Burimi i Lëpushës nga merr rrugë Lumi Shushica, i gërmuar për ndërtimin e veprës marrëse

Bajram Peçi: Na merr ujin dhe na prish të ardhmen

25 Korrik, 16:14| Përditesimi: 25 Korrik, 16:18

  • Share

Janë banorët e luginës së Shushicës ata që shprehen kështu! Nga Kuçi, Horë-Vranishti e deri tej, në Brataj, me devijimin e lumit do të ishte mbarimi i jetës në këtë luginë të bukur, ku vetë Zoti qiellor ka vënë dorë. Një tjetër i vetëvlerësuar zot, tashmë tokësor, ai i pushtetmbajtësit, nën ndikimin e avujve dehës prej lartësisë nga ku njerëzit të duken të vegjël, të merr mendjen dhe vendos që “ky ujë që derdhet kot” të shkojë në Himarë, ku po lulëzon turizmi me të ardhura që do ua zbukurojë jetën shqiptarëve!?

Devijimi i rrjedhës, që duket qartazi se është në shkelje të çdo ligji, rregulli e morali dhe dërgimi i ujit me tubacione për në Himarë, është pak t’i thuash fatkeqësi, është fundi i bujqësisë, fundi i blegtorisë për dhjetëra fshatra.

Protestave të banorëve, që kundërshtojnë një vendim tmerrësisht të gabuar, që shohin se arbitrariteti i pushtetit i nëpërkëmb, qeveria u është përgjigjur me heshtje dhe shurdhëri dhe vetëm në një rast, atje ku kryeministri ndante certifikata pronësie, ju gjegj një gruaje fare shkurt: nuk është kështu!

Kjo zonja e nderuar kuçjote i kish kërkuar që mos t’ua merrte ujin e lumit, por kryeministrit me sa duket na i kishin thënë se “...do marrim pak ujë e të shumtin do ja lëmë banorëve”. Që kjo është një gënjeshtër e shëmtuar, do j’ua ilustroj me një foto për të cilën vajta enkas në Kuç më datë 17 korrik.

Ja, shihni se ç’bëhet? Firma e ndërtimit të linjës së ujësjellësit Kuç-Himarë ka gërmuar e po stis një shtrat, që fillon nja 50 metra poshtë burimit të lëpushësh, ngjitet lart, duke gërmuar horizontalisht shtratin, deri në burim. Lartësia mbi 20 metra i krijon inxhinierisë së ndërtimit kushtet e përsosura për ndërtimin e shtratit të veprës së marrjes nga burimi, duke mos lënë as një pikë të rrjedhë më tej.

Kryeministri dhe ministret e qeverisë së tij, znj. Balluku e znj. Kumbaro, të cilave u jemi drejtuar me shkrim për të na informuar sipas ligjit se në çfarë rrethanash e kanë dhënë lejen, as e kanë idenë se nga ky burim që futet drejtë-përsëdrejti në tubot 500-she, merr ujë fshati Kuç-Qëndër e fshati Kuç-Buronja? Prej burimit, në lagjen Lugje e më përtej, deri tek ura e Laskos, disa kilometra, deri sa në shtratin e thatë, futet ndonjë burim tjetër i vogël, gjithçka thahet, pa përmendur pasojat e tjera në vijim të rrjedhës, tej fshatit Kallarat.

Foto ilustruese: burimi i Lëpushës, nga merr rrugë Lumi Shushica, i gërmuar e përgatitur për ndërtimin e veprës marrëse

Ja, shiheni dhe një herë foton, i nderuar lexues, për të zbuluar gënjeshtrën e se në çfarë marrëzie përfundojnë vendimet e pamatura!? Në intervistën që i ka marrë agjencia franceze AFP dhe ribotimi i saj në të përditshmen italiane, “La Republika”, ministrja e Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro, hedh poshtë pretendimet e banorëve, ju kundërvihet protestave të banorëve, duke thënë se projekti nuk e cënonte një zonë të mbrojtur. Kjo zonjë, as e di ku bie ky lumë dhe as i ka rënë rasti të shkojë të shohë punimet te burimi kryesor i Shushicës, flet qorrazi, jashtë llogjike, derisa vetë ajo ka firmosur se në një park kombëtar është i ndaluar devijimi i ujërave të lumenjve. Kur ka firmosur një projekt që devijon ujrat e lumit Shushicë, ajo nuk ka kërkuar nga instancat vartëse studimin se si firma e zonjës ministre do të ndikonte jo vetëm në biodiversitetin dhe ekosistemin, por edhe në ekonominë lokale, e cila varet totalisht nga ujët e këtij lumi!

Ndodhur në këto rrethana, banorët u janë drejtuar edhe ndërkombëtarëve, Fondit Shqiptar të zhvillimit që ushqehet prej tyre, mediave në Europë, madje dhe Shoqatës Patagonia, z.Ryan Gellert, ata që ishin të pranishëm kur u shpall Vjosa Park Kombëtar, që na thane se Vjosa është unike, se Vjosa është lumi i fundit i paprekur në Ballkan dhe në Europë, etj. Planet për të devijuar ujin e një komuniteti prej dhjetëra fshatrash në zonat në zhvillim, nuk është se kërcënojnë vetëm mbijetesën e tyre ekonomike. Atyre u shkatërron gjithçka, uji është jeta e tyre. Ajo që u mbetet është braktisja, emigrimi diku tjetër.

Në këtë betejë të banorëve për mbijetesë, kanë gjetur mbështetje prej mediave ndërkombëtare, madje pranë protestës së tyre u bashkua para dy javësh edhe një grup banorësh boshnjakë të cilët për një vit rresht mbrojtën lumin e tyre nga grabitja e bizneseve që ndërtonin HEC-e nëpër përrenj fshatrash.

Vetëm qeveria shqiptare hesht!

Punimet për shtrirjen e 17 km. të linjës së ujësjellësit nga Kuçi në Himarë vazhdojnë me ritme të larta, pa përfillur të ngratët banorë të poshtëruar nga dhuna vepruese e arroganca.

Banorët vendas u bëjnë thirrje autoriteteve të heqin dorë nga plani, të ndërpresin punimet ose ndryshe, do intensifikojnë veprimet, brenda kuadrit demokratik dhe të drejtës për të mbrojtur jetët e familjeve te tyre, tashmë të kërcënuara.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • May day: 25/07/2024 20:17

    Ore,ku jeni ju Trimat e Kuç Kallarat e Bolenë,..çohuni ore e mos i lini?!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Beteja në Kushtetuese, a duhet që listat për deputetë të hapen plotësisht?