Organizoi trafikun e 7 emigrantëve që vdiqën në aksidentin tragjik të Këlcyrës, arrestohet 24-vjeçari! Tentoi t’i ikë policisë me motor

2 Korrik, 10:09| Përditesimi: 2 Korrik, 10:37

  • Share

Katër persona kishin organizuar trafikun e 7 emigrantëve nga Pakistani të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident në Këlcyrë më 4 prill. Policia ka arrestuar sot një prej organizatorëve, Stivljano Ndou, 24 vjeç, ndërsa 2 të tjerët, A. Gj. dhe R. D., u arrestuan më datë 03.04.2024.

Edhe shoferi, Edison Bregaj, që po transportonte emigrantët kishte organizuar trafikun bashkë me 3 të tjerët, por ai humbi jetën në aksidentin tragjik.

24-vjeçari Stivljano Ndou që ra sot në pranga, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës, ndërsa në momentin e lokalizmit ka tentuar që t’u ikë uniformave blu me motorin me të cilin po lëvizte në qytetin e Shkodrës.

"Si rezultat i kërkimeve të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe koordinimit të punës me shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, me qëllim kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për rastin e datës 02.04.2024, kur në një aksident rrugor, në aksin “Këlcyrë-Përmet”, humbën jetën 8 shtetas, 7 emigrantë nga Pakistani dhe drejtuesi i automjetit me të cilin transportoheshin ata, në kundërshtim me ligjin, u mundësua lokalizimi në Shkodër, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit Stivljano Ndou, 24 vjeç, banues në Shkodër", njofton policia. 

Ndaj tij rëndon akuza “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Bashkë me tre të tjerët, 24-vjeçari kishte organizuar kundrejt pagesës trafikun e emigrantëve nga Pakistani. Ata ishin nisur nga Shkodra për në Gjirokastër dhe synonin kalimin e kufirit me destinacion final vendet e Bashkimit Europian. Por mjeti është pikasur nga policia dhe shoferi Bregaj ka tentuar që t’i ikë policisë, por mjeti ka përfunduar në anë të lumit Vjosa duke i marrë jetën atij dhe 7 personave që ndodheshin në makinë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?