Opinion

Carlo Bollino: Ja pse nuk do të ketë asnjë qeveri PS-PD 

16 Prill 2021, 09:43| Përditesimi: 16 Prill 2021, 10:27

  • Share

Deklarata e bërë pardje nga Edi Rama, gjatë një interviste në Report TV, përmes të cilës ofroi gatishmërinë e tij për “një bashkëpunin më te ngushtë me Lulzim Bashën, pasi PS do të fitojë zgjedhjet", shkaktoi një furtunë. Bashkëpunimi mes shumicës dhe opozitës është një rregull normal në demokraci, por ta thuash në Shqipëri, duket një revolucion. Për tetë vite opozita protestoi duke akuzuar mazhorancën socialiste se i ka hequr çdo kompetencë dhe pushtet, deri në pikën sa vendosën të digjnin mandatet në formë proteste. Tani që Edi Rama premton se mund të ndryshojë, duke u impenjuar që në rast fitoreje të socialistëve të bashkëpunojë me Lulzim Bashën, opozita e konsideron një provokim.

Në realitet të gjithë duket se kanë ngatërruar ofertën për bashkëpunim qeveri-opozitë, me një propozim bashkëqeverisjeje PS-PD. I pari që ra në këtë keqkuptim ishte Lulzim Basha që pak ore me vone nxitoi të deklaronte se “në qeverinë e PD nuk do të ketë vend për Edi Ramën”, pa kuptuar që propozimi eventualisht ishte e kundërta. Basha arriti deri aty sa ta paraqesë ftesën e Ramës si provë që kryeministri tashmë është i bindur se do të humbë zgjedhjet, duke harruar faktin e thjeshtë se, nëse Rama do të bëhej pakicë, nuk do të ishte në gjendje t'i ofronte bashkëpunim askujt.

Pastaj i erdhi radha Ilir Metës të binte në të njëjtin kurth, i terrorizuar nga një marreveshje e mundshme që e perjashtoi totalisht, duke arritur të thotë se nëse dëshiron një bashkëqeverisje PS-PD, Rama duhet të firmosë një marrëveshje para zgjedhjeve. Një absurditet, jo vetëm sepse nuk i takon Presidentit të Republikës të vendosë kushte në emër të opozitës, por mbi të gjitha, sepse oferta e Ramës ishte e një natyre komplet tjetër. 

Nuk mund të përjashtohet që Edi Rama, që s’e ka fshehur asnjëherë se e konsideron politikën si një lojë shahu, deshi të provokojë me qëllim keqkuptimin për të parë reagimet e kundërshtarëve të tij. Po përtej strategjisë së tij të komunikimit, është e dukshme nga shumë faktorë të tjerë që nuk do të ketë asnjë qeveri të ardhshme PS-PD. 


1) Arsyeja e parë është se, nëse Partia Socialiste do të marrë të paktën 71 mandate, nuk ka asnjë nevojë numerike të bëjë aleancë me PD. Edhe pse është e parashikueshme që radhët e shumicës do të shtoheshin shumë shpejt vetvetiu, siç ka ndodhur përherë nga dalja vullnetare e atyre që kane braktisur radhët kundërshtare. Ajo që në fakt pritet është se (siç e ka premtuar Rama) në mandatin e tij të tretë, t’i lejojë opozitës rol dhe kompetenca që i takojnë pa e turpëruar me logjikën e ashpër të kartonave. Nëse opozita e pranon, sigurisht. Të bashkëpunosh me opozitën, nuk do të thotë të qeverisësh bashkë, por të ofrosh role dhe pozicione politike, duke filluar për shembull nga Kreu i ardhshëm i Shtetit. Nga ana tjeter nëse do të jetë Lulzim Basha ai që do të marrë 71 mandate bashkë me aleatët, as ai nuk ka asnjë arsye të hapë portat e qeverisë ndaj kontributit socialist. Mbetet për t’u parë se në ç’mënyrë do të bashkëpunojë me opozitën.  

