Sali Berisha

Berisha tremb rivalët për kreun e PD, efekti ‘domino’ dhe humbja më 2025 si ‘shpëtim’

6 Maj 2022, 21:56| Përditesimi: 6 Maj 2022, 21:58

  • Share

Kur duhen dhe dy javë që të zhvillohen zgjedhjet për kreun e ri të PD, Sali Berisha për momentin është kandidati i vetëm për këtë post. Rrugën e ka të “hapur me pash”, duke u bërë kështu thuajse e sigurtë se ai do të jetë pasues  zyrtar i Lulzim Bashës në krye të PD dhe të opozitës shqiptare.

Dy ditë më parë ishte ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD e një nga mbështetësit e “foltoreve” dhe lëvizjes së Berishës, Ervin Kulluri ai që deklaroi dorëheqjen nga nga kandidimi. Tërheqjen tij Kulluri e njoftoi nëpërmjet një postimi në rrjetin social, duke vënë në pikëpyetje tërë procesin zgjedhor të organizuar nga Sali Berisha. Ai e krahason këtë proces me atë të ndjekur nga Lulzim Basha më 13 qershor, ku ai u rizgjodh kryetar, kuptohet me mbështetjen e plotë të Berishës.

Sipas Kullurit, afati i vendosur nga Berisha nuk u lë kohë kandidatëve për të bërë fushatë, nuk ka transparencë për listat e anëtarësisë dhe zgjedhjet po mbahen në një kohë kur PD është e përçarë. Për Kullurin, PD po kalon “nga Lul Brava te Doktor Dryni”.

Teksa e quajti një “farsë” gjithë këtë proces, Kulluri në tekstin e heqjes dorë nga kandidimi për postin e kryetarit nënvizon se “fatkeqësisht PD dhe demokratet po tallen dhe nëpërkëmben po njësoj prej të paktën 5 vitesh duke i privuar nga debati i lire, vota e lire dhe përfaqësimi! Propaganda e 11 dhjetorit për “primare” e “sovranitet” vote rezultoi veçse propagandë duke zhgënjyer për të disatën herë demokratet e ndershëm dhe opinionin publik!”

Pra ai rrëzon me një “dorë” gjithë përpjekjen e Sali Berishës për të paraqitur para demokratëve, publikut shqiptar dhe para ndërkombëtarëve një sfond me nuanca të gëzueshme dhe demokratike në PD, në respekt të Statutit dhe të procedurave demokratike.

Nga ana tjetër, një natë më parë ishin dhe dy kandidatët e tjerë të mundshëm, deputeti Agron Shehaj dhe anëtari i Këshillit Kombëtar i zgjedhur nga Kuvendi i 30 prillit, Fatbardh Kadilli ata që kanë deklaruar dorëheqjen nga kandidimi për kreun e PD.

“Në këto zgjedhje nuk do marr pjesë. Se s’ka garë, nuk bëhet fjalë për garë reale”, ka deklaruar Kadilli mbrëmjen e djeshme. Po ashtu edhe Shehaj, i pyetur në të njëjtin emision televiziv ka thënë se nuk do të jetë pjesë e garës për kryetar të PD-së.

Nëse Kadilli ka deklaruar se me hyrjen e Berishës në listën e kandidatëve për kryetar nuk do të ketë garë reale në PD, pasi dihet fituesi që tani, Shehaj është shprehur se është shumë normale që politikani që ka mbi 70% të mbështetjes së anëtarësisë së PD, duhet të jetë ai që do të udhëheqë këtë parti edhe në ballafaqimet e radhës me kundërshtarin politik Edi Rama, përkatësisht në zgjedhjet për pushtetin vendor në pranverën e ardhshme dhe ato parlamentare të vitit 2025.

Megjithëse ndajnë qëndrime të ndryshme për këtë fakt. Pasi Kadilli këmbëngul që Sali Berisha duhej të ishte larguar nga politika dhe për më tepër që pas 32 viteve në të gjitha postet e larta të mundshme në zyrat e shtetit shqiptar, shtuar këtu dhe shpalljen nga SHBA familjarisht si person “non grata”, sepse nuk ka më çfarë i ofron partisë dhe vendit.

