Profesori akademisë Qetesor Gurra

4 mijë euro për gradën nënkomisar, SPAK mbyll hetimet dhe çon në gjykatë pedagogun e Akademisë së Sigurisë dhe dy të tjerë: U faktua korrupsioni

27 Maj 2022, 15:58| Përditesimi: 27 Maj 2022, 17:23

  • Share

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen ndaj ish-pedagogut të Akademisë së Sigurisë, Qetësor Gurrës, ish-punonjësit të policisë Dritan Lelajt dhe Silvana Nuhos, të cilët janë marrë të pandehur. Sipas SPAK është faktuar se Qetësor Gurra ka marrë 4000 euro nga inspektori i policisë rrugorë Dritan Lelaj që të ndërhynte për t’i dhënë grandën e nënkomisarit.

‘Është provuar tej dyshimit te arsyeshëm bazuar në prova se i pandehuri Dritan Lelaj ka ofruar përfitim e parregullt monetar të pandehurit Qetësor Gurra, i cili nga ana tjetër e ka pranuar këtë ofertë për përfitim të parregullt me qëllim ndikimin e paligjshëm tek funksionarë të tjerë publike të Akademisë së Sigurise dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të favorizuar të pandehurin Dritan Lelaj në rezultatin fitues në provimin e fitimit të gradës “Nënkomisar” për ndjekjen e studimeve në ciklin e parë në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2021-2022, të zhvilluar në datën 27.10.2021.’-thotë SPAK.

SPAK nënvizon se gjithashtu rezulton e provuar se i pandehuri Dritan Lelaj gjatë procesit të provimit/ankimit ka përdorur një dokument në të cilin janë paraqitur rrethana të rreme që nuk përputhen me të vertetën, dokument ky i lëshuar nga e pandehura Silvana Miho, si personi që ka patur për detyrë ta lëshojë dokumentin.

Sakaq për shtetasin nën hetim Agim Lelaj, është kërkuar pushimi i akuzës/hetimeve për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike”, parashikuar nga 245/1 pika 2 i Kodit Penal, me arsyetimin se veprimet e kryera nga ai nuk mund të kualifikohen si veprime të kundërligjshme që përbëjnë anën objektive të veprës penale të parashikuar nga neni 245/1 pika 2 e K.Penal.

‘Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 27.05.2022 ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 277/2021 në ngarkim të pandehurve:

Dritan Lelaj, me masë sigurimi “Arrest në burg”, akuzohet se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 245/1 pika 2 dhe 186/1 i Kodit Penal.

Qetësor Gurra, me masë sigurimi “Arrest në burg”, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 pika 4 i Kodit Penal.

Silvana Miho, akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.’- njofton SPAK.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?