Bukëvale tradicionale nga zonja Albana

24 Shtator, 11:28| Përditesimi: 24 Shtator, 11:31

  • Share

Bukëvale tradicionale

Përbërësit:

  • 500 gr miell gruri
  • 800 ml ujë
  • 200 gr sheqer
  • 250 gr gjalpë
  • 100 ml vaj ulliri
  • 1 lugë kafeje kripë

Përgatitja:

Në një tenxhere të bollshme hedhim ujin, kripën dhe 2 lugë vaj ulliri. E vendosim në zjarr dhe kur të marrë valë, hedhim miellin dalëngadalë, duke e trazuar me një lugë druri. E përziejmë vazhdimisht derisa të formohet një brumë i fortë, duke e kthyer nga poshtë - lart. E heqim nga zjarri dhe e kthejmë në një tavë. Fillimisht me lugën e drurit e pastaj me duar punojmë brumin derisa të vaket. E copëtojmë në kuleçë dhe në tepsinë që do ta pjekim, vendosim kulaçin e parë. Marrim me dorë nga gjalpi, që e kemi në temperaturë dhome dhe e vendosim mbi kulaçin e parë, duke e ngjeshur me mollëzat e gishtave e duke e hapur pak. Mbi të vendosim kulaçin tjetër dhe veprojmë njëlloj, pastaj me radhë të gjithë kuleçët. Hedhim mbi to 2-3 lugë vaj ulliri dhe e punojmë brumin nga anash për në mes. Na krijohet një masë e shkrifët, e ngjeshim me pëllëmbën e dorës në tepsi, duke e barazuar njëlloj mesin dhe anët. Me gishtat e duarve krijojmë gropëza në të gjithë sipërfaqen dhe i hedhim sipër gjalpin dhe vajin, që na ka mbetur. E pjekim në sobë të parangrohur, në temperaturë 190 gradë për 40-45 minuta derisa të skuqet poshtë dhe lartë. E nxjerrim nga furra dhe e lëmë të vaket. E copëtojmë (e thyejmë) me duar copa-copa nga 5-10 centimetra dhe e spërkasim përsipër me sheqer. E mbulojmë me një pecetë dhe e lëmë pak të pushojë.

 

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?