Sali Berisha, moment nga takimi Basha-Rama dhe Ilir Meta

‘Ashtu siç donte LSI’ dhe ‘Fitoi Shqipëria’! Sot e quajnë 'ditën më të zezë të opozitës', por ç'thoshin Berisha dhe Meta 5 vite më parë për marrëveshjen Rama-Basha?

17 Maj 2022, 18:13| Përditesimi: 17 Maj 2022, 19:31

  • Share

17 maji 2017 në historinë politike të Shqipërisë do të mbahet mend për një marrëveshje, të bërë ashtu vetëm për vetëm, mes kryetarit të mazhorancës Edi Rama dhe kreut të PD në atë kohë, Lulzim Basha. Ky i fundit kishte ngritur një çadër në mes të Bulevardit të Tiranës dhe paralajmëronte se nuk do të futej në zgjedhje nëse Kryeministri nuk jepte dorëheqjen, ndërkohë që të huajt gjithmonë e më shpesh po vinin në Tiranë.

Sot nga Sali Berisha dhe Ilir Meta kjo marrëveshje është konsideruar si tradhtia më e madhe e bërë nga Lulzim Basha kundër interesave të opozitës së vendit, në shërbim të Ramës. Presidendi Meta doli sot në një deklaratë të posaçme për mediat dhe e konsideroi këtë marrëveshje të turpshme, e cila solli lënien e mandateve dhe dorëzimin sipas tij të qeverisjes vendore nga ana e opozitës në dorë të socialistëve. Ndërsa ish-Kryeministri me deklaratat e tij që prej ditës kur Basha e përjashtoi nga grupit parlamentar më 9 shtator të vitit të kaluar, ka ndërruar 180 gradë qëndrim ndaj kësaj marrëveshje, duke thënë se që prej 17 majit 2017 u asgjësua opozita dhe filloi pengmarrja e Lulzim Bashës.

Por çfarë thoshin 5 vite më parë Sali Berisha dhe Ilir Meta, në atë kohë kundërshtarë politike, Berisha si ‘mentor’ i Bashës dhe Meta si aleat i Ramës?

Në një postim në Facebook Berisha e konsideronte historike marrëveshjen, që fitonte Shqipëria.

“Të dashur miq, drejtuesit e dy partive kryesore të vendit firmosën sot një marrëveshje, me të cilën i dhanë zgjidhje njërës prej krizave politike më të rrezikshme të këtyre 26 viteve të fundit, që prej disa muajsh kishte rrokur vendin. Në këtë kontekst, mendoj se çdo shqiptar duhet të ndjehet vërtet i lehtësuar për zgjidhjen me mjete politike të kësaj krize që kërcënonte në mënyrën më serioze ekzistencën e pluralizmit politik në Shqipëri, themelet kushtetuese të shtetit demokratik, paqen sociale dhe stabilitetin e vendit. Kështu që pa u ndalur në një analizë të hollësishme, e them me bindje të plotë se me këtë marrëveshje ka fituar Shqipëria dhe se për të gjithë shqiptarët që e duan vendin e tyre dhe vlerat e lirisë, marrëveshja është një win-win story. Me këtë rast të dashur miq, le të shprehim mirënjohjen tonë më të thellë ndaj miqve tanë të respektuar evropianë dhe amerikanë për ndihmën e tyre tejet të çmuar që dhanë në arritjen e kësaj marrëveshje si dhe ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që vendosën sakrificën e tyre në themel të saj si dhe ndaj të gjithë atyre, që me angazhimin serioz bënë të mundur këtë marrëveshje të një rëndësie historike për Shqipërinë”, shkruante Berisha në atë kohë në Facebook.

Ndërsa Ilir Meta nga ana tjetër i njihte merita vetes, duke thënë se kjo ishte ajo që kërkonte LSI, pasi Meta në atë kohë ishte kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

“Kjo marrëveshje mund të them se në thelbin e saj garanton zgjedhje me opozitën, që ato të mos jenë farsë. Është rezultat i një angazhimi sistematik dhe mjaft konstruktiv i Lëvizjes Socialiste për Integrim për një kohë të gjatë. Dhe në fund fare produkti kryesor cili është? Futja e opozitës në zgjedhje gjë për të cilën ne nuk kemi reshtur asnjëherë përpjekjet për ta realizuar.

Dhe së treti, krijimi i një qeverie besimi për zgjedhjet. Kjo qeveri u krijua. LSI-ja foli për qeveri besimi prej gati 2 muajsh dhe madje ofroi për të vënë në dispozicion të një qeverie të tillë që garantonte pjesëmarrjen e opozitës në të gjitha mandatet e saj. Pra, në mandatin e kryeparlamentarit, të ministrave dhe kështu me radhë", shprehej Meta në atë kohë, kryetar Kuvendi dhe kryetar i LSI. 

Postimi i Berishës ditën e marrëveshjes

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 18/05/2022 01:57

    Nuk ka asgje per t'u cuditur.Atehere kujtuan se marreveshja do t'u jepte fitore,por ja qe s'fituan.Fati i tyre u percaktua nga vota.

    Përgjigju
  • Viçidoli: 17/05/2022 19:13

    Asgjë e re,këta të dy janë nëna dhe babai i hipokrizisë,megallamonisë,hajdutrisë,tradhëtisë,populizmit fals e me pasoja për vëndin,demokracinë,paqen dhe stabilitetin e vëndit.Këta kanë lindur dhe do vdesin për të qënë e keqja dhe gjëma më e madhe e këtij kombi.

    Përgjigju
    • lela: 18/05/2022 09:58

      sakte dhe pa gabime !!!

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?