Botimet arbëreshe drejt Shqipërisë, 'Moti i madh' për në UNESCO, akademiku: Një nga projektet që ka ecur më mirë, grupi i punës po gjurmon mbijetoja të këtyre ritualeve

27 Maj 2022, 18:31| Përditesimi: 27 Maj 2022, 19:44

  • Share

Njësia e Akademisë së Shkencave, Arbëreshët - Arvanitët – Arbëneshët, e krijuar 6 muaj më parë e mban takimin e parë mes diskutimeve virtuale e studiuesve në sallën “Aleks Buda”. 

“Është një Njësi që ka në përbërjen e vetë studiues të mirënjohur nga Italia, nga bota e arvanitasve në Greqi dhe nga shqiptarët arbëreshët e Zarës por edhe të Istrias.  qëllim kryesor kanë studimin në funksion të kulturës, të traditave, të lirisë, por sidomos të lidhjeve midis këtyre 3 bashkësive, dhe njëherësh lidhjet e tyre me traditat e shqiptarëve në këtë anë të Adriatikut”, thotë akademiku Shaban Sinani.

Studiuesit, sjellin në vëmendje ndikimin e fortë të kolegjeve, seminareve, manastireve e institucioneve të tjera arbëreshe në njohjen e ruajtjen e trashëgimisë, katedrat e para shqipe, por edhe kërkimet e arbëreshëve në funksion të historisë e kulturës e hershme.

“Janë tre shekuj, fundi të shekujve të humanizmit deri në shekullin e XVIII-të është një periudhë kur kultura shqiptare paraqet interes shkencor në të gjitha këto institucione. Dhe pastaj më vonë në shekullin e XIV-të dhe në katedrat e para që u ngritën posaçërisht për shqipen. Kjo është një periudhë që ka mbetur jashtë vëmendjeve të studiuesve, edhe sepse është  menduar se në institucionet e kultit vështirë se mund të gjenden rezultate shkencore. Por në këta tre shekuj jo vetëm në historinë tonë por edhe në historinë e popujve të Ballkanit, kulti dhe kultura kanë qenë të pandarë, dhe kanë qenë pikërisht institucionet e kultit ku njerëzit kanë mësuar të shkruajnë, që kanë nxjerrë njerëzit që hartuan librat e parë në gjuhën shqipe, njerëzit që filluan të bëjnë studime për historinë e popullit, historitë e të parëve, njerëzit që shqiptuan mitin e origjinës, dhe u vunë në kërkim të një populli parashqiptar dhe të lidhjeve të tyre në histori deri tek ajo ideologji kombëtare që është së paku një shekull para Rilindjes. Ajo ideologji që tek arbëreshët është quajtur “L’albanesita”, pra ideologjia shqiptare, ideologjia kombëtare”, thotë akademiku.

Me rëndësi sipas studiuesve është sjellja e literaturës dhe e studimeve arbëreshe në vendin tonë, tashmë jo më prej teksteve ndërmjetëse, por përmes atyre origjinalë.

“Është ky njëri prej qëllimeve i ngritjes së Njësisë është publikimi në tërësi i teksteve të arbërishtes së shkruar. Kolegët arbëreshë, pothuajse i kanë botuar të gjitha veprat që i takojnë trashëgimisë së hershme prej Lek Matrangës deri tek Santori i cili është në proces e sipër. Këto vepra duhet të vinë, ashtu siç janë botuar atje, duhet të vinë  si një korpus i tërë edhe në mjedisin shqiptar. Dhe ja, ka një program për botimin vit pas viti të kësaj trashëgimie, të cilat natyrisht do të vinë në gjuhën e autorëve”, thotë Sinani.

Ndërkohë, në të dyja anët e Adriatikut, pritet që Ritet Arbëreshe “Moti i madh”, që ruhen prej më shumë se 6 shekujsh të pranohen në “UNESCO”, si Trashëgimi Jomateriale e Njerëzimit.

“Janë dy skuadra, është një skuadër që punon në Itali për regjistrimin jo vetëm të arbërishtes por të gjithçkaje që lidhet me ritet e tyre. Grupi i Italisë kryesohet nga Matteo Mandala dhe Francesko Altimari dhe një skuadër funksionon këtu në Tiranë ku Akademia e Shkencave ka përfaqësuesit e saj. Është një nga projektet që ka ecur më mirë me gjithë vështirësitë, sepse ritualet që janë objekt themelor i kësaj nisme, janë rituale fetare, dhe një shkëputje prej gati një gjysmë shekulli e besimit ka ndikuar që edhe të varfërohen si rituale, studiuesit, sidomos grupi i punës që është në terren po gjurmon festë pas feste dhe ngjarje pas ngjarje gjurmë dhe mbijetoja të këtyre ritualeve”, shton më tej akademiku.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?