Zjarri në Finiq

Zjarri në Finiq, Auron Tare: Kur Fajin nuk e kanë Barbarët

8 Gusht, 18:31| Përditesimi: 8 Gusht, 19:47

  • Share

Sot zjarri në mesditë shkrumboi Finiqin, një nga qytetet më të njohura të botës Antike.

Përveç ndonjë lajmi të thatë për një zjarr të rëndomtë askush nuk foli për katastrofën kulturore ndaj këtij qyteti antik.

I rrethuar me mure madhështore me blloqe monolite, me një Akropol diku 7 herë më të madh se ai i Athinës, me një Teatër që mbante mbi 15 mijë spektatorë, me një histori aq të lavdishme sa pak kush e ka, Finiqi është i harruar, i braktisur dhe i pa njohur masivisht nga publiku shqiptar.

Kryeqytet i Epirit, vendi ky familja mbretërore Molose kishte fronin e vet, ku Kaonet Epirotë lulëzuan në tregti, arte dhe kulturë. Vendi nga ku Aleksandri i Epirit, vëllai I Olimpias, nënës së Aleksandrit të madh filloi fushatën e tij ushtarake dhe prej nga transportoi elefantët e dërguar nga nipi i tij i famshëm në anije ushtarake drejt gadishullit italik.

Qyteti ku Republika Romake dhe Mbretëria Maqedonase firmosën të parin Traktat për ti dhënë fund luftimeve mes tyre. I pushtuar dhe plaçkitur rëndë nga Ilirët e Teutës që e rrethuan pa pritur, i tradhëtuar nga mercenarët galë dhe i ri plaçkitur nga trupat e Paulius Aemilius, Prokonsullit Romak në Luftën Epirote, Finiqi nuk u dogj asnjë herë. Madhështia i bëri të gjithë ushtritë luftuese të nderonin këtë qytet famëmadh me një kulturë dhe arkitekturë mbresëlënëse.

Kërkimet arkeologjike dhe zbulimet u firmosën për të parë herë në kohen e Mbretit Zog, nga i njohuri arkeolog Ugolini. Gjatë periudhës së komunizmit u bënë një sërë ekspeditash arkeologjike dhe restauruese.

Pas rënies së komunizmit ishte një nga vendet ku u gërmua sistematikisht me eskavator nga kërkuesit e thesareve duke dëmtuar rëndë struktura të tëra arkitekturore.

Në 1996 eksploratori i famshëm Norvegjez Thor Heyderal e vizitoi Finiqin me idenë e një ekspedite ndërkombëtare arkeologjike por ‘97 e pengoi këtë ide interesante.

Ne 2002 nën projektin e Parkut Kombëtar të Butrintit me mbështetjen e fondacioniy privat amerikan Coolidge nga Boston MA dhe Shërbimit Kombëtar të Parqeve Amerikane u bë e mundur vendosja e një ekipi prej 6 rangers për të mbrojtur këtë thesar historik.

Me ardhjen e Berishes II, ky shërbim u shkri dhe që prej asaj kohe Finiqi është zhytur në harresë totale institucionale. Nëse lexuesi do të lexojë se një nga Ministrat e Kultures nuk e dinte se ku binte Finiqi apo se një pjesë e mirë e baballarëve të Kombit nuk e dinte se çfarë është apo ku bie jam i sigurtë që nuk do ta besojnë. Fatkeqësisht është e vërtetë.

Finiqi ashtu si pjesa më e madhe e Trashëgimisë Kombëtare është pjesë e një harrese dhe neglizhence të frikshme. Edhe pse është premtuar gjërësisht krijimi i një strukture që do të mbronte dhe mirëmbante monumentet e Kulturës si dikur nën “çatinë” e Institutit te Monumenteve të Kulturës, apo një strukturë të dedikuar pavarësisht emrit, Monumentete e Trashëgimisë jane të braktisura apo të harruara.

Çdo justifikim për mungesa apo pengesa burokratike janë totalisht të pa vërteta. Me një llogaritje të thjeshtë mund të kuptoni se Parku Kombëtar i Butrintit (një fshat i vogël në kohën e madhështisë së Finiqit) nxjerr diku tek 2 milion euro të ardhura nga biletat. 2 Milion euro janë mjaftueshëm për të mbajtur në këmbë të gjithë rrjetin e monumenteve të Kulturës në rrethin e Sarandës. Përfshi këtu edhe fondet direkte apo indirekte shtetërore që shkojnë për Tendera në fushën e turizmit/trashëgimisë do të shikoni se nuk është çështje fondesh por paaftesie dhe neglizhence totale ndaj Trashëgimisë.

Zjarri i sotëm i cili shkrumboi tërësisht Parkun Arkeologjik të Finiqit duke dëmtuar monumentet e Kulturës dhe strukturat antike tregon më së mirë braktisjen e këtij Qyteti vetëm 9 km nga Saranda.

Harresa dhe braktisja e këtij Qyteti madhështor që sot u bë shkrumb nuk ka lidhje me barbarët e dikurshëm por në rradhë të parë me frymën indiferente të publikut dhe me paaftesine burokratike të Institucioneve të cilët nuk po kuptojnë se Trashëgimia Kulturore është çelsi i një turizmi largpamës dhe mundësi për zhvillimin ekonomik.

G.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Po mër po: 08/08/2024 19:42

    2 milion euro pa llogarit vjedhjet pa bileta

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?