Kronikë

Bilanci i zjarreve në Gjirokastër/ Dy të vdekur dhe mbi 800 hektarë të djegura! 5 barinj hetohen në gjendje të lirë për zjarrvënie të qëllimshme

2 Shtator 2021, 16:10| Përditesimi: 2 Shtator 2021, 16:24

  • Share

Mbi 800 hektarë me pyje e kullota si dhe 10 hektarë me dru frutorë u dogjën nga zjarret e njëpasnjëshme të gushtit në dy njësitë administrative, Lunxhëri dhe Antigone të Gjirokastrës. Kreu i ri i Zjarrfikëseve në Gjirokastër, Pëllumb Shalari në një intervistë për Report Tv deklaron se zjarret kanë qenë të qëllimshme, dhe kërkon dënim maksimal për autorët.

 "Në zonën e Lunxhërisë kemi pasur zjarre të qëllimshme, kanë kontribuar disa institucione për evitimin dhe ndalimin e përparimit të zjarreve që kanë qenë tepër të rrezikshme sepse këto zjarre i ka favorizuar shumë era nëse do të ndryshonte kahun era na rrezikoheshin edhe banesat në fshat. Në Mashkullore në Picar dhe në disa njësi kemi pasur zjarre të qëllimshme, kemi bashkëpunuar me policinë dhe në dijeninë tonë janë 5 persona në ndjekje penale, të dyshuar për këtë punë. Nuk duhet të falet dora vrastare e pyjeve, të vetmen pasuri që kemi, ku marrim oksigjen. Në Antigone, Lunxhëri janë vënë zjarre për të përfituar kullota apo për interesa të ndryshme"- tha Shalari.

Por nga ana tjetër mësojmë se policia dhe prokuroria nuk kanë prova të mjaftueshme, ndaj 5 barinjtë po hetohen në gjendje të lirë. Ndërkohë nuk ka ende asnjë autor të dyshuar për zjarrin në fshatin "Asim Zeneli" që shkaktoi dy viktima.

"Për humbjen e dy jetëve në Asim Zeneli, është një ngjarje që na lëndoi shpirtin dëshirojmë të mos përsëriten ngjarje të kësaj natyre. Janë organet e tjera që merren me hetimin. Ne si stacion zjarrfikës kemi si detyrë shpëtimin e jetës, gjësë së gjallë dhe objekteve të komunitetit, por e para është shpëtimi i jetëve".- deklaroi Shalari.

Fshati "Asim Zeneli" në Antigone ishte më i goditur nga flakët, ku në gusht humbën jetën çifti i bashkëshortëve Haxhiaj. Për këtë ngjarje të rëndë u shkarkua kreu i zjarrfikësve Kujtim Bizhga dhe u emërua 10 ditë më parë Pëllumb Shalari.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?