Artur Ajazi: Mosbindje civile, apo mungesë qytetarie

28 Tetor, 18:35| Përditesimi: 28 Tetor, 18:37

  • Share

Protestat e opozitës, që prej disa ditësh nënkuptojnë me demek “mosbindje civile”, ka vendosur ti kthehet rrethrrotullimeve. Pra, të bllokojë trafikun e mjeteve, edhe pse dikush ka halle dhe probleme, edhe pse institucionet e shtetit kanë ngarkesën e tyre për jetën e qytetarëve. Berisha doli nga banesa e tij online, dhe tha se “kemi vendosur ti tregojmë kësaj narkoqeverie se ne jemi të vendosur në aksionin tone, o sot o kurrë”.

Në protestën e kaluar, një grua shtatzënë, e lindi fëmijën e saj në autoambulancë. Tani rradhën e kanë rrethrrotullimet. Në raste të tilla, askush nuk fiton, aq më tepër opozita e cila pretendon se me “bllokime aksesh rrugore, do të largojë qeverisjen Rama”. Duhet të jesh dritëshkurtër si politikan, të besosh se 6 muaj para zgjedhjeve, të fitosh ca vota më tepër, duke ngritur mbështetësit e tu, dhe duke bllokuar për 3 orë rrethrrotullimet kryesore të akseve rrugore të vendit. Normalisht që kjo, quhet mungesë qytetarie, dhe jo “mosbindje civile”. Atëhere në rast se është mosbindje civile, deputetët e PD-së nuk duhet të shkelin në Parlament, as këshilltarët demokratë të bashkive, nuk duhet të shkojnë në mbledhjet e Këshillave Bashkiake, apo dhe të tjerë opozitarë që janë pjesë e qeverisjes lokale. Dhe më kryesorja, mosbindje civile, ka kur vendi është nën regjime totalitare, apo kur qeverisin bandat dhe trafikantët. Në Shqipëri, pushtetin e ka Partia Socialiste, e cila prej 2013, fiton në çdo raud zgjedhjesh me shumicën e votave të shqiptarëve. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, dhe anëtar me të drejta të plota në disa struktura të rëndësishme Euroatlantike.

Atëhere, ç’hyn këtu mosbindja civile ? Opozita e cila ndjehet e pafuqishme të organizojë tubime me shumicën e qytetarëve, po shfrytëzon ndoshta “kartën” e fundit, të cilën e quan “mosbindje civile”. Shqiptarët, dhe veçanarisht demokratët janë lodhur me “aksionet opozitare”, apo me ultimatumet “o sot, o kurrë”. Fushata pothuajse ka nisur. Kjo padyshim mbetet fusha më e mirë ose “mejdani”, ku do të duken vlerat e atyre që u “dhimbset vatani dhe populli”. Duhet të dalin në terren, të takohen me popull, tu flasin mbi programin e tyre, dhe të shohin pastaj rezultatin. Kjo bind më shumë se “mosbindja civile dhe bllokimi i rrethrrotullimeve”.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?