Editorial

Carlo Bollino: Egoizmi ynë, frika nga lufta dhe ato fytyra identike me tonat 

9 Mars 2022, 16:32| Përditesimi: 9 Mars 2022, 16:41

  • Share

Një luftë është përherë e frikshme, por për të provuar tmerrin e vërtetë, gjithnjë kam menduar se duhej përjetuar nga afër. Vetëm duke ndjerë erën e eksplozivit në ajër, duke ndjerë zemrën të dalë nga fyti kur përshkon me vrap rrugë të shkretuara dhe të shndërruara në kufij (sepse fushat e betejës janë një sërë kufijsh të shkurtër që ndryshojnë përditë); vetëm duke dëgjuar vetëm pak hapa larg teje, aty ku nuk i sheh, fërshëllimat e breshërive apo shpërthimet e bombave, vetëm kështu mendoja se një luftë të kallte me të vërtetë tmerrin. E pastaj llahtaria që të pushton kur sheh trupa të palëvizshëm në mes të rrënojave të hapura nga një bombë, të përkulur në pozicione të panatyrshme që nuk duken ato tipiket të vdekjes, por të burrave, grave apo fëmijëve të vrarë në kulmin e jetës. Lufta është e frikshme përherë, por besoja se, pasi e kisha parë nga afër, kur për profesion më takoi ta rrëfeja, do të më ngjallte më pak frikë tani që e ndjek nga larg. Por kështu nuk po ndodh. Prej ditësh pyes veten se pse po më prek kaq shumë pushtimi i Ukrainës, edhe pse jam i ulur përballë një kompjuteri, ndërsa janë kolegë të tjerë që po rrezikojnë jetën në vijë të parë për të na e treguar. Dhe më në fund, e kuptoj përse. Sepse populli viktimë e kësaj lufte, këtë herë, është absolutisht identik me ne.  

Ata mund të jemi ne, fëmijët tanë, gratë tona, miqtë tanë, prindërit tanë, gjyshërit tanë. Ata njerëz që braktisin qytetet duke tërhequr valixhe elegante me rrota; dhe shporta me macet brenda, duke tërhequr me nxitim për dore fëmijë më xhupa e çanta shumëngjyrëshe në kurriz, janë identikë me ne kur në një aeroport jemi me vonesë, apo kur çojmë me nxitim fëmijët në shkollë. Janë identikë të moshuarit e tyre, që vrapojnë ngadalë në rrugët e thërrmuara nga granatat, siç bëjnë tanët në trotuarët nën pallat kur nxitojnë të futen brenda. Janë identikë adoleshentët e tyre, me kufjet në vesh, celularët në duar dhe bluzet sipas modës ndërsa shohin përreth konfuzë e të trembur siç do të bënin edhe tanët.   Duke ua njohur dëshirat dhe emocionet e tyre, është e lehtë t’ja dallojmë edhe frikën. Eshtë e lehtë në mekanizmin e personifikimit ta shohim veten pak çaste më pas me terrorin në gjoks duke u hedhur në pluhur për të shmangur plumbat siç bëjnë ata, ose më keq, të vrarë mbi asfalt si ajo familja me valixhet, e masakruar nga një goditje murtaje në të dalë të Kievit ndërsa përpiqej të kapte një autobus që do t’i çonte drejt shpëtimit. E gjetën të vrarë, brenda një kafazi ngjyrë të gjelbër, edhe qenushin e shtëpisë që vajza më e vogël duhet ta merrte me vete.  

Të themi sot “jemi të gjithë ukrainas” nuk është vetëm një slogan retorik. Këtë herë e besojmë me të vërtetë. Jo pse lufta e çmendur që po i masakron do të  përhapej e do të na prekte fizikisht (këtë nuk e besoj, nuk dua ta besoj), por sepse ne që tani ndjehemi realisht në luftë. Po, nuk kemi bomba që na bien nga qielli duke shpartalluar shtëpitë tona, dhe as jeta jonë nuk është në rrezik, por lufta, kur e ndjen kaq afër dhe të vërtetë, ta shtrëngon njësoj zemrën, të frikson njësoj. Siç bën të humbasë vlera e mijëra gjërave të tjera, ndoshta të gjithçkaje tjetër. Përfshi dhe solidaritetin, sepse paradoksi i ndjenjës së rrezikut kaq afër bën të ndizet instikti i mbijetesës dhe me një egoizëm që shumë nuk kanë kurajon ta pranojnë jemi të detyruar të pyesim veten nëse jemi vërtetë gati që për lirinë e një populli tjetër të vemë në diskutim të tërë ekzistencën tonë. Lufta është kështu: Mjafton të na prekë edhe shumë pak, për të na bërë menjëherë më të këqinj.

xy/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?