55 udhërrëfyes të rinj turistikë të certifikuar së fundi nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit iu bashkuan listës prej rreth 600 të certifikuarish që ushtrojnë profesionin e guidave lokale e kombëtarë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përmes një videomesazhi, u shpreh se këto certifikime janë tregues i rritjes së punësimeve në profesionit e turizmit, i lidhur me kërkesat që ka tregu.
“Nënshkrova 55 certifikata udhërrëfyesish të rinj, që i shtohen grupit prej 600 udhërrëfyesish të të gjitha llojeve, gjuhëve, aftësive të nddryshme që nga rafting deri tek ngjitjet në mal dhe jo vetëm, një armate udhërrëfyesish që deri pak vite më parë numëroheshin me gishtat e dorës. Është një lajm që dua ta ndaj me ju sepse kjo tregon se si po shtohen punësimet në këtë që sot e quajmë industria e turizmit ku janë një seri profesionesh zinxhir që i shërbejnë një tabloje të tërë të asaj që ne e quajmë Shqipëria turistike.
Dua të falenderoj stafin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që ka punuar për përgatitjen e dokumentacionit, por sidomos këta të rinj e të reja që besojnë tek ky treg i ri punësimi, që nuk është vetëm një punë, por një kontribut për Shqipërinë sepse përmes aftësive të këtyre të rinjve, ne prezantojmë Shqipërinë turistike, që nga trashëgimia natyrore, tek natyra, por edhe shërbimet dhe ofertat turistike kaq të shumta sot.
Kjo tregon që ka kërkesë, kjo tregon që ka treg dhe të ardhme”, u shpreh ministrja Kumbaro duke theksuar se profesioni i udhërrëfyesit, përtej prezantimit të bukurive natyrore e trashëgimive kulturore të vendit, është i rëndësishëm për të ofruar turizëm të sigurt në terrenet me nivele të caktuara vështirësie, ku shoqërimi nga guidat profesioniste është i domosdoshëm.
Aplikimet për udhërrëfyes turistikë janë të hapura në E-Albania.