Ekskluzive/ Shintigrafia 3 muaj jashtë funksioni në QSUT, Ministria s'blen jodin radioaktiv! Të sëmurët në pritje ose detyrohen të shkojnë në privat

19 Mars, 13:27| Përditesimi: 19 Mars, 18:14

  • Share

TIRANE- Linditën e gjejmë në qendrën shëndetësore të specialisteve numër 2 në Tiranë.

Ka 4 muaj e diagnostikuar me tiroiden, e për të parë ecurinë e gjëndrës, nëse duhet të ndryshojë kurën e ilaçeve apo t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, i duhet të kryejë shintigrafinë, aparaturë që në QSUT nuk funksion nga janari i 2024-ës. Megjithatë 32-vjeçarja ka bërë planifikimin më datë 26 shkurt, por akoma pret. Në javë, mbi 15 pacientë presin si Lindita.

“Mjekja e bëri planifikimin që atë ditë. Më tha Lindita do ta bëjmë në shtet se në privat kushton. Pastaj më tha më merr një ditë përpara në celularë, pastaj më tha nuk punojnë, më vjen keq po s’di çfarë të them”, thotë ajo.

Report Tv u interesua për situatën, nga ky përmes burimeve mësuam se në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, i vetmi spital publik ku ky ekzaminim ofrohet, shintigrafia nuk funksionon dhe shkak është bërë mungesa e lëndëve të domosdoshme radioaktive: jodit dhe tekneciumit, që me porositjen dhe sigurimin e këtyre lëndëve radioaktive merret drejtpërdrejt Ministria e Shëndetësisë.

“Jodin radioaktiv e përdorim sepse duke qenë se tiroidja e kap e fut brenda në qelizë dhe aty ai e shkatërron qelizën e keqe.... Kështu që ne këtë duam të shkatërrojmë, dhe këtë e bën vetëm jodi radioaktiv”, shprehet Florian Toti, mjek Endikrinokog QSUT.

Këtë situatë, po e vuajnë jo vetëm të sëmurët me tiroide, pasi e njëjta aparaturë e shintigrafisë shërben edhe për të sëmurët nga veshka, mushkëria, zemra, problemet me kockat.

“Shintigrafia mund të përdoret edhe për paratiroiden, mund të përdoret edhe shintigrafia e pulmonit, e veshkës, ose shintigrafia e kockave, e cila shërben për ndjekjen e metastazave të kancerave të ndryshme, siç është edhe kanceri i gjirit”, vijon mjeku Toti.

Me mungesën e lëndës radioktive që bllokon funksionimin e shintigrafisë, mjeku endokrinolog në QSUT, Florian Toti, thotë se kur sistemi të funksionojë, do të jetë një fluks i papërballueshëm.

“Në këtë periudhë që jemi tani gati çdo ditë vijnë 2-3 raste në ditë me rekomandimin për shintigrafi të tiroides. Një pjesë e tyre e kanë të nevojshme... janë grup moshat mbi 40 vjeç”, thotë mjeku.

Report TV iu drejtua me kërkesë zyrtare Drejtorisë së Përgjithshme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” se përse nuk po kryhet shintigrafia, por ende nuk ka mbërritur një përgjigje.

Në spitalet private në vend, ku qytetarët mund të jenë të detyruar të drejtohen gjatë kësaj kohe që shteti nuk e ofron shërbimin e plotë, shintigrafia kushton mbi 6 mijë lek.

Gazetarja: Ti je e detyruar ta bësh në privat tani?

Lindita (paciente): Po çfarë të bëjë, nuk kam zgjidhje tjetër”.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?