Kultura

Azem Kuçana ekspozon ‘Eposin e Kreshnikëve’, motivet e lashta rikthehen në vepra arti! Piktori: U rrita me eposin dhe baladat

27 Shtator 2022, 12:17| Përditesimi: 29 Shtator 2022, 12:01

  • Share

Ekspozita e një prej piktorëve më të talentuar, Azem Kuçana, është çelur këtë të hënë në Muzeun Historik Kombëtar. Sipas drejtorit të muzeut Dorian Koçi, figurat e demonstruara nga piktori marrin një vlerë të veçantë në historinë e artit shqiptar.

“Tradita është një pjesë e rëndësishme. Është një vektor i rëndësishëm i trashëgimisë tonë kulturore që na tregon rrënjët, na tregon lidhjet tona kulturore dhe shpirtërore me botën mesdhetare, me botën evropiane”. 

Kuratorja e ekspozitës Suzana Varvarica e vlerëson krijimtarinë e Kuçanës për mrekullinë e një jete marramendëse në të shkuarën e malësorëve të baladave dhe të “Eposit të kreshnikëve”:

“Sepse figurativiteti i Azem Kuçanës lidhet me “Eposin”, lidhet me figura të dukshme të valleve ose të këngëve të lahutës tonë të mrekullueshme”-tha kuratorja e kësaj ekspozite, studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka.

Çelja e ekspozitës në Tiranë paralajmëron çeljen e një tjetre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mua më vjen shumë mirë që Azem Kuçana do të shkoj me këto piktura në Nju Jork. Por ka të tjera që e kanë kaluar tashmë kufirin e shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë pjesë e kësaj ekspozite. Dhe kjo është pjesa e dytë e krijimtarisë së tij, të cilën e menduan së bashku ta ekspozonte këtu dhe më pas  të bëhej kjo pjesë e ekspozitës së madhe me 80 punime në Nju Jork”-tha kuratorja Suzana Vavarica.

Veprat e Azem Kuçanës janë një histori pasioni që e ka përjetuar në fëmijëri përgjatë rrëfimeve të gjyshes, për kreshnikët, orët dhe zanat. 

“Për mua është e natyrshme lidhja me motivet e Eposit”. Unë kam rreth 22 punë këtu dhe kam një cikël i cili shkon me deri 60 punë, të cilat janë me temë nga cikli i kreshnikëve, këngët e Mujit, e Halilit, zanat.”, thotë piktori Kuçana. 

Ekspozita e Azem Kuçanës do të qëndrojë e çelur deri më dy tetor në sallonin e hyrjen kryesore të Muzeut Historik Kombëtar.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?