Gjykata e Posaçme

Bleu vota për të bijën ish-kandidate e opozitës në Vorë, GJKKO dënon ish-kryeplakun e Bërxullës me 1 vit, por ia konverton në 80 orë punë

28 Tetor, 14:49| Përditesimi: 28 Tetor, 15:02

  • Share

Tiranë- Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor dhe dënuar sot (28 Tetor) ish-kryeplakun e Bërxullës në Tiranë, pasi akuzohej se kishte blerë vota në favor të të bijës së tij, ish-kandidate e opozitës në Vorë.

Agim Loci nuk do të bëjë burgim, por do e shlyejë me 80 orë pune në komunitet. Akuza ndaj tij e ngritur nga SPAK ishte korrupsion zgjedhor.

Bëhet fjalë për zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023, ku vajza e ish-kryeplakut kandidonte për këshilltare, me koalicionin Berisha-Meta dhe Loci kishte paguar 10 mijë lekë një qytetar që të votonte për të. Më 25 Prill të këtij viti SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi hetimin me nr. 105 të vitit 2023, me të pandehur ish të zgjedhurin vendor Agim Loci, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Gjykimi u bë me procedurë të shkurtuar, pasi Loci pranoi aktet e dosjes së SPAK. Trupa gjykuese ishte e përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Rudina Palloj.

Vendimi ishte dënimi me 1 vit burgim, por në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, iu ul një e treta e dënimit dhe përfundimisht u dhanë 8 muaj izolim.

Kurse në zbatim të Nenit 63 të Kodit Penal, GJKKO urdhëroi pezullimin e dënimit me burgim dhe konvertimin në 80 orë punë në interes publik, për një periudhë kohe prej 6 (gjashtë) muajsh dhe vendosjen nën Shërbim Prove gjatë kësaj kohe.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?