2) Arsyeja e dytë se pse nuk do të ketë asnjë qeveri PS-PD, është se, edhe pse do të donim ta përkthenim si një propozim për bashkëqeverisje deklaratën e Edi Ramës, ajo kishte dhe një kusht të pandarë: domethënë, që Lulzim Basha duhej të ndërpriste më parë bashkëpunimin e tij me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Kusht që Lulzim Basha nuk mund ta realizojë. Së pari, sepse Basha nuk dëshiron të ndahet pasi është pjesë e klanit familjar të ndërtuar nga Sali Berisha që në 2005 pas krijimit të KOP, në krye të të cilit jo rastësisht vuri pikërisht Lulzim Bashën. Por, edhe nësë Basha do të vendoste që nesër të ndahej më në fund nga “babai” i tij politik, nuk mund ta bëjë: Pjesa më e madhe e grupit parlamentar që do të drejtojë në fakt do të përbëhet nga njerëz besnikë të Sali Berishës, i cili ishte vendimtar në ndërtimin e listave dhe grupi parlamentar i LSI, partia e dytë aleate, do të jetë totalisht në duart e Ilir Metës. Kështu pra, Berisha dhe Meta janë dhe do të mbeten edhe në të ardhmen kontrolluesit e çdo veprimi politik të Lulzim Bashës. Vetëm Berisha ruan të drejtën për t’u çliruar prej tij, dhe nuk përjashtohet të jetë gati ta bëjë në rast të një humbje të re elektorale. Basha, nga ana e tij, është i denuar t’i qëndrojë besnik Berishës përgjithmonë.  

3) Arsyeja e tretë për të cilën nuk mund të ketë asnjë qeveri PS-PD është thjeshtë sepse formula nuk do të funksiononte. Pas marrëveshjes së 17 majit 2017, pati një “provë të përgjithshme” të koalicionit të madh kur, edhe pse për pak muaj, PD dhe PS qeverisën bashkë. Rezultati ishte katastrofik, edhe më i keq se bashkëjetesa e vështirë mes PS dhe LSI gjatë 4 vjet bashkëqeverisjes. Nëse Edi Rama do të fitojë me 25 prill siç ai shpreson dhe siç sondazhet e parashikojnë, nuk ka asnjë interes të shohë të falimentojë mandatin e tij të tretë vetëm e vetëm për të ndarë timonin me rivalin e tij politik.  

Natyrisht opinioni publik shqiptar dëshiron paqe politike, ambasadorët do të ishin të lumtur, dhe me të ngjarë Brukseli do të ishte i gatshëm të shpërblente këtë marrëveshje të pabesueshme me hapjen e menjëhershme të negociatave. Por bazat militante të dy partive nuk janë gati. Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të qëndrojnë të ndarë përgjithmonë. E vetmja shpresë është që gjuha e tyre të qetësohet dhe që shumica dhe pakica të mësohen të paktën të njohin rolin ndaj njëri-tjetrin. Ndoshta bashkëpunimi që premtoi Edi Rama ishte pikerisht ky: respekti përballë kundërshtarit. 

Fusha e shahut mbi të cilën dëshiron të luajë Rama është një shesh i hapur, ku kundërshtarët sfidojnë njeri-tjetrin. Ndërsa beteja që kërkon të bëjë kjo PD, është një përplasje mes armiqsh, të ngujuar brenda kullash të mbyllura për të tjerët.

xy//ReportTv.al
Komento

Komente

  • pocat: 16/04/2021 21:26

    Artikulli shume i mire. Vertet! Dhe ne fakt Rama hap siparin e dialogut eshte nje ide gjeniale. Sepse ne kemi kulture politike llogoresh. Dhe kuptohet ne lufte llogoresh, per shkak te distances se madhe eshte praktikisht e pamundur te mendosh per paqe. Por ajo qe mund te ndodhe eshte si ne rastin e luftes se pare kur u bene bashke per te festuar. Kryetari i opozites, nese vertet di te luaje, mund te shkeputet nje here e mire dhe te ndertoje nje here e mire partine me njerez qe nuk duket sikur i perkasin shekullit te kaluar por te sotmit. Eshte e pamundur te degjosh keta robt e opozites te dalin dhe flasin. E bej veten me zor ndonjehere, por eshte thjesht e pamundur. Sic thote dhe Carlo, duhet te respektosh kundershtarin, por kundershtari duhet te jete te pakten i denje ta degjojne.

    Përgjigju
  • Loni: 16/04/2021 11:35

    Si ka mundesi qe ky rob zoti e kap situaten 100 here me mire se gjithe ato palo analiste qe pretendojne se dine shqip dhe kuptojne? Je gjigant Karlo Bolino ka lezet kur te lexon njeriu

    Përgjigju
    • Cubel breca: 16/04/2021 19:56

      Karlo eshte shembull I gazetarise. E keqa se keta pseudo gazetar e analista qe kan mbaruar shkollen e saliut se kuptojn se fakt eshte shtetas Italian dhe detyrimisht se kuptojn gjuhen e karlos. Keta jan mjeran dhe ne jemi te denuar ti degjojm. Bravo karlo

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?