Buxheti 2021, Manastirliu: Mbështet mjekët si asnjëherë më parë (VIDEO)

2 Nëntor 2020, 15:01| Përditesimi: 2 Nëntor 2020, 15:15

  • Share

Ministrja Ogerta Manastirliu ka qenë sot në Komisionin e Shëndetësisë ku ka raportuar për financimin në sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, ku mes të tjerash ka thënë se Buxheti I vitit 2021 mbështet mjekët si asnjëherë më parë.

 “Me buxhetin e 2021 do të ketë një rritje në 40% të pagave të mjekëve dhe infermierëve dhe si asnjeherë më parë ky buxhet mbështet mjekët dhe infermierët”,  u shpreh Manastirliu.

Më tej ministrja Manastirliu tha se do të ketë investime madhore, ku mes të tjerave është edhe ndërtimi i spitalit të ri modern të sëmundjeve të brendshme në QSUT dhe investime në spitalet rajonale.

 

“Do të vijohet me ndërtimin e maternitetit të ri të Beratit, Lezhës, Kukësit. Gjithashtu me hapjen e kantiereve të reja për rikonstruksionin e pediatrisë në spitalin e Elbasanit, për rikonstruksionin dhe rindërtimin e Maternitetit Mbretëresha Geraldinë, për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve në Tiranë, rikonstruksionin e kirurgjisë dhe urgjencës në spitalin rajonal Shkodër, rikonstruksionin e sallave të lindjes, repartit të neonatologjisë dhe repartit të urgjencë – pranimit dhe pajisje mjekësore në Maternitetin Koço Gliozheni, rikonstruksioni i godinës së spitalit Prrenjas dhe pajisjen për Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitalin e ri të Pediatrisë në QSUT”, tha ministrja.

Gjithashtu në komision ministrja ka deklaruar se për sektorin e Mbrojtjes Sociale në 2021 është parashikur buxheti prej 25.4 mld lekë dhe se në 2021 është parashikuar 2 mld lekë për bonusin e bebes.

 “Në total për programin e NE parashikohen 4,634,460 mijë lekë për vitin 2021. Përfitimet e aftësisë së kufizuar do të rishikohen dhe do të mundësohet mbështetja me pagesa më të larta të atyre individëve më aftësi të kufizuar që kanë një gjendje shëndetësore më të rënduar dhe që kanë më shumë barriera për tu përfshirë në jetën shoqërore. Në total, për pagesën e aftësisë së kufizuar për vitin 2021 janë parashikuar 16 miliard e 501 milion e 635 mijë lekë (2021) për 172 mijë përfitues”, vijoi Manastirliu.

Buxheti 2021 për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale parashikohet të jetë 81.8 miliardë lekë dhe krahasuar me buxhetin e vitit 2020 për vitin 2021 parashikohet një rritje me 7.5% ose në vlerë absolute në vlerën 5.7 miliard lekë në buxhetin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.

Vetëm për shëndetësinë buxheti ka pësuar një rritje me 8.25% krahasuar me 2020 ose një rritje prej 55.36% krahasuar me 2013.

er.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?