Ilir Meta, Sali Berisha

Skënder Minxhozi: '17 maji' ose 'Një Prilli' i dyshes Meta-Berisha

17 Maj 2022, 17:13| Përditesimi: 17 Maj 2022, 17:25

  • Share

Pesë vjet më parë, teksa mbante hapur një Çadër gjigande në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Lulzim Basha u angazhua në një kompromis disaorësh me Edi Ramën, prej nga mori gjysmën e qeverisë socialiste, si parakushtin për të mbledhur karriget dhe foninë e protestës, por edhe si “pajën” që do e bindte atë për të hyrë në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2017. Një akord unik, i habitshëm e misterioz edhe sot, pesë vjet më vonë, të cilin Edi Rama do ta përmblidhte më vonë në frazën “i thashë merr gjithçka përveç meje, se unë  jam i martuar”.

Sot, pesë vjet dhe një mandat qeverisës më pas, Rama është ende në zyrën më të lartë të ekzekutivit, Lulzim Basha ka dhënë doreheqjen dhe të vetmit aktorë të jashtëm të atij kompromisi që në atë moment u shprehën me pozitivitet dhe madje entusiazëm, Sali Berisha e Ilir Meta, sot venë kujën për “tradhëtinë e 17 majit”.

Presidenti i Republikës i cili po bën provat gjenerale për jetën e re opozitare, e konsideroi kompromisin e majit 2017 mes Ramës e Bashës si “ditën më të erret të pluralizmit politik. Marrëveshjen e turpshme dhe tinëzare, në errësirë, tashmë të ekspozuar para dritës së diellit…”

Në terma të ngjashme ka folur këto vite për atë marrëveshje edhe Sali Berisha, personi i cili ka përdorur fraza të tipit “një marrëveshje nga e cila fiton vendi”, vetëm pak orë pas marrëveshjes në fjalë. Ja cili ka qenë statusi i plotë i Sali Berishës në rrjetet sociale në datën 18 maj 2017:

“Nje marreveshje nga e cila fiton vendi!

Te dashur miq, drejtuesit e dy partive kryesore te vendit firmosen sot nje marreveshje, me te cilen i dhane zgjidhje njeres prej krizave politike me te rrezikshme te ketyre 26 viteve te fundit, qe prej disa muajsh kishte rrokur vendin.

Ne kete kontekst, mendoj se çdo shqiptar duhet te ndjehet vertet i lehtesuar per zgjidhjen me mjete politike te kesaj krize qe kercenonte ne menyren me serioze ekzistencen e pluralizmit politik ne Shqiperi, themelet kushtetuese te shtetit demokratik, paqen sociale dhe stabilitetin e vendit.

Keshtu qe pa u ndalur ne nje analize te hollesishme, e them me bindje te plote se me kete marreveshje ka fituar Shqiperia dhe se per te gjithe shqiptaret qe e duan vendin e tyre dhe vlerat e lirise, marreveshja eshte nje ëin-ëin story.

Me kete rast te dashur miq, le te shprehim mirenjohjen tone me te thelle ndaj miqve tane te respektuar europiane dhe amerikane per ndihmen e tyre tejet te çmuar qe dhane ne arritjen e kesaj marreveshje si dhe ndaj te gjithe atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave qe vendosen sakrificen e tyre ne themel te saj si dhe ndaj te gjithe atyre, qe me angazhimin serioz bene te mundur kete marreveshje te nje rendesie historike per Shqiperine! Sb”

Pak më i përmbajtur por aspak i pezmatuar apo sadopak i krahasueshëm me qëndrimin që mbajti sot, ka qenë edhe Ilir Meta në ato orë. Ja çfarë deklaronte ish-kryetari i Kuvendit i atij momenti, për marrëveshjen Rama-Basha, në emisionin “Zonë e Lirë” pak ditë pas marrëveshjes: Kjo marrëveshje favorizon LSI. Kjo marrëveshje garanton zgjedhje me opozitën. Kjo është rezultat dhe insistim i LSI. Rezultat i saj është krijimi i një qeverie besimi.

Pra, asnjë ditë e errët, asnjë tradhëti, asnjë thikë pas shpine, por vetëm “fitore për vendin”, “garanci për zgjedhje me opozitën” apo “çdo shqiptar të ndjehet ilehtësuar me këtë zgjidhje politike të krizës”! kështu flisnin asokohe dyshja Berisha-Meta.

Nuk është hera e parë që Sali Berisha dhe Ilir Meta ndjehen keq për  ato që kanë deklaruar në të shkuarën dhe që sot i komentojnë kokëposhtë. Kjo sjellje përfshin në fakt edhe atë që kanë thënë e bërë ndaj njëri-tjetrit, atëhere kur hidhnin akuza monstruoze e bënin kërcënime të skajshme mes tyre.

Përtej këtij folklori që sot gjenerojnë me dëshirën e tyre Presidenti dhe ish-kryeministri sa i përket 17 majit 2017, vlen të thuhet një e vërtetë historike për marrëveshjen e pesë viteve  të shkuara. Duke u ulur me Edi Ramën dhe duke marrë prej tij praktikisht gjysmën e kabinetit qeveritar në tavolinë, opozita pati iluzionin fatal se e mori pushtetin. Kujtoi naivisht se Rama dha ministrat e bashkë me ta edhe karrigen e tij.

Në fakt kryeministri ishte përkujdesur që të ofronte vetëm vitrinën e pushtetit e jo vetë pushtetin. Ai i markoi ministrat demokratë me zv.ministra e sekretarë të përgjithshëm, duke ju lënë titullarëve të rinj në dorë vetëm kontrollin e orarit të punës për specialistët e ministrive. Iluzioni optik që Basha, Meta dhe Berisha patën me këtë qeveri formalisht të përbashkët, por de facto sërish socialiste, ishte injeksioni fatal gjumëndjellës që e bëri të besonte treshen e mësipërme se i kishte fituar në avancë zgjedhjet. Prandaj duhen besuar shumë më tepër Doktori dhe Kryetari i Parlamentit i atëhershëm, sesa kreu i Rithemelimit dhe Presidenti i sotëm, kur flitet për këtë ngjarje.

Të gjithë e dimë sesi përfundoi historia e 17 majit 2017 dhe se cili qe rezultati shkatërrimtar për opozitën. I vetmi problem është se nga ajo karro fituesish e asaj dite feste për opozitën, disa kërkojnë të zbresin edhe pasi historia e ka thënë fjalën e saj. Për të zezën e tyre, jo të historisë…

E.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?