Anthony Quinn ne rolin e Grekut Zorba

Periferi

Ballkani perëndimor dhe BE si në fjalët magjike të grekut Zorba

18 Maj 2022, 17:21| Përditesimi: 18 Maj 2022, 17:46

  • Share

Eshtë një dialog i pavdekshëm në filmin “Greku Zorba”, ku Anthony Quinn nën melodinë e sirtakit të Mikis Theodorakis nis t’i mësojë të kërcejë trashëgimtarit anglez të minierës së karbonit ndërsa ngrenë dolli ashtu siç vetëm në Ballkan dinë të ngrenë: " - Shëndet! – Për shëndetin tënd Zorba! – Të dua shumë Mister, ndaj dua të të them diçka. Ti zotëri i ke të gjitha, veç një gjë të mungon: Çmenduria! Duhet pak çmenduri, sepse pa të nuk mund të lëshosh litarin e të jesh plotësisht i lirë!”

Dhe pastaj Zorba dhe Zoti Basil kërcejnë e kërcejnë si të çmendur në ishullin e Kretës. Anglezi perfekt, Basil mëson të qeshë, mëson të kërcejë, mëson të jetojë përtej perfektësisë dhe qytetarisë angleze që e kishte ngurtësuar.

I madhi Nikos Kazantzakis përmes Zorbës solli në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore ballkanasin tipik. Zorba mësohet të ketë jetuar me të vërtetë. Ishte me origjinë nga Shkupi, nipër e mbesa të tij sot jetojnë nga Beogradi në Selanik dhe shkrimtari grek thuhet se u takua me të ndërsa ai kërkonte një minierë për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak. Në ligjet e kohës kush punonte në minierë nuk ishte i detyruar të bënte shërbimin ushtarak pasi miniera e ushtria konsideroheshin e njëjta gjë. Pra, ballkanasi Alexis Zorba, mes pijes, dallavereve, grave, paaftësisë për të ndërtuar dicka, i mësoi anglezit Basil lehtësinë e jetës, atë që i duhej zotërisë për të qenë i lirë dhe perfekt.

Do të duhej të ishte kjo metaforë, filozofia e Bashkimit Europian në pranimin me krahë hapur të Ballkanit Perëndimor në gjirnin e saj, tamam si në sirtakin e Mikis Theodorakis. Pikërisht ajo grimcë çmendurie që këto anë të Europës së vjetër kanë mishëruar gjithnjë e që janë pjesë përbërëse e saj, Alexis Zorba, apo George, apo Gjergj si mund të quhej maqedonasi në librin e më pas në filmin e famshëm, janë një pikë takimi dhe pranimi mes dy realiteteve që duken shumë të ndryshme, por plotësojnë mrekullisht njëra-tjetrën për të bërë një Europë të jashtëzakonshme. Pak të çmendur, por më të bukur dhe më të mirë.

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?