Teksa brenda tre ditësh tërhiqen nga kandidimi për kreun e PD tre kandidatët e afishuar në media dhe publik, në perceptimin e demokratëve dhe të shqiptarëve është krijuar ideja se të gjithë në këtë parti i tremben përballjes me Berishën, dhe se kjo parti mund të konsiderohet tani e tutje një “pronë” e liderit historik.

E vërteta e dhimbshme është katandisja e partisë më të madhe opozitare dhe alternativë për rotacionin politik në atë shkallë sa të ketë të vetmen zgjidhje për ringritjen e saj nga kriza ku ka hyrë për shkak të konfliktit për lidershipin, një 80 vjeçar, i cili ka qënë kryetar i PD, zyrtar ose në prapaskenë, President dhe kryeministër i vendit dhe për më tepër i padëshiruar nga aleati ynë më i madh SHBA. Dhe janë të detyruar t’i besojnë rikthimin e PD në pushtet pas 12 vitesh opozitë.

Njëherësh kjo tregon dhe nivelin e ulët të demokracisë në partitë tona politike, ku “piramida” e drejtimit të tyre është aq e “kithët”, sa largimi i liderit shkakton destabilizimin total të partisë, e certifikuar kjo me situatën e rëndë të krijuar në PD pas 9 shtatorit të vitit të kaluar, kur Basha përjashtoi Berishën, duke sjellë reagimin e këtij të fundit që përmes një lëvizjeje politike të rikthehej pas 9 vitesh qëndrimi në prapaskenë dhe të rrëzonte liderin e PD të zgjedhur vetëm disa muaj më parë, kryesisht me pëlqimin e tij, dhe të marrë frenat e drejtimit të partisë.

Por çfarë efekti do të ketë në PD një situatë e tillë “domino” me zgjedhjen e kreut të partisë më të madhe opozitare. Që praktikisht është e ndarë në tre pjesë: Ata që mbështesin Berishën, ata që janë kundër tij dhe mbështesin Enkelejd Alibeajn, kryetarin e komanduar nga Basha deri pas zgjedhje dhe ata që nuk janë të vendosur dhe që presin vendimin e gjykatës së Apelit për Kuvendin e 11 dhjetorit të Berishës, për t’u pozicionuar qartë se me kë do të jenë.

Në krye të herës ajo që mund të themi është se, nëse Berisha nuk gjen dot një kandidat formal që të garojë përballë tij më 22 maj për postin e kryetarit, hyrja në garë i vetëm do të delegjitimojë gjithë procesin, duke na kthyer në kohën e zymta të qeverisjes së PD nga një dorë e vetme.

Kjo do të ishte një “plus” i madh në zhgënjimin më tej të shqiptarëve nga PD, për të mos e parë më këtë parti si një alternativë demokratike, që të konkurrojë PS-në e drejtuar nga Edi Rama.

Elektorati gri do të largohej gjithnjë e më shumë nga një parti që udhëhiqet me dorë të hekurt nga “pronari” i saj Sali Berisha, i cili pavarësisht se është në opozitë, ka zgjedhur në Këshillin Kombëtar pothuajse të gjithë njerëzit e tij, të familjes ose kamikazë që i kanë shërbyer me devotshmëri në pushtet dhe tani kur ka marrë realisht drejtimin e kupolës së PD.

Zgjedhja pa konkurrencë në krye të PD e Berishës, pasi kandidatët rivalë janë aq të trembur sa janë tërhequr nga kandidimi, krijon frikën tek elektorati gri se një metodologji të tillë Berisha do ta implementojë dhe në pushtet, nëse arrin të marrë votat e duhura për të qeverisur.

Berisha ka dhënë prova se qeveris me ata që kanë dosje apo kanë cene në aktivitetin e tyre, gjë që shfrytëzohet nga ai si drejtues i institucioneve shtetërore, për t’i detyruar të bëjnë dhe më të pamendueshmen.

Rasti i Bashkim Gazidedes në krye të SHIK dhe Agim Shehut në krye të policisë së shtetit në qeverisjen e parë, të cilët instaluan një regjim thuajse ushtarak, dhe të involvimit të familjarëve dhe miqve të tyre në drejtimin e vendit dhe përfitimit të “aseteve” që të jep të qenit në pushtet, në qeverisjen e dytë, e tregojnë më së miri këtë.

Përmes këtyre njerëzve Berisha realizoi aferën e Rrugës së Kombit dhe të CEZ-DIA, aferën e demonstimit të monicioneve në Gërdec nga i biri, që shkaktoi dhe tragjedinë më të madhe në këtë vend nga shpërthimi i kësaj punishteje, me 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur, por dhe “prodhoi” një vrasje misterioze si ajo e Trebickës së lidhur me demontimin e municioneve apo azilin politik të shefit të shtabit të përgjithshëm gjeneral Luan Hoxha, vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës në bulevardin qëndror të kryeqytetit para kryemninistrisë nga Garda e Republikës më 21 janar 2011 dhe probleme të tjera të rënda me efekt financiar e deri në shkatërrimin e drejtësisë dhe të institucioneve. Gjithë ky “tërmet” u bë nga Berisha për të mbrojtur familjen dhe miqtë.

Pikërisht këtyre pasojave i tremben shqiptarët, të cilët do të qëndrojnë gjatë larg PD, sidomos sa kohë që në krye të saj do të jetë Sali Berisha, duke i shtruar rrugën partisë më të madhe opozitare që të qëndrojë shumë gjatë larg pushtetit.

Ndërkohë që garimi i vetëm i Berishës për postin e kreut të PD, pas dorëheqjes së kandidatëve potencialë dhe strukjes së të tjerëve që ndoshta mund të kishin pretendimin për të uëdhëhequr këtë parti pas krizës së lidershipit që e ka mbërthyer për muaj me radhë, tregon se shpallja “non grata” nga SHBA dhe izolimi ndërkombëtar ndaj liderit historik, ka dhënë rezultatet e veta reale. Shohim një Berishë më të vetmuar dhe më të izoluar se kurrë në mjedisin e tij të “fitores” mbi Lulzim Bashën, i cili për 9 vite me radhë ishte i emëruar në krye të kësaj partie.

Njëherësh tregon se PD, sa të jetë Berisha kryetar, për më tepër i zgjedhur pa garë në krye të saj, nuk do të vijë kurrë në pushtet. Kjo është e qartë dhe për demokratët, të cilët me sa duket e kanë mbështetur Berishën për nostalgji apo për inat të Bashës. Të cilit me sa duket nuk i falin jo vetëm faktin se nuk i solli në pushtet, por sepse u pasurua sa ishte kryetar opozite. Dhe shqiptari e ka treguar ndër shekuj se për të lënë komshiun pa shtëpi, është gati të djegë shtëpinë e vet.

Nga ana tjetër, shpresat janë tek LSI e Ilir Metës, bashkimi në koalicion me të cilin pret vetëm formalizimin e Presidentit aktual në krye të kësaj partie. E pse jo, që Meta dhe të marrë në dorë drejtimin e koalicionit, sa kohë që nuk është shpallur ende “non grata” nga SHBA. Jo se besojnë opozitarët se mund të mundet Rama dhe në koalicion me Metën, por shpresojnë në ndonjë mrekulli. Ndërsa Berisha është i sigurtë që e arriti atë që donte: Jo bërjen e PD alternativë pushteti, por kthimin e saj në një mburojë për t’u mbrojtur nga SHBA dhe drejtësia shqiptare. Gjen dhe Metën në të njejtin hall, por jo PD-në që në mënyrë të padrejtë vuan nga halli i Berishës dhe Metës.

Tërheqja e kandidatëve tregon dhe një element tjetër të qenësishëm: pritjen e përballjes së Berishës si lideri i PD, me kundërshtarin politik Edi Rama në zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe ato parlamentare të vitit 2025. E dinë se humbja është e sigurtë dhe shpresojnë që Berisha do të respektojë statutin e ndryshuar nga vetë ai, që kryetari largohet automatikisht kur humbet zgjedhjet. Berisha ka treguar se nuk pyet për institucione, por duhet të presim.

Do të presin bashkë me ne dhe mëtonjësit e postit të kryetarit të PD, kur Berisha të dështojë dhe të vertetojë dhe zyrtarisht se respekton “Kushtetutën” e PD, statutin, duke ikur pas humbjes, dhe pasjtaj të hyjnë në garë për kreun e partisë, pas pasur kandidat alternativ Berishën. Deri atëherë do të ndjekim lëvizjet e një Berishe kryetar absolut të PD, të vetmuar dhe izoluar, por dhe tërësisht përgjegjës për çfarë ndodh në PD.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?