimin e tyre dhëndri i ish-kryeministri ka investuar të paktën 30 milionë euro, duke fituar 60. Ku e gjeti këtë lumë parash kur në 2006, bashkëshortja e tij Argita deklaroi se kishte gjendje në bankë bashkë me të shoqin vetëm 39.500 USD? Dyshimi, mbi të cilin i takon SPAK  të hetojë, është se familja Berisha ka pastruar në ato ndërtime, miliona euro cash të përfituara në mënyrë të jashtëligjshme pikërisht në vitet kur Saliu ishte kryeministër.

Investigimi i dytë flet për konsulencat ligjore të marra nga Argita Berisha nga klientë zemërgjerë që për "koincidencë" ishin dhe përfitues të vendimeve të firmosura nga kryeministri Berisha. Investigimi arriti të hedhë dritë mbi të ardhurat që Argita dhe ortakja e saj Flutura Kola realizuan vetëm në 10 muaj (nga 28 dhjetori 2007 me 16 tetor 2008), pasi vetëm mbi këtë periudhë kohe është bërë një verifikim nga Agjencia kundër Pastrimit të Parave, që më pas u mbyll me nxitim nga prokuroria me urdhër të “doktorit”. Në ato 10 muaj u derdhën në llogari të Argitës dhe ortakes 630.000 euro, të gjithë të paguar nga biznesmenë të huaj apo shqiptarë. Dokumentuam se çdo konsulence ligjore që i paguhej Argitës, korrespondonte me një vendim apo një tender të firmosur nga qeveria e drejtuar nga babai i saj. Nëse vetëm në ato 10 muaj mes 2007 dhe 2008 Argita arkëtoi mesatarisht 63.000 euro në muaj në konsulenca, sa para’ ka fituar me të njëjtën metodë (dhe ndoshta pa fatura) deri në qershor 2013 kur babai i saj ishte kryeministër?

Investigimi ynë hodhi dritë edhe mbi një spekulim tjetër të bërë sërish nga Argita dhe nga bashkëshorti i saj Jamarbër në Porto Romano në 2008, kur blenë toka bujqësore duke mashtruar fshatarët me një çmim shumë të ulët, për t’i rishitur më pas të njëjtat toka pak javë më pas me dyfishin e çmimit. Blerësi ishte Damir Fazlliç, natyrisht falë ndërhyrjes së Sali Berishës që ndërkohë me një VKM kishte vendosur të ndërtonte mbi ato toka kënetore parkun energjitik. 

Një tjetër aferë prej qindra mijëra eurosh nga të cilat familja Berisha ka përfituar.

Dy investigimet ishin sigurisht të mirëdokumentuara, por fakti që Sali Berisha sot ia njeh meritën pikërisht kësaj punës sonë gazetareske për inkriminimin e tij nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit, certifikon vërtetësinë absolute. Si ja bën atëherë që vazhdon të thotë se nuk ka prova që ai dhe familja e tij nuk kanë përfituar nga pushteti për t’u pasuruar ilegalisht?

Në të vërtetë nuk e besoj të kem asnjë meritë të veçantë, pasi jam i bindur se nuk ka qenë vetëm prova e korrupsionit e Sali Berishës dhe e familjarëve të tij shtysa për Departamentin Amerikan të Shtetit për ta deklaruar “persona Non Grata”. Politikanë të korruptuar ka edhe shumë të tjerë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, por vetëm pak përfundojnë në black list të amerikanëve. Çka ka dënuar përfundimisht Sali Berishën dhe që e bën një figurë të rrallë, është në fakt roli i tij si “minues i demokracisë”.

Prej vitesh e përsërisim se një nga të paktët politikanë akoma aktiv me një mentalitet stalinist është pikërisht Sali Berisha dhe se mentaliteti i tij autokrat dhe diktatorial nuk ka më shembuj të tjerë në Ballkan. Berisha ka persekutuar kundërshtarët e tij, ka shpifur, arrestuar, torturuar dhe madje vrarë gazetarë të pavarur duke u përpjekur në mënyrë të përsëritur të vendosë kontrollin mbi shtypin e lirë, ka mashtruar komunitetin ndërkombëtar, gënjyer popullin e tij duke i vjedhur kursimet përmes autorizimit të firmave piramidale, ka shndërruar në shpifje fjalorin politik, nënshtroi të gjithë institucionet publike në shërbim privat të familjes së tij, bëri të rilindë policia politike dhe ringjalli Sigurimin thjeshtë duke i ndërruar emrin dhe misionin, korruptoi gjykatat dhe transformoi sistemin financiar, gjyqësor e deri universitar të Vendit në një makinë servile propagande në shërbimin e tij personal.

 Korrupsioni është një kancer që vret ekonominë e një vendi, por Berisha ka bërë edhe më keq: përvetësoi fjalën “demokraci” dhe e minoi brenda saj pasi në vend të lirisë, ndershmërisë dhe pluralizmit, promovoi për 30 vite antivlerat e heshtjes, të frikës, të shpifjes, të paligjshmërisë dhe të mendimit unik, atë të vetin. Po! Korrupsioni vret ekonominë, por Sali Berisha vrau Shtetin. Dhe tani, nga Foltorja e madhe, ëndërron ta varrosë përfundimisht.

Lexo këtu investigimet për privatizimin e 'Kompleksit Partizani' nga 'klani Berisha' bërë nga Report TV
INVESTIGIMI I

INVESTIGIMI II
INVESTIGIMI III
 
Investigimet për Argita Berishës bërë nga Report TV

INVESTIGIMI I
INVESTIGIMI II

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Futja kot: 10/12/2021 21:55

    BRAVO CARLO BOLLINO. KENI BERE SHERBIMIN ME TE MADH NE KETE VEND DUKE DEMASKUAR PLEHREN DHE KRIMINELIN SALI QEN BERISHA. KUR SHOH KETE MASKARA, KUPTOJ SA I MIRE PASKA QENE ENVERI. MENDONI NJE ÇAST SE ÇFARE DO BENTE KJO KAFSHE TE ISH NE VEND TE ENVERIT NE NJE REGJIM DIKTATOTIAL DO ISH SI KIM JONG UN I KORESE SE VERIUT.

    Përgjigju
  • Tami: 10/12/2021 21:33

    Faleminderit Z. Bolino per kontributin ne gazetarine shqiptare. Jeni i paarritshem ne kete fushe. Respekt!

    Përgjigju
  • Tahir tarfyci: 10/12/2021 19:34

    Te lumt karlo si perher u tregon shqipetareve te vertetat e pamoheshme. Kjo do te thot se kush ka vesh e sy te shoh te verteten se si ka vepruar sali qeni dhe shum politikan te tjer te fshehur pas tij dhe sot po punon mbi emrin partis per interesat e tij e te familjes se tij. Kur do ta shohim pas hekurave kete monster.kete kufom politike nga 30 vjet e perseri sdo te hap rrug????????

    Përgjigju
  • Mali: 10/12/2021 18:44

    Bravo Carlo! I sakte, i drejte per drejt, me fakte dhe me argumente. Saliu eshte i lrymbur si i korruptuar por me shume eshte minues i demokracise dhe sigurise ne Shaqiperi dhe ne Ballkanin Perendimor!. Kjo i rendon e teper se gjithcka pozitat e tij. Mali

    Përgjigju
    • Indiferenti: 10/12/2021 20:22

      Carlo eshte personaliteti i vetem brilant, i vertete kurajoz dhe i padiskutueshem ne Shqiperi. Eshte nje shkolle me vete per profesionalizmin, kulturen dhe ndershmerine. Jemi me fat qe kemi nje ikon dhe profesor te tille ne fushen e gazetarise.

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?