10 ditë nga gara, kreu i ri i PD pa takime në bazë! Berisha e Elezi pa program e fushatë

10 Maj 2022, 17:05| Përditesimi: 10 Maj 2022, 17:36

  • Share

TIRANË- Kushtet e pazakonta në të cilën ndodhet Partia Demokratike, po imponojnë një garë të pazakontë për kreun e ri të selisë blu, që deri më 22 maj do të drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit.

Dy kandidatët e vetëm në garë, Sali Berisha që kandidaturën  e tij e shpalli prej disa muajsh, dhe Ibsen Elezi që e dorëzoi atë vetëm disa minuta nga afatet kohore, të shtunën, ende nuk kanë nisur takimet në bazë për të kërkuar besimin e demokratëve për t’i votuar, edhe pse kanë mbetur vetëm 10 ditë kohë për fushatë.

Për më tepër, Berisha dhe Elezi ende nuk kanë prezantuar para demokratëve programin e tyre për drejtimin e partisë Demorkatike dhe idenë sesi ta bëjnë atë forcë alternative qeverisëse.

Krahasuar me zgjedhjet e fundit për kryetar në PD, ato të 13 Qershorit 2021, kur përballë Lulzim Bashës garuan Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, 4 kandidatët nisën fushatën më 21 maj, duke zhvilluar për 3 javë takime me anëtarësinë në thuajse të gjitha degët e PD dhe duke i prezantuar nga afër platformat e tyre për një PD më të fortë.

Data 22 maj për zgjedhje të kryetarit të ri të PD u caktua nga Kuvendi i 30 prillit, ndërsa po zhvillohen në një kohë kur gjykata ende nuk e ka thënë fjalën e fundit se kujt i përket drejtimi i selisë blu. Nëse kjo e fundit nuk do të vendosë në favor të Komisionit të Rithemelimit, PD-së do të duhet të hapë një tjetër garë pa kryetar, pasi ajo drejtohet nga Enkelejd Alibeaj që prej dorëheqjes së Lulzim Bashës më 21 mars.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?