Carlo Bollino

Editorial
Editorial

Bollino: Sheshi bosh i Sali Berishës! Ku përfunduan 40.000 anëtarët e referendumit anti-Basha?

20 Dhjetor 2021, 19:44| Përditesimi: 21 Dhjetor 2021, 21:05

  • Share

Në kulmin e lëvizjes së tij “Foltorja”, Sali Berisha arriti të mbledhë sot një shesh bosh. Protesta “më madhështore” që kishte premtuar, nuk u bë dhe në fund, përballë kryeministrisë, u mblodhën më pak se 1000 vetë (disa të dhëna flasin edhe për 500). Një prani e papërfillshme e demaskuar nga droni i Report TV që tregoi nga lart përmasat e vërteta të pjesëmarrjes që as telekamerat e TV të familjes, të vendosura pak sipër kokave të pjesëmarrësve, nuk mundën të shumëfishonin, siç do të dëshironin. Pamje shokuese me siguri për Sali Berishën, por akoma më shumë me shpurën e analistëve të tij që prej javësh po përsërisin disa herë se lëvizja anti-Basha po mbledh shumicën e stërmadhe të militantëve të PD-së. Kjo është prova se sa Berisha, mbështetësit e tij dhe gazetaro-analisto-polemisto-inkuizitorët, janë edhe këtë herë larg realitetit dhe perceptimit të vërtetë të njerëzve.  

Është realitet se sot ishin në shesh shumë më pak militantë nga sa mblidhte Basha, i cili gjithashtu nuk arriti të nxirrte në shesh asnjëherë më shumë se 5-6000 vetë. Berisha mblodhi një të katërtën e militantëve të Bashës dhe Basha gjithsesi i humbi zgjedhjet; të dhënat duhet të bëjnë të reflektojnë ata që kanë iluzione se doktori është në gjendje të ndryshojë fatet e kësaj opozite. Duhet ta kuptojnë edhe disa analistë të paaftë për ndonjë parashikim të vërtetë, të verbuar vetëm nga urrejtja për Edi Ramën, që, pasi e nxitën për vite të tëra Lulzim Bashën drejt dhunës (“duhet të djegë Kuvendin”, këmbëngulnin në debatet televizive), përpiqen tani të nxisin Sali Berishën.

Pjesëmarrja kaq e ulët në protestën e sotme vë në dyshim edhe vërtetësinë e referendumit anti-Basha të organizuar nga Sali Berisha më pak se 48 orë më parë dhe që sipas tij mblodhi votën e mbi 40.000 anëtarëve të PD. Ku përfunduan? Si shpjegohet që këta 40.000 militantë imagjinarë të mobilizuar në votimet e të shtunës, u zhdukën në protestën e të hënës? As “populli i stadiumit” që me 11 dhjetor mbushi gjysmën e tribunës së Air Albania-s, ndoqi Berishën në rrugën e protestës. Një rrugë e djegur prej vitesh nga demonstrata edhe më madhështore të organizuara nga Lulzim Basha, por që kanë treguar tashmë që nuk prodhojnë asgjë. 

Berisha sot falimentoi në provën e forcës që shpresonte ta shpallte ndaj kryetar të Partisë Demokratike, një falimentim që vë në diskutim gjithë punën e tij në lëvizjen personale anti-amerikane dhe anti-Basha. Sali Berisha ishte i vetëm prej vitesh në zyrën e tij luksoze të dhuruar nga një oligark, nga e cila ëndërronte revolucionin imagjinar. Pastaj erdhi “Foltorja”, por “revolucioni” i saj zgjati vetëm pak javë. Tani që duhej të luftonte me të vërtetë, Mbreti doli lakuriq. Ushtria që besonte se kishte nga pas, në të vërtetë nuk e ndoqi. Doktori plak, po kthehet në vetminë e tij, ashtu siç meriton të përfundojë